Qerim LITA
Në pjesën e dytë të viteve pesëdhjeta të shekullit të kaluar nga ana e disa intelektualëve shqiptarë u kërkua që shqiptarët kudo që jetonin të kenë një gjuhë të përbashkët letrare. Së shpejti ky problem u shtrua edhe në organet e atëhershme partiake e shtetërore të RFPJ-së në përgjithësi e ato të Kosovës e Maqedonisë në veçanti. Këta të fundit ishin më të interesuar që ky problem të gjej zgjidhje sa më parë, për arsye se mbi 95% të trevave shqiptare në RFPJ-ë shtriheshin pikërisht në këto dy zona. Autoritetet e atëhershme kosovare e maqedonase kishin arritur marrëveshje për botime të përbashkëta të librave shkollore në gjuhën shqipe si për ato të shkollave fillore tetëvjeçare, po ashtu edhe për shkollat e mesme, përkatësisht për gjimnazet dhe për shkollat normale. Gjatë këtij bashkëpunimi, në pah dolën dallimet midis dy palëve, në atë se në cilin dialekt duhet të botohen librat, në atë gegë, që praktikohej thuajse në mbarë hapësirën shqiptare në RFPJ-ë, në përjashtim të disa fshatrave të Strugës, zonën e Prespës e të Manastirit, apo atë toskë, i cili tashmë regjimi diktatorial i Enver Hoxhës e kishte shpallur si gjuhë letrare në mbarë hapësirën e shtetit shqiptar. Në informatën që Komisioni për pakica nacionale të LSPPM-së (Lidhja Socialiste e Popullit Punues të Maqedonisë), ia dërgoi në shtator të vitit 1955, Komisionit amë të LSPPJ-ë në Beograd, lidhur me botimet e përbashkëta të librave shkollore në gjuhën shqipe me Kosovën, ndër probleme tjera vihej në dukje edhe problemi i gjuhës. Në të ndër të tjerave shtrohej pyetja: “…a thua mësimin te ne duhet përpiluar në dialektin e kuptueshëm gegë, a thua pakica këtë dialekt duhet ta formoj e ndërtoj si gjuhë të veten letrare kombëtare, pa marrë parasysh atë se dialekti toskë në Shqipëri po formohet dhe konsiderohet si gjuhë letrare e kombit?”. Gjithsesi, thuhej në vazhdim të dokumentit se si i tillë, në radhë të parë ky është problem i vetë kombit shqiptar, çështje për të cilën vetë shqiptarët janë kompetent, për ta zgjidhur gjuhën e tyre letrare, mirëpo sipas tyre çështja nuk qëndronte në atë se “përmes ndonjë qëndrimi nga anash, shqiptarëve në RFPJ-ë t’ua përcaktojnë se cilin dialekt ata do ta mbështesin etj.”, por të “deklarohen në mënyrë parimore ndaj këtij problemi, që komunistët tanë të mos vijnë në pozita anti-historike, e me këtë edhe anti-nacionale në këndvështrimin e zhvillimit natyror të gjuhës letrare shqipe….”.
Çështja e gjuhës letrare shqipe për shqiptarët në Kosovë dhe në Maqedoni, u shtrua sërish në vitin 1959. Këshilli Ekzekutiv i KQ i LKM-së, në mbledhjen e mbajtur më 19 nëntor 1959, pasi e shqyrtoi problemin e gjuhës letrare shqipe, solli konkluzionin me këtë përmbajtje: “Çështja e gjuhës shqipe duhet të zgjidhet në mënyrë parimore. Këtu ka luhatje midis gjuhës letrare shqiptare dhe gjuhës së Kosmetit. Kjo çështje do të duhet të shtrohet edhe para KQ të LKJ-së dhe së bashku me shokët nga Kosmeti të zgjidhet. U shprehën mendime se nuk mund të shkohet në një gjuhë tjetër, përveçse gjuhës së shtetit amë”. Paraprakisht, Komisioni për pakica nacionale të LSPPM-së, kishte angazhuar një grup ekspertësh, me detyrë të hulumtoj çështjen e gjuhës letrare për shqiptarët e RSF të Jugosllavisë. Komisioni në përbërje: Dr. Petro Janura, Murteza Peza dhe Krume Jakovski, pas një pune disamujore, Konferencës së LSPPM-së ia dorëzuan një studim shkencor prej 63 faqesh me titull: “Problemi i gjuhës së vetme letrare të kombësisë shqiptare në Jugosllavi”. Në pjesën e parë të studimit vihej në dukje përpjekja e kamotshme të kulturologëve shqiptarë, si: Pjetër Bogdani, Konstatin Kristoforidhi, Jeronim Deradës, vëllezërit Frashëri, Aleksandër Gjuvani etj., për “zgjidhjen e këtij problemi”, mirëpo rrethanat “sociale, politike e kulturore” nuk kishin lejuar që ky problem të zgjidhet drejt “në interes të gjuhës dhe kulturës shqiptare”. Në fund të studimit, bëjnë një përmbledhje të shkurtë, përkatësisht rezyme, të procesit të zhvillimit të gjuhës shqipe, duke propozuar që shqiptarët kudo që jetojnë të kenë një gjuhë të vetme letrare, e ajo sipas tyre duhej të ishte gjuha letrare që zbatohej në RP të Shqipërisë. Studimi bashkë me rezymenë gjenden në Arkivin e Maqedonisë, dhe për shkak të hapësirës, e pamë të arsyeshme që për lexuesit e gazetës shqiptare KOHA – Shkup, ta botojmë vetëm përmbledhjen, përkatësisht rezymenë e studimit në fjalë.
* * *
“PROBLEMI I GJUHËS SË PËRBASHKËT LETRARE SHQIPE
Zhvillimi kulturor e letrar si dhe zhvillimi i përgjithshëm të një populli si parakusht të domosdoshëm e kërkon edhe zhvillimin e gjuhës letrare i cili duhet të jetë i përbashkët për të gjithë ata të cilët shfrytëzohen me të. Që në kohët e hershme, punëtorëve kulturor të Shqipërisë u ka interesuar ky problem dhe kanë bërë disa hapa për zgjidhjen e saj. Mirëpo, rrethanat sociale, politike e kulturore nuk kanë lejuar që ky problem të zgjidhet drejt në interes të gjuhës e të kulturës shqiptare. Përpjekjet nga Pjetër Bogdani në vitin 1685, të Dhimitër Kamadres në vitet 1864-65 dhe të Konstatin Kristoforidhi deri në vitin 1882 (me përkthimet e tij në të dy dialektet kryesore të gjuhës shqipe) të Jeronim De Radës, të vëllezërve Frashëri dhe të Komisionit Letrar në Shkodër – janë kryer përpjekjet e para serioze të cilat mbështeten mbi bazën shkencore. Në vitin 1917 u paraqitën disa hipoteza edhe atë: të Aleksandër Gjuvanit, hipoteza shkodrane, hipoteza kosovare e tjerë.
Problemi i gjuhës së përbashkët letrare shqipe nuk u zgjodh në tërësi, për arsye se shkencëtarët gjuhësor, vazhdimisht janë angazhuar, në radhë të parë, ta zgjidhin çështjen e prejardhjes së gjuhës shqipe për të cilën janë paraqitur hipoteza të ndryshme të cilat historikisht dhe gjuhësisht ishin kontradiktore, për arsye se ky problem nuk shihej objektivisht në dritën e realitetit historik, filologjik e linguistik. Kjo u kushtëzua nga ajo se shqiptarët konsideroheshin për Pellazgë. Mirëpo, kjo hipotezë është në kundërthënie të plotë me faktin historik dhe si e tillë ra përgjithmonë. Më pas u paraqit hipoteza, se shqiptarët kanë prejardhje nga Ilirët. Me këtë hipotezë u dakorduan pjesa më e madhe e linguistëve e historianëve, për arsye se mbështetet në më shumë fakte historike e gojore. Nisur nga kjo del se gjuha shqipe është gjuhë e vërtetë pos-iliriane. Më vonë paraqitet edhe hipoteza se gjuha shqipe është gjuhë thrake me ndikim ilire, kështu që sot mbisundon hipoteza se gjuha shqipe përbën simbiozën iliro-thrake, që nënkupton gjuhë e cila buron nga kjo simbiozë dhe si e tillë është me prejardhje iliro-thrake. Konsiderojmë, se ky problem i prejardhjes së gjuhës shqipe u përmbyll me atë kur u dëshmua, përgjithmonë se gjuha shqipe i takon familjes më të madhe të gjuhëve indo-evropiane. Përveç kësaj, zgjidhja e problemit të gjuhës së përbashkët letrare shqipe u pengua veçmas me atë, që kjo gjuhë, krahas dy dialekteve si kryesorët – gegërishtja dhe toskërishtja, ka edhe një sërë nëndialektesh dhe të folje e nënfolje të shumta lokale me partikularizma të shumta kështu që të gjitha së bashku e kushtëzuan vonesën e realizimit të gjuhës së përbashkët letrare për mbarë shqiptarët. Edhe pse struktura e gjuhës shqipe nga arsyet e këtyre nëndialekteve e të folmeve lokale me patrikularizmat e tyre, si duket jo të gjithë shqiptarët mund ta kuptojnë, ajo është gjuhë shumë e unifikuar, dhe koloriti i cili rrjedh nga këto të folme dhe nga patrikularizmat e të njëjtave, nuk u pengojnë shqiptarëve për t’u kuptuar midis veti pa ndonjë vështirësi të madhe. Kjo aq më tepër se morfologjia, duke mos i marr parasysh disa përjashtime, përkufizohet dhe unifikohet gradualisht. Fakti se ekzistojnë dallime fonetike midis këtyre dialekteve e nëndialekteve, nuk paraqet pengesë e cila nuk do të mund të përballohet, për arsye se edhe këto dallime nuk janë të larguara diametralisht. Dallimi kryesor është në atë që gjatë shprehjes dikund përdoret e folmja hundore. Mirëpo, gjatë shkrimit edhe këto dallime po unifikohen. Për sa më sipër, nuk do të kishte pengesa të mëdha për ata persona të cilët kanë kaluar përmes shkollave tetëvjeçare, ndërsa kjo pengesë do të paraqitej te njerëzit e pashkolluar. Mirëpo, sërish nuk është e tillë që të mos munden të kuptohen midis veti.
Faktori tjetër, i cili e ka ngadalësuar zhvillimin e gjuhës së përbashkët letrare janë, me keqardhje, mosmarrëveshjet dhe debatet midis intelektualëve e shkrimtarëve, të cilët janë përpjekur vazhdimisht që me fanatizëm të shkruajnë në dialektin e vendlindjes së tyre. Kështu u paraqitën vepra me të folmen lokale nga vendlindja e disa intelektualëve. Kjo krijimtari letrare shkakton dëmë të madh ndaj vetë zhvillimit të gjuhës shqipe. Sa për regjistrim: disa shkrimtarë gegë nuk kanë shkruar në dialektin e pastër të gegërërishtes, por kanë shkruar në nëndialektin e Shkodrës, Tiranës, Durrësit ose në atë të Elbasanit, Kosovës e të Dibrës. Për këtë arsye dialekti toskë është më i unifikuar, ndërsa ai gegë ka një sërë nënfolje e partikularizma.
Për vonesën e këtillë të zgjidhjes së problemit të gjuhës së përbashkët letrare ekzistojnë arsye objektive e subjektive. Konsiderojmë se arsyet objektive janë zvogëluar në prag të përfundimit të qeverisjes osmane kur filluan të hapen shkolla shqipe, mirëpo më shumë përbëjnë faktorët subjektiv të cilat gjenden në oportunizmin e shkrimtarëve dhe intelektualëve gegë të cilët janë mbyllur hermetikisht në dialektin dhe nëndialektet e tyre. Përkundër kësaj nuk mund të thuhet se nuk janë bërë përpjekje për realizimin e një gjuhe letrare të përbashkët nga ana e gegëve. Përpjekje të tilla pati te Luigj Gurakuqi, Migjeni etj., mirëpo ato përpjekje nuk ndihmuan për t’u formuluar një gjuhë e përbashkët letrare edhe pse shkrimtarët toskë kanë pranuar shumë forma të gegërishtes. Edhe pse tash më shkrimtarët shqiptarë bënë përpjekje, megjithatë ata nuk mund të fajësohen, për arsye se faktori kryesor qëndronte në regjimet në Shqipëri të cilat nga interesat e tyre i zyrtarizonin kohë pas kohe njërin dialekt apo tjetrin duke mos e marrë për bazë intersein e bazës. (Ky konkluzion më së shumti vlen për regjimin komunist e diktatorial të Enver Hoxhës, ku tash më është e qartë se ndikoi drejtpërdrejti që sot gjuha e unifikuar shqipe mbi 90% mbështete në dialektin toskë – Q. L.).
Ky problem pas çlirimit u bë më akute për t’u zgjidhur, në radhë të parë për fshatarët dhe punëtorët të cilët përmes kurseve të ndryshme aftësoheshin dhe zhvilloheshin gjithanshëm. Sot kur arsimi po zgjerohet me shkollim tetëvjeçar të detyrueshëm dhe kur punëtorëve u jepet mundësia të dëgjojnë ligjërata nëpër fakultete tona si kusht kryesor shtrohet çështja e unifikimit të gjuhës letrare shqipe edhe atë si problem themelor shoqëror.
Në Shqipëri, ky problem pas çlirimit filloi të studiohet – mësohet nga viti 1952 e këndej. Nga viti 1956 në përdorim u morr dialekti toskë për tërë territorin e Shqipërisë. Kjo rrodhi për arsye se dialekti toskë nuk ka shumë nëndialekte e që nuk pati dallime mes tyre. (E vërtetat është, se këtë dialekt e përdorte diktatori Enver Hoxha si dhe shumica e bashkëpunëtorëve të tij. – Q. L.). Për sa më sipër dialekti toskë është më universal dhe është i përafërt me të dy dialektet kryesore, për arsye se diftongu /ua/ përdoret në imperfektiv dhe në futurë, për shembull: punonja, do të punoj. Pastaj drejtshkrimi toskë është më universal se ai gegë. Prandaj gjuha shqipe sot shkruhet mbi bazën e drejtshkrimit të këtij dialekti. Ky drejtshkrim është pranuar edhe për drejtshkrim letrar në Jugosllavi për popullsinë shqiptare. Zgjidhja e këtillë për pranimin e këtij drejtshkrimi ndihmoi edhe në zgjidhjen e gjuhës letrare në Shqipëri. Ajo kontribuoi të mënjanohet anarkia në gjuhën letrare e cila ekzistonte deri në kohë të fundit edhe në Shqipëri. Me mënjanimin e kësaj anarkie e të laramanisë drejtshkrimore, u shtrua problemi për unifikimin e gjuhës letrare, kështu që nuk ishte e vështirë zgjidhja e saj. Sot ata kanë gjuhë të përbashkët letrare e cila nuk është ajo e Naim Frashërit por ajo toske e F. Nolit me premisa të gegërishtes. Që do të thotë se është bërë një kompromis në shumë pika të përbashkëta, e sidomos në përdorimin e zanores “ë”.
Një ndër kushtet për t’u pranuar dialekti toskë si letrare është në atë se në këtë dialekt ka literaturë më të zhvilluar. Ky dialekt është përdorur nga shkrimtarët më të mëdhenj shqiptarë dhe nga pjesa më e madhe e shkrimtarëve nga Shqipëria. Pastaj, rilindja kulturore e letrare të këtij dialekti përfshinë hapësirë më të madhe nga territori i Shqipërisë (Mirëpo pjesa dërmuese e trevave shqiptare nën pushtimin e RSFJ-së e përdornin dialektin e gegërishtes, në përjashtim të katër fshatrave të zonës së Strugës (Ladorishtë, Frangovë, Kalishtë dhe Zagërçan), si dhe të vendbanimeve shqiptare të zonës së Prespës e të Manastirit, të cilët përdorin dialektin e toskërishtes – Q. L.). Gjithashtu edhe përpjekjet më serioze për hartimin e abetares së parë, kanë prejardhje nga ky dialekt. Përveç kësaj, duhet të kihet parasysh se, dialekti toskë është më figurativ se sa ai gegë dhe ka fjalor më të mirë nga fusha e bujqësisë dhe ekonomisë. Te ne në Jugosllavi nuk është ralizuar problemi i unifikimit të gjuhës. Kjo ka ardhë nga arsyet se pas çlirimit përnjëherë u zhvillua rilindja kulturore te ne në të gjitha zonat e edhe atë kryesisht në nëndialektin kosovar edhe atë për të gjitha zonat në RFPJ-ë ku jetojnë shqiptarët (QAKM-së, RPM dhe Republika Popullore e Malit të Zi).
Nëse i bëjmë një vështrim kësaj gjuhe do të shohim se ai nuk është i unifikuar në të gjitha zonat porse zhvillohet sipas dialekteve. Shqiptarët në Prizren kanë nëndialektin e tyre, gjithashtu edhe ata të Kosmetit: më tej nëndialekti kumanovarë, preshevarë dhe dibranë. Të gjitha këto nëndialekte bazohen te dialekti gegë. Vetëm zona e Prespës dhe e Manastirit me disa fshatra të Strugës, flasin vetëm në dialektin toskë.
Nga kjo shihet se ekzistojnë dallime të veçanta të gjuhës së shqiptarëve nga Kosmeti dhe të atyre nga RS e Maqedonisë. Gjithashtu duket se ekzistojnë dallime të mëdha midis këtyre dy dialekteve që të mund të zgjidhet problemi i gjuhës së përbashkët edhe për shqiptarët në RFPJ-ë ashtu siç është zgjidhur në Shqipëri.
Ne propozojmë që edhe shqiptarët në Jugosllavi ta përdorin një gjuhë letrare të përbashkët – ai i cili përdoret në Shqipëri. Për një propozim të tillë kemi sqarime të shumta në analizë si dhe nga kjo shkëputje të asaj analize. Kryesisht për shkak asaj se në Shqipëri disa shkrimtarë gegë edhe pse shkruajnë në atë dialekt sërish 90% kanë premisa toskërishte ose thënë më saktësisht është gjuhë e përbashkët letrare e cila sot përdoret në Shqipëri.
Propozojmë që gjuha letrare në Shqipëri të vendoset edhe në territorin tonë, për arsye se thuajse të gjithë intelektualët tanë ose thënë më drejtë do të duhej ta njohin për arsye se janë shfrytëzuar me atë gjuhë. Në dialektin toskë janë publikuar në disa botime libra të ndryshme nga vlera artistike (për shembull veprat e Shekspirit, Shilerit, Gorkit, Bllashko Ibanez, Sterjo Spase etj.). gjithashtu edhe librat tona kanë materie të përzier nga anët e ndryshme të shkrimtarëve si për shembull: Edgar Allan Po, Omer Kajami, Servantes, Dikens, Llav Tollstoj, pastaj pjesë nga shkrimtarët shqiptarë të cilët mësohen në shkollat tona në Jugosllavi si: Muhamet Çami, Hasan Zuko Kamberi, Kristoforidhi, Gavril Dara, Pipi, De Rada, Serembe, Naim Frashëri, Çajupi, Asdreni, Ali Asllani, Fan Noli etj. Pra numri më i madh i veprave të shkrimtarëve të cilat vepra mësohen në shkollat tona janë të shkruara në dialektin toskë, përkatësisht në atë gjuhë letrare. Nisur nga kjo intelektualët e ri shqiptarë në Jugosllavi jo vetëm se e njohin gjuhën toskërishte letrare, por ata janë të formuar si të tillë. Intelektualët me të mund shumë lehtë të shfrytëzohen në shkruarjen e veprave të tyre si shkrimtar, punëtor të arsimit nëpër shkolla, gazetarët nëpër gazeta, radio, zyre dhe atje ku është e domosdoshme.
Duke propozuar që gjuha letrare shqipe të futet edhe për shqiptarët në Jugosllavi, e kemi parasysh faktin se drejtshkrimi i cili sot përdoret në librat dhe shkollat shqiptare, si dhe në radio-emisionet bazohet në atë laramani që ekzistonte më herët. Nëse do të futej gjuha e përbashkët letrare do të ishte e një dobie shumë të madhe në radhë të parë për zhvillimin e vetë gjuhës, e pastaj për nxënësit sepse ai cili sot përdoret në shkollë nga ana e nxënësve dhe nga pjesë e madhe e punëtorëve të arsimit e intelektualëve, nuk është as letrare e as nëndialekti kosovar por nëndialekt me partikularizma lokale. Gjuha letrare nuk lejon të ketë lokalizma kur për to nuk ka nevojë. Është koha që të gjithë shqiptarët në Jugosllavi të shfrytëzohen me gjuhën letrare – pa laramani. Në këtë kuptim përbëhet edhe ky propozim”.