S’ka Inter për ish-juventinin, Arturo Vidal. Në fakt, sipas asaj që raporton e përditshmja gjermane, “Bild”, kileni duket madje vetëm një hap larg rinovimit me ekipin aktual, kampionët e Gjermanisë, Bayern Munich. Inter, i cili është në kërkim të një mesfushori, i kishte ofruar drejtuesve të klubit bavarez 57 milionë euro për kartonin e futbollistit. Oferta e Inter është refuzuar dhe kthyer pas, si nga ana e klubit, ashtu edhe nga vetë Vidal.
Pavarësisht vlerësimit me superlative, dhe optimizmit, mbi fillimin e tratativave të mundshme për sigurimin e shërbimeve të Vidal, që koordinatori i grupit Suning, Sbatini bëri vetëm një ditë më parë, ëndrra për ta patur te Inter po venitet ngadalë. Alternativat mbeten Nainggolan, që nga ana tjetër është konsideruar i pashitshëm nga Pallotta, si dhe Di Maria, që duket se është ëndrra në sirtar e drejtuesit zikaltër, ndonëse tratativa nuk është nga më të thjeshtat.