Sigmar Gabriel, Rama dhe precedenti Gruevski

Me gjithë përpjekjet kolosale, Gruevski përsëri fitoi vota më shumë se çdo parti tjetër. Dhe perëndimit iu desh të ndërhyjë sërish me rrugë të tërthorta për të penguar rikthimin e tij në pushtet. Kjo histori e sjelljes së kancelarive euroatlantike me fqinjin tonë lindor, tregon se në shtetet që kërcënohen nga autoritarizmi, tezat se pakica duhet të pranojë shumicën, se bojkoti është sakrilegj, se mospjesëmarrja në garë duket absurde për një evropian normal, ngjajnë qesharake. Nëse një lider autoritar ka kapur për fyti gjithë vendin, zgjedhjet janë thjeshtë një farsë

145

Nga Andi BUSHATI

Shefi i diplomacisë gjermane, Sigmar Gabriel i ka dhënë një shuplakë të fortë interesave të çadrës së opozitës duke përdorur në fjalën e tij në Tiranë terma që ndoshta nuk ishin dëgjuar këtu tek ne, që prej vitit të largët 1997. Ai e ka quajtur bojkotin e parlamentit “absurd” nga këndvështrimi i një evropiani. Ai e etiketoi si klikë kundër interesave të shqiptarëve, bashkësinë e atyre që i kanë hyrë kësaj rruge. Ai ka folur për frikën personale të njerëzve që pengojnë reformën në drejtësi dhe ka huazuar krahasimin e Edi Ramës se në demokraci pakica duhet të panojë shumicën. Po të shikosh fjalën e tij duket qartë se etiketimet e z. Gabriel i tejkalojnë kornizat e gjuhës diplomatike. Ato bëhen dhe më të rënda dhe më të forta në dëm të aksionit të PD-së, sidomos po të vendosen në kontekstin e të singjashmeve të tyre që mbërritën nga Brukseli. Në fundjavën e shkuar, komisionerët Hahn dhe Mogherini bënë një deklaratë të përbashkët ku linin të kuptohej se aksioni i Bashës ishte prej udhëheqësi të papërgjegjshëm, duke përmendur në këtë arsyetim mosregjistrimin në zgjedhje dhe mosvotimin e reformës në drejtësi. Po të vërehen me kujdes këto deklarata, duket se rruga e PD-së po goditet qartë dhe me insistim. Tashmë qëndrimet nuk janë vetëm të ambasadorëve, por edhe të autoriteteve të larta perëndimore dhe tendenca tregon se ato do vijnë duke u shtuar dhe rrethimi ndaj opozitës duke u rritur. Deri këtu jemi tek renditja e fakteve që janë brutale, të pamëshirshme dhe në dukje pa shteg daljeje për Bashën.

Por, ndaj këtij realiteti që nuk mund të mohohet, PD-ja po fsheh kokën si struci. Ajo po sillet sikur nëse nuk i pranon faktet, ato nuk ekzistojnë. Në këtë betejë propagande ajo ka zgjedhur rrugën më të gabuar për të qenë bindëse. Kur flasin ambasadorët gjithmonë del dikush që thotë se ata punojnë për Ramën. Kur flasin kancelaritë perëndimore, ngrihet Lulzim Basha dhe pretendon se ato janë influencuar nga lobistët që ushqehen me paratë e kanabisit. Madje edhe kur numri dy i qeverisë gjermane, Ministri i jashtëm i Gabriel, zbarkon në Tiranë për të folur troç, shpërndahen zëra se ai nuk qenkësh i partisë së Merkelit, por një i majtë social demokrat më afër Ramës dhe Metës. Fatkeqësisht e gjithë kjo strategji komunikimi, është tagji vetëm për banorët e çadrës. Ajo as nuk mund t’i bindë dhe as nuk mund t’i bëjë për vete njerëzit me logjikë të ftohtë. Askush nuk mund ta besojë se edhe z.Gabriel flet me kokën e tij dhe se Anxhela Merkel, si e djathtë, ka një version tjetër që i shkon më për shtat PD-së. Faktet duhen pranuar ashtu sikurse janë dhe PD-ja, nëse do të ketë sukses, duhet të zgjedhë një rrugë tjetër: jo mohimin e tyre, por përballjen me to. Lulzim Basha dhe njerëzit e tij nuk mund të sillen sot sikur nuk janë të rethuar, por duhet të tregojnë se si kanë ndërmend ta çajnë këtë rrethim. Pra, kur shefi i diplomacisë gjermane zbarkon në Tiranë, dënon ashpër bojkotin, bën thirrje për pakicën që të pranojë shumicën, bën apel që politikanët të shkojnë në zgjedhje dhe aty t’i shpalosin opsionet dhe kritikat e tyre, këto mendime nuk mund të anashkalohen. Përkundrazi mbi ato duhet debatuar.

A përdorën, për shembull, të njëjtën peshë dhe të njëjtin metër, si Berlini ashtu edhe Brukseli, për rastin maqedonas? A e dënuan ata bojkotin e gjatë të opozitarëve të Gruevskit? A mbështetën ata konceptin që po kërkon PD-ja sot, pra për të shkuar në zgjedhje pa kryeministrin që kishte fituar votën popullore?A mbështetën qeverinë teknike dhe lobuan për shtyrjen dy herë të zgjedhjeve që synonin tërheqjen zvarrë të liderit autoritar të Shkupit? Po, perëndimi i bëri të gjitha këto. Vendet demokratike i mbështetën të gjitha rrugët ekstra zgjedhore për të rrëzuar një satrap që po i merrte frymën vendit të tij përmes prishjes së rregullave demokratike. Dhe bënë shumë mirë, duke u sjellë sipas parimeve të etërve themelues dhe besimit se demokracia është më shumë sesa vetëm zgjedhje. Por me gjithë këto përpjekje kolosale, Gruevski përsëri fitoi vota më shumë se çdo parti tjetër. Dhe perëndimit iu desh të ndërhyjë sërish me rrugë të tërthorta për të penguar rikthimin e tij në pushtet. Kjo histori e sjelljes së kancelarive euroatlantike me fqinjin tonë lindor, tregon se në shtetet që kërcënohen nga autoritarizmi, tezat se pakica duhet të pranojë shumicën, se bojkoti është sakrilegj, se mospjesëmarrja në garë duket absurde për një evropian normal, ngjajnë qesharake. Nëse një lider autoritar ka kapur për fyti gjithë vendin, zgjedhjet janë thjeshtë një farsë. Nëse ato mund të konsiderohen zemra e një etniteti demokratik, askush nuk mund të na bëjë të besojmë se një trup mund të qëndrojë në jetë kur i janë sëmurur të gjitha organet e tjera dhe vetëm zemra vazhdon t’i rrahë.

Në vendin që drejton Edi Rama, ku mediat i ka kullufitur, ku oligarkët që po i nginj me kulla, financojnë drejtpërdrejtë atë, ku kriminelët janë në paradhomë të politikës dhe ku partia në pushtet është partia e klientëve të kryeministrit, duket qartë që zemra nuk mund të punojë normalisht pa u furnizuar me gjak. Prandaj, vetëm zgjedhjet nuk janë zgjidhje. Por, për të treguar të gjithë këtë histori duhet një rrugë e gjatë. Duhen së pari argumente, pastaj rezistencë dhe forcë. Këto janë sfidat reale të Bashës dhe PD-së sot. Synimi i tyre duhet të jetë t’i demonstrojnë perëndimit se këtu po krijohet një model tjetër Gruevski. Ndoshta më i sofistikuar në propagandë, por po aq i rrezikshëm në zhdukjen e lirive dhe hapësirave demokratike. Kjo rrugë e vështirë, e cila mban mbi vete riskun e një harakiri, që mund të hajë edhe kokën e Bashës, është rrugë me një kalim. Ajo e detyron opozitën të përballet me faktet. T’i pranojë publikut dhe vetes se ajo aktualisht nuk ka përkrahjen perëndimore. Por, se ajo po lufton, po përpiqet, madje është e gatshme edhe të sakrifikojë për të treguar se në Tiranë po skicohet një sozi vetëm estetikisht e ndryshme me satrapin maqedonas. T’i bindë se pikërisht për këtë, këtu vlejnë më shumë recetat e Shkupit sesa ato të vendeve normale. (Lapsi.al)

Të Ngjajshme