Pop ylli i njohur amerikan, Taylor Swift, bendi i cili së fundmi është shpartalluar “One Direction” dhe këngëtarja britanike Adele, janë ndër muzikantët më të paguar të vitit 2016. Kështu bëri të ditur revista prestigjioze “Forbes”. Me fitimin e më shumë se 200 milionë dollarëve nga turneu, shitja e albumeve dhe të ardhurave të tjera, 26-vjeçarja Swift e fitoi titullin e muzikantes më të paguar të vitit. Pas yllit të hitit “Bad Blood” në pozitën e dytë i gjejmë djelmoshat e bendit “One Direction”, të cilët gjatë vitit 2016 i kanë fituar më shumë se 110 milionë dollarë, kryesisht falë turneut të tyre të fundit “On The Road Again Tour”. Bendi, i cili tashmë është shpartalluar përbëhej nga: Niall Horan, Liam Payne, Harry Styles, Louis Tomlinson dhe Zayn Malik. Në vendin e tretë të kësaj liste, e gjejmë yllin i hitit “Hello”, 28-vjeçaren Adele, me 80.5 milionë dollarë të fituar gjatë vitit. Adele, albumi i së cilës “25” ishte incizimi më i shitur i vitit 2015, e ka shijuar suksesin e tij me shitjen e një numri të madh të kopjeve, si dhe këtë shumë të hollash e ka fituar edhe falë koncerteve të shumta nëpër vende të ndryshme të Amerikës. Madonna, e cila po ashtu ka gëzuar sukses të mirë gjatë vitit 2016, falë lansimit të albumit të fundit “Rebel Heart”, arriti që në këtë listë të pozicionohet e katërta me 76.5 milionë dollarë të fituar. E, top-dhjetëshen e listës së përvitshme të përpiluar nga revista “Forbes” e plotësojnë, këngëtarja nga Barbadosi, Rihanna, me 75 milionë dollarë të fituar, ylli i muzikës country Garth Brooks, me 70 milionë dollarë të fituar, rok bendi veteran AC/DC, me 67.5 milionë dollarë të fituar, bendi i njohur botëror “The Rolling Stones” me 66.5 milionë dollarë të fituar, DJ i njohur Calvin Harris, me 63 milionë dollarë të fituar dhe mjeshtri i muzikës hip-hop, Diddy, me 62 milionë dollarë të fituar. Bashkërisht, 30 muzikantët e përfshirë në këtë listë i kanë fituar më shumë se 1.8 miliard dollarë gjatë vitit që po e lëmë pas.