Për turizëm rural me 3000 euro nuk besoj se ka nevojë të diskutohet. Mbase, ata që e kanë konceptuar këtë shpallje, kanë ide më të qarta se si mund ta realizojnë, le të urdhërojnë, kjo siç duket është një mashtrim i radhës për të gjithë ata që e kanë marrë seriozisht zhvillimin e turizmit rural, por me paketim të ri!
Nga Mislim ZENDELI
Ministria e Ekonomisë ka shpallur thirrje publike për ndarje të subvencioneve për qëllime turistike të amvisërive nëpër fshatra. Përkrahja financiare është në vlerë prej 60% nga harxhimet e bëra, por jo më shumë se 200.000 denarë dhe e njëjta do të dedikohet për furnizim me pajisje dhe inventar, si dhe për rregullimin e hapësirës në amvisëritë e fshatrave. Mjetet financiare do të ndahen në bazë të principit “vjen i pari, shërbehesh i pari”.
Nëse dëshiron që të mos merresh me problemin krijo mjegulla. Nëse nuk do të zhvillosh një veprimtari të mirëfilltë, atëherë ofron subvencione, në rastin tonë shuma qesharake, të cilat zakonisht keqpërdoren dhe shumë rrallë arrijnë tek destinacioni i duhur. Përndryshe subvencionet definohen si transfere për ndërmarrjet publike apo subjektet tjerë të ardhurat e te cilëve nuk mbulojnë shpenzimet dhe për ketë diferencë sigurojnë mbështetjen financiare nga qeveria. Si instrumente për nxitjen e aktiviteteve biznesore përdoren në të gjitha shtetet. Mirëpo, shuma në të holla që ofrohet duhet të jetë kompatibil me dedikimin. Në rastin e subvencioneve për zhvillimin e turizmit rural në Republikën e Maqedonisë, bëhet fjalë për shuma simbolike madje dhe qesharake, duke pasur parasysh faktin se restaurimi kërkon investime të mëdha, aq më tepër kur kemi të bëjmë me objekte që gjenden në hapësira rurale. Është i njohur fakti se transporti i mallit, në rastin konkret i materialeve ndërtimore, kushton shumë më tepër se sa në ambientet urbane.
Ministria e Ekonomisë edhe më herët ka dëshmuar se përmes subvencioneve vetëm se ju hedh pluhur syve, kur bëhet fjalë për bizneseve nga fusha e turizmit dhe hotelerisë. Një rast të ngjashëm kishim edhe me ofrimin e subvencioneve për agjencitë turistike dhe turoperatorët që do të sjellin klientë me fluturime charter nga Izraeli, Malajzia, Austria, Koreja e jugut, Italia, Franca dhe Spanja deri në 65 Euro për person. Ndërkaq, për turistët e ardhur nga Çekia, Sllovakia, Hungaria, Polonia, Ukraina e Rumania, deri në 45 Euro për person. Por çka sollën këto para të derdhura pa ndonjë qëllim. Thuajse fare pak mos të themi aspak nuk ndikuan në rritjen e konsumit turistik në vend pasiqë politikat e gabuara sjellin dhe përfitime minimale. Statistikat tregojnë se përkundër rritjes së numrit të turistëve nga viti në vit, efektet janë minimale. Kjo mund të shihet nga konsumi turistik. Sa për ilustrim, në vitin 2008 nuk kishte subvencione, ndërsa ishte një ndër vitet më të mirë për turizmin në 10 vitet e fundit.
Parimi i cili do të vlejë për subvencionet për turizëm rural është “vjen i pari, shërbehesh i pari” që po ashtu është një kurth i radhës dhe një krijim të labirinteve të sistemit të degjeneruar të pushtetit. Në vend që fillimisht të informohen subjektet dhe individët potencial për subvencionet në fjalë dhe përzgjedhja të jetë konform kushteve që plotësohen, qeveria është përcaktuar për parimin fifo, parim ky që gjithmonë leh hapësirë për manipulim.
Konsideroj se masat të cilat duhet ti ndërmerr Qeveria e Maqedonisë në drejtim të zhvillimit të një turizmi rural të qëndrueshëm dhe të efektshëm në vend do të ishin:
- Përpilimi e një strategjie për zhvillimin e turizmit në kuadër të zhvillimit të përgjithshëm, ku do të përfshihen të gjitha segmentet kyç që ndikojnë në fushën e turizmit. Këtë duhet ta bëjnë ekspertët vendas të turizmit në bashkëpunim me ata të huaj;
- Përmirësimi i infrastrukturës rrugore, që turistët të kenë qasje në ambientet rurale meqenëse nuk ka rrugë s’ ka se si turisti të ngjitet tek destinacioni i turizmit rural.
- Ndihmesë aktive për zhvillimin e një produkti të dallueshëm turistik për vendin apo rajonet turistike.
- Organizimin e një sistemi të arsimit në veçanti arsimimit të mesëm si dhe organizimi i formave të ndryshme dhe të përhershme për edukimin e të punësuarve në fushën e turizmit.
- Përpilimi e një strategjie për mbrojtjen e ambientit jetësor në ambientet rurale dhe më gjerë.
- Angazhimi i ekspertëve brenda strukturave të Ministrisë së Ekonomisë dhe shtimi i kuadrit profesional në departamentet dhe sektorët lokale dhe qendror për zhvillimin e turizmit,
- Formimi i mekanizmave të kontrollit për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorit – turistit,si të atij vendor ashtu edhe atij të huaj.
- Organizimin e një sistemi bashkëkohor informativ për nevojat e turizmi i cili do të ndërlidh të gjithë aktorët që marrin pjesë në plotësimin e nevojave të turistëve.
- Organizimi i aktiviteteve promovuese jashtë vendit, në veçanti në tregjet potenciale turistike.
Dhe për fund, nëse duam që të zhvillojmë turizëm rural dhe të qëndrueshëm, duhet të zbatojmë modele të ngjashme si bie fjala, projekti apo Programi i 100 fshatrave, që e promovoi kohë më parë, Qeveria e Shqipërisë. Në kuadër të këtij Programi,Qeveria siguron se do të mbështet me instrumente financiare dhe fiskale krijimin e një rrjeti fermash agro-turistike, që plotësojnë kriteret dhe standardet e përcaktuara, të cilat do të jenë bazat e rrjetit shqiptar të agro-turizmit. Kjo mbështetje ofrohet për rreth 27 sipërmarrje agro-turizmi të reja dhe 150 bujtina.
E sa për turizëm rural me 3000 euro nuk besoj se ka nevojë të diskutohet. Mbase, ata që e kanë konceptuar këtë shpallje, kanë ide më të qarta se si mund ta realizojnë, le të urdhërojnë, kjo siç duket është një mashtrim i radhës për të gjithë ata që e kanë marrë seriozisht zhvillimin e turizmit rural, por me paketim të ri! (koha.mk)
(Autori është profesor universitar )