Vajza ime punon prostitutë për bukën e gojës
Babai i tyre do të ndahej nga jeta para dy vitesh, për t’i lënë vetëm me nënën. E ndërsa fati do të tregohej i pamëshirshëm me të atin, nëna do të tregohej më mizore me ta, duke i braktisur për të shkuar jashtë shtetit e për të punuar atje si punonjëse seksi.
Edisoni shtatë vjeç dhe Klaudia katër, tani jetojnë me gjyshen e tyre e cila e ndodhur në udhëkryq është drejtuar tek një shoqatë që kujdeset për fëmijët jetimë për të kërkuar ndihmë. Atje e takojmë edhe ne, ndërkohë që vendos të na rrëfejë dhe historinë e tmerrshme që ka “pushtuar” familjen e saj.
Quhet Nevruze dhe është 55 vjeç, ndërkohë që fytyra e saj tregon që është një grua e vuajtur. Pastaj veshja e saj me një pulovër, pak të grisur tek krahu i djathtë e bën edhe më qartë panoramën. Bashkë me të janë edhe dy fëmijët që e kapin gjyshen prej fundi dhe fshihen me ndrojtje mbrapa saj. Nuk ngjasin, por shtrëngojnë duart e vogla si për të treguar se kjo kapje nuk do t’i lejojë ata të ndahen e të braktisin njëri-tjetrin, ashtu si bëri nëna e tyre.
“Ime bijë mori rrugët jashtë shtetit për të punuar sepse nuk kishte zgjidhje tjetër. Këtu nuk arriti të gjente punë, ndërsa babai i fëmijëve vdiq para dy vitesh. Edhe atje nuk pati fat të mirë dhe për këtë është detyruar të punojë si prostitutë. Është shumë e rëndë për mua të pranoj që ime bijë bën një punë të tillë, por ky është realiteti”, - shprehet Nevruzja dhe sytë i mbushen me lot.
E ka të vështirë të vazhdojë të tregojë historinë e dhimbshme, por pasi gëlltitet dhe merr frymë thellë vazhdon të tregojë “fatin e zi”, siç e quan ajo, të familjes. “Unë nuk mund t’i lë në rrugë fëmijët se i kam të vajzës, por nuk kam mundësi ekonomike për t’i mbajtur dhe t’i rritur. Marr vetëm një asistencë prej 3 000 lekësh në muaj në formën e ndihmës ekonomike, vetëm atë kam. Më thuaj çfarë mund të bëj më përpara, të mbaj veten, të ushqej fëmijët e vajzës apo të dërgoj në shkollë Edisonin? Thjesht e kam të pamundur...”, - shprehet N. dhe me dorën e saj të majtë shtrëngon vogëlushin që e shoqëron. Historia bëhet edhe më e trishtë kur 55–vjeçarja pranon faktin se vajza e saj, që nga ikja nuk është kujtuar më për familjen dhe për dy vogëlushët e saj. “Kam folur disa herë në telefon me vajzën, por vetëm kaq. Që kur ka ikur nuk ka dërguar asnjë lek apo lodër për fëmijët. Nuk po na ndihmon fare”, - rrëfen gjyshja me zërin që i dridhet nga pamundësia. E pyesim edhe në lidhje me faktin nëse Edisoni shkon në shkollë e Klaudia në kopsht, por përgjigja sërish është e dhimbshme. “Për vajzën nuk e kam menduar ndonjëherë ta çoj në kopsht, por djali këtë vit duhet të ishte në klasë të dytë. Të them të drejtën e kam të pamundur të përballoj shpenzimet e shkollës, prandaj herë shkon e herë jo. Po vazhdoi kështu do e braktisë fare”,- tregon 55- vjeçarja, e cila sheh tek ne një dritë jeshile që mund ta ndihmojë për të bërë apelin e nevojshëm.
Rrëfimi i saj tronditës mbyllet me thirrjen drejtuar institucioneve shtetërore shqiptare për ndihmë me shpresën se dikush do të vendosë dorën në zemër dhe do të ndihmojë gjyshen e nipërit e saj. (Gazeta Shqiptare/Balkanweb)
| Di | Hë | Ma | Me | En | Pr | Sh |
| 1 | 2 | 3 | 4 | |||
| 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 |
| 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 |
| 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 |
| 26 | 27 | 28 | 29 | 30 | 31 |





Facebook
Twitter
Google
Digg
Myspace
Yahoo MyWeb



Publikoni komentin tuaj