Patriot LUMANI
Strugë, 16 janar – Kryetari i Komunës së Strugë, Mustafa Zabzuni, ka zhvilluar një takim pune me shefin e Stacionit policor-Strugë, Valon Hani. Ushtruesi i detyrës kryetar i Strugës, shprehu interesimin e tij për kushtet e punës dhe kuadrin e burimeve njerëzore, kompetencat dhe problematikat sa i përket Stacionit policor-Strugë. Nga ana tjetër, shefi i stacionit policor Valon Hani shpjegoi se si stacioni i Policisë-Strugë funksion i ndarë edhe nëpër zona rurale, si Veleshta dhe Llabunishta apo Frëngova, Dollogozhda dhe Llukova. “Sa i përket kapaciteteve, Stacioni ynë posedon me 96 policë, që është një numër relativishti i mirë, por duke analizuar zonën për një punë operative më efikase, do të duheshin minimalisht 170 punonjës policie”, tha ndër të tjera kryeshefi i policisë për Stacionin e Strugës, Valon Hani. Ndërsa, sa i përket kushteve, ai theksoi se janë mjaft të vështira, përfshirë edhe objektin qendror, duke nënvizuar mungesën e zyrave për çështje informative, apo qelive për personat e ndaluar. Më tej kryetari i Komunës së Strugës ndau shqetësimin e tij sa i përket qarkullimit rrugor në Komunën e Strugës, problemet me taksitë, prerjen dhe vjedhjen e pyjeve si dhe problematika të tjera. Ai në këtë drejtim informoi shefin e policisë se me buxhetin e ri është parashikuar blerja e karrotrecit (kamionit merimangë), në 6 mujorin e parë të këtij viti të fillohet me shërbimin përkatës. Të pranishmit ranë dakord, që ndër të tjera, të fillohet brenda dy javësh aksioni për disiplinimin e taksive të pa licencuara. Kryetari i Komunës së Strugës shprehu shqetësimin dhe vërejtjet sa i përket shenjave të komunikacionit, që shpesh dëmtohen ose vidhen. Në fund të takimit, përfaqësuesit e Komunës së Strugës shprehën shqetësimin sa i përket përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në stacionin policor, ku në 4 degët e funksionimit (shërbimin administrativ, policët e uniformuar, shërbimin sekret, shërbimin analitik) nuk ka as 20 % punonjës shqiptarë. Përfaqësuesit e Komunës së Strugës, shprehën shqetësim akoma më të madh për gjendjen e Sektorit të Punëve të Brendshme – Ohër, që si rajon përfshin Strugën, Ohrin, Kërçovën, Dibrën dhe Resnjën, ku të gjithë të punësuarit, përfshirë dhe shefat, janë maqedonas. Prej shumë vitesh është stërthënë se godina e Stacionit të policisë në Strugë, do të renovohet apo do të ndërtohet një e re, por asgjë nuk ka ndryshuar në këtë drejtim, përveç investimit për vendosjen e flamurit gjigand shtetëror në oborrin e stacionit që ndodhi para katër viteve. Në këtë godinë përveç strukturave të uniformuara funksionojnë edhe zyrat e shumta administrative me të cilat për çdo ditë ballafaqohen qytetarët strugan, duke filluar nga pajisja me dokumente identifikimi, udhëtimi apo deri regjistrimi i makinave. Kjo godinë e vjetër nuk ofron kushte minimale, si për qytetarët që duhet të kryejnë shërbimet e ndryshme që ofrohen nga administrata, ashtu dhe për të punësuarit, të thonë të punësuarit në këtë Stacion policor padashur të identifikohen.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.