Bujar KURTAJ
Shkup, 26 prill – Hendbolli është sport, i cili në Maqedoni është sporti numër një. Superliga udhëhiqet nga dy klubet me renome “Vardar” dhe “Metalurg’, klube të cilat po shkëlqejnë edhe në arenën ndërkombëtare, veçanërisht KH “Vardar”. Për fat të keq në Superligë nuk bën pjesë asnjë skuadër shqiptare, ndërsa në Ligën e dytë ka vetëm një dhe ajo është KH ‘Rinia’ nga Shkupi. Por, kjo nuk ka ndikuar që nga ky klub të dalin emra të njohur, të cilët gradualisht kanë filluar të lënë gjurmë në këtë sport. Njëri prej tyre është edhe Driton Idrizi, i cili qysh prej moshës 14 vjeçare ka qenë pjesë e KH ‘Rinia’, ndërsa me talentin që e ka pasur ka luajtur edhe për klubin nga Kosova, KH ‘Prishtina’, ka fituar tituj dhe çmime, ndërsa më kryesorja është se ai ka hyrë në histori, pasi aktualisht mban primatin si hendbollisti i parë shqiptar që ka luajtur për një klub të Superligës së Maqedonisë, gjë të cilën sot e kësaj dite nuk ka arritur ta bën asnjë hendbollit tjetër. Gjithashtu trajneri shkupjan ka qenë edhe pjesë e përfaqësueses së Kosovës. Aktualisht Idrizi është trajner i klubit të hendbollit ‘Shkupi’, nga ku thotë se do të dalin shumë lojtar të mirë. Për fillimin e karrierës së tij, klubet ku ka luajtur dhe detyrën që aktualisht po e ushtron, të gjitha këto Idrizi i rrëfen në intervistën për gazetën KOHA.
KOHA: Një biografi të shkurtër Driton, ku filloi karriera jote?
IDRIZI: Me hendboll kam filluar të merrem prej kur isha nxënës në shkollë fillore, respektivisht nga klasa e gjashtë. Me arsimtarin e edukatës fizike pranë shkollës fillore ‘Nikolla Vapcarov’ (tani ‘Imri Elezi’) merrnim pjesë në gara republikane për shkollën. Sukseset nuk munguan, ndërsa kemi marr pjesë në nivel shtetëror edhe atë në qytetet e Maqedonisë. Për shkollën kam luajtur tre vite, pastaj në moshën 14 vjeçare u transferova te Klubi Hendbollistik ‘Rinia’ ku qëndrova katër vite, klub i cili atëherë merrte pjesë në Ligën e dytë të Maqedonisë, ndërsa trajner ishte Muhamed Ismaili. Ai më kishte ndjekur derisa luaja për shkollën dhe më pas kërkoi që ti bashkohem skuadrës së tij, gjë të cilën e pranova.
KOHA: Na trego për periudhën e kaluar te KH Rinia?
IDRIZI: Në moshën 14 vjeçare siç thash u bëra pjesë e këtij klubi, duke luajtur në Ligën e dytë. Isha bartësi i ekipit, ndërsa ishim një gjeneratë shumë e arrtë aso kohe. Ekipi ishte i përbërë nga lojtar prej shkollave fillore, ku edhe trajneri Ismaili bënte seleksionimin për të marr pjesë në ligë. Ishim një gjenerate e re, me perspektivë të madhe, edhe pse kushtet që i kishim ishin minimale, mirëpo dëshira e madhe që kishim për sportin e hendbollit, bëri që ky klub të ekzistojë sot e kësaj dite.
KOHA: Edhe pse keni qenë një gjeneratë e mirë dhe e talentuar, por asnjëherë nuk arritët ta dërgoni klubin në Superligë?
IDRIZI: Për mendimin tim ka shumë arsye se pse ‘Rinia’ deri më sot nuk ka luajtur në Superligën e Maqedonisë. Pik së pari kanë qenë kushtet, pastaj rol ka luajtur edhe politika e asaj kjo me një fjalë në çdo aspekt kemi qenë të ‘shkelur’. Pastaj mendoj se edhe mosha ka luajtur rol, pasi ishim shumë të ri dhe nuk kishim shumë përvojë të madhe për të qenë pjesë e elitës së hendbollit ose më mirë të them pjesë e Superligës. E them këtë pasi hendbolli n Maqedoni është sporti numër një, sidomos dekadën e fundit ku dy ekipet si Vardari dhe Metalurgu po shkëlqejnë në Evropë. Mirëpo, pos këtyre dy klubeve, edhe klubet tjera kanë pasur kushtet elementare, që ne nuk i kishim si shembull atë më kryesoren financat, pastaj s’kemi pasur palestër tonë, rekuizita gjithashtu. Ato kushte që i kemi pasur, i ka siguruar vetë trajneri Ismaili, i cili më duhet të pranoj se ai ishte gjithçka në klub, edhe trajner, edhe kryetar. Po të mos kishte qen aj, nuk e dimë se a do të ekzistonte sot KH ‘Rinia’.
KOHA: Pos te KH Rinia ke luajtur edhe në Kosovë, ku nuk munguan sukseset.
IDRIZI: Pas luftës në Kosovë, me KH ‘Rinia’ morëm pjesë në turnirin ‘Bashkim Idrizi’ në Gjakovë. Në këtë turnir unë u zgjodha lojtari dhe golashënuesi më mirë. Ishte një kënaqësi e madhe për mua, pasi isha vetëm 18 vjeç, ku edhe e dinim se në çfarë niveli ishte hendbolli në Kosovë në atë kohë. E them këtë pasi lojtar nga Kosova ishin pjesë e klubeve maqedonase si Vardari dhe Metalurgu, kurse të njëjtit lojtar ishin pjesë e këtij turniri. Pas këtij turniri më kërkoi KH Prishtina, ofertë të cilën e pranova pa menduar shumë, ndërsa pjesë e këtij ekipi ishin edhe Besnik Reçi dhe Veton Grubi. Atje ishte tre vite, ku arritëm të fitojmë Kupën e Kosovës. Poashtu, në të njëjtin vit u zgjodha edhe lojtari më i mirë i turnirit ‘Lidhja e Prizrenit’ një turnir shumë i fortë ku mora pjesë me KH Prishtina.
KOHA: Derisa ishe pjesë e KH Prishtina, luajte edhe për përfaqësuesen e Kosovës?
IDRIZI: Paraqitjet e mira te KH Prishtina, bëri të luaj edhe për shtetin e Kosovës. Tefik Nikushtica, seleksionuesi i atëhershëm i Kosovës, për të cilin kam respekt të veçantë, më kishte parë gjatë kohës derisa luaja te Prishtina dhe më pas ai më ftoi që të jem pjesë e Kosovës. Edhe pse Kosova aso kohe nuk ishte e pranuar në arenën ndërkombëtare, zhvilluam ndeshje miqësore me shumë shtete si Turqia, BeH, Maqedonia. Me një fjalë, jam i kënaqur me kontributin tim për shtetin e Kosovës.
KOHA: Pas Kosovës, rikthehesh në Maqedoni, por jo te KH Rinia.
IDRIZI: Pasi vendosa të largohem nga Kosova, u riktheva në Maqedoni por jo te KH ‘Rinia’. Me kërkoi KH ‘Jug’, ofertë të cilën e pranova, pasi ata ishin pjesë e Superligës së Maqedonisë dhe ishte njëri prej ekipeve më të forta në Maqedoni, derisa pjesë ekipit ishin lojtar si Toni Shopov, Vllatko Nedellkovski dhe shumë emra të njohur, kurse për trajner e kishim Gino Strezovski, një emër i njohur në hendbollin maqedonas, i cili aktualisht ushtron detyrën e kryetarit të Këshillit të trajnerëve në Maqedoni. Me transferimin tim te kjo skuadër, u bëra lojtari i parë shqiptar, i cili ka luajtur në Superligën e Maqedonisë, një arritje të cilën sot e kësaj ditë asnjë lojtar shqiptar nuk e ka bërë. Mirëpo, pas disa ndeshjeve me KH ‘Jug’, ku pata paraqitje shumë të mira, u detyrova të largohem për arsye të situatës së krijuar në Maqedoni në vitin 2001.
KOHA: Kur e përfundove karrierën dhe ku?
IDRIZI: Pas largimit nga KH ‘Jug’, u riktheva një kohë të shkurtë në KH Prishtina, ku pata paraqitje shumë të mira. Pas kësaj vendosa ti jap fund karrierës sime në moshën 24 vjeçare duke marr parasysh se gjërat në hendbollin në Maqedoni në përgjithësi nuk ndryshuan, duke marr parasysh se për të qenë pjesë e dy klubeve të mëdha, nevojiteshin edhe gjëra tjera jo vetëm talenti, të cilin pa dyshim se unë e kisha. Si rezultat i kësaj i thash vetes mjaft, një vendim shumë i rëndë por që duhesha ta sjell një ditë. KOHA: Aktualisht jeni trajner i KH “Shkupi”. Sa jeni i kënaqur me punën e deritanishme dhe garat në të cilat po merrni pjesë?
IDRIZI: Pasi i dhashë fund karrierës si hendbollist, nuk mundesha të tërhiqem tërësisht nga ky sport. Vendosa të hap akademinë ‘Shkupi’ me ish-bashkëlojtarët e mi Veton Grubi dhe Bujar Dullovi. Dy vite funksionuam si akademi, ndërsa pas dy viteve u shndërruam në klub të hendbollit ‘Shkupi’. Jemi duke marr pjesë në Ligën e pionierëve në kampionatin e Maqedonisë, ku aktualisht jemi në pozitën e katërt nga gjithsejte 10 klube. Pjesë e klubit aktualisht janë mbi 40 fëmijë, të ndarë në dy gjenerata 2000/2001 dhe 2004/2005. Stërvitjet i realizojmë në shkollim e mesme ‘Zef Lush Marku’, ndërsa ndeshjet i zhvillojmë në palestrën ‘Enver Idrizi’. Jam shumë i kënaqur me rezultatet që po i arrijmë, pa marr parasysh moshës që kemi 14-16 vjeç. Dëshira tek këta të rinj vërehet qartë, e duan hendbollin dhe i përkushtojnë rëndësi të madhe përkundër angazhimeve tjera që i kanë.
KOHA: A mund të presim që nga ky klub të dalin hendbollist të mirë?
IDRIZI: Siç thash, në klub aktualisht stërviten mbi 40 djem të rinj. Në mesin e tyre ka shumë lojtar të talentuar, ku 4-5 lojtar vërtetë posedojnë talent të jashtëzakonshëm. Më gëzon fakti se edhe pse si klub jemi të ri (viti i parë ë marrim pjesë në ligë), interesimi për këta lojtar është shumë i madh. Nëse vazhdojnë kështu, besoj se do të jenë lojtar të mëdhenj dhe do të luajnë në klubet elitare të Evropës. KOHA: Si është bashkëpunimi yt me klubet tjera nga Maqedonia, por edhe nga Kosova?
IDRIZI: Duke marr parasysh se jemi klubi i vetëm shqiptar në Ligën e pionierëve, bashkëpunim të mirë kemi me të gjitha klubet e Maqedonisë. Punën që po e bëjmë ne, i ka detyruar ata që të lidhin bashkëpunim me ne. E them këtë me faktin se në muajin qershor të këtij viti si jemi të ftuar të marrim pjesë në kampin të cilin e organizon lojtari më i mirë dhe golashënuesit më i mirë në botë Kire Lazarov, Bëhet fjalë për një kamp i cili është më i organizuar në Ballkan. Aty marrin pjesë shumë trajner dhe menaxher nga Suedia, Danimarka, Spanja, Gjermania, Franca. Për klubin tonë dhe për hendbollistët e mi kjo do të jetë një mundësi e mirë, ndërsa në kamp do të jenë diku mbi 300 fëmijë nga gjithë Evropa. Sa i përket bashkëpunimit me Kosovën, sigurisht se ekziston. Edhe aty jemi ë ftuar të marrim pjesë në kampin, i cili do të mbahet në Prishtinë në organizim të Federatës së Hendbollit të Kosovës. Më duhet të përmendi edhe atë se sekretari i FHK, Izet Gjinovci e përkrah shumë klubin tonë në të gjithë sferat dhe shfrytëzoj rastin ta falënderoj për përkrahjen që po na e jep. Gjithashtu kam bashkëpunim të mirë edhe me trajneri e mirënjohur Lino Çervar, i cili aktualisht është trajner i Metalurgut ndërsa deri para një kohe ka qenë edhe seleksionues i përfaqësueses së Maqedonisë si, derisa bashkëpunim të mirë kam me ndihmëstrajnerin e KH Vardar te vajzat Ace Stankovski si dhe me ish-trajnerin Vlladimir Gligorov.
KOHA: A keni pasur dhe a vazhdoni të keni oferta nga klubet tjera. Ku e shihni veten në të ardhmen?
IDRIZI: Kur e përfundova karrierën si hendbollist, synimi im ka qenë që të bëj lojtar dhe si rezultat i kësaj, vendosa të hap akademinë fillimisht dhe tani klubin e hendbollit ‘Shkupi’. Nuk është se nuk kam pasur oferta, pasi më kanë ofruar që të jem trajner te akademitë e klube maqedonase si Vardar, Metalurgu, Rabotniçki, mirëpo synimi im është që të kontribuoj pikërisht te klubi i ‘Shkupit’. Andaj e ardhmja ime do të jetë te ky klub.
KOHA: Cila ka qenë për juve ndeshja më interesante që do ta kujtoni derisa të jeni gjallë?
IDRIZI: Finalja e Kupës me Prishtinën kundër KH Trepça. Në këtë ndeshje i shënova shtatë gola që ishte një kënaqësi e madhe për mua pasi kontribuova që klubi nga kryeqyteti të fitojë trofeun e parë pas luftës. Ka qenë një atmosfere jashtëzakonisht e mirë, e krijuar nga grupi i tifozëve ‘Plisat’, ndërsa prezent në këtë ndeshje kanë qenë edhe tifozët mysafir. Fituam me rezultatin 24:22 dhe gëzimi pas ndeshje si për mua poashtu edhe për publikon prishtinas ka qenë shumë i madh. KOHA: Po momenti më i keq gjatë karrierës tënde?
IDRIZI: Për fat të keq kam pasur edhe unë një moment do të kisha thënë të keq. Kur isha pjesë e klubit Prishtina, gjatë ndeshjes me KH Drita, pësova një lëndim, duke e thyer dorën, një lëndim të cilin nuk do ta harroj, pasi pasojat edhe sot e kësaj ditë e ndjej. Ky lëndim më mbajti jashtë parketit diku pesë muaj dhe ka qenë një periudhë shumë e rëndë për mua.
KOHA: Si e komentoni përzgjedhjen e Muhamed Ismailit për seleksionues i Kombëtares së Shqipërisë?
IDRIZI: Ishte koha që trajneri im Muhamed Ismaili të jetë seleksionues i ndonjë kombëtare. Edhe pse ndoshta vonë, kjo u shpërblye. Është një arritje e madhe për at, por edhe për të gjithë shqiptarët e Maqedonisë. Besoj se me kualitetin që ka, do të arrij të komponojë një ekip të mirë, dhe do të arrijnë rezultate të mira në arenën ndërkombëtare. Nuk më ngel asgjë vetëm se ti dëshiroj suksese.
KOHA: Jeni i martuar dhe keni tre fëmijë, a pret që edhe ata të ndjekin hapat e babait të tyre?
IDRIZI: Jam i martuar dhe kam tre djem. Më i madh Enesi i ka 12 vite, pastaj vjen Edisi (8) dhe Rashidi (1). Enesi më veç ka filluar të ndjek hapat e mia, merret me hendboll dhe është pjesë e KH ‘Shkupi’. Edhe pse i rri, Edisi posedon talent të madh, luan në pozitën e bekut të majtë dhe qendër. Edisi gjithashtu ka filluar të ndjek stërvitjet edhe pse është ende i rri, por shpresoj se njëri nga të tret të vazhdon të merret me hendboll. Mirëpo, primare për ne si prind është që ata njëkohësisht të jenë të suksesshëm edhe në shkollë, pastaj në rend të dytë të kenë sportin.