Zejnulla VESELI
Shkup, 26 mars – Mjetet buxhetore për Ministrinë e Shëndetësisë nga viti në vit rriten kështu që për pesë vitet e fundit investimet janë rritur për 3.7 miliardë denarë apo 60 milionë euro, ndërsa në anën tjetër qytetarët e Maqedonisë ballafaqohen më shërbime katastrofale që ofrojnë spitalet dhe klinikat shtetërore, shkruan gazeta KOHA. Kështu rezulton analiza e Institutit për hulumtime ekonomike dhe politike “Finance Think”. Sipas kësaj analize, pjesën më të madhe të parave nga buxheti, Ministria e Shëndetësisë i harxhon për financimin e tre programeve kryesore: për investime kapitale, mbrojtje shëndetësore preventive dhe mbrojtje shëndetësore kurative. Shëndetësia kurative parasheh masat për shërimin e sëmundjeve të caktuara dhe preventive apo përmirësimin e shëndetit të popullatës, në veçanti për kategori njerëzish të prekur. Analisti ekonomik, Ivan Vëçkov nga “Finance Think”, vlerëson se edhe përkundër rritjes së financave të buxhetit të Ministrisë së Shëndetë- sisë, në pesë vitet e fundit janë shënuar ndryshime të rëndësishme sa i përket strukturës së harxhimeve. “Më saktë deri në fund të vitit 2012 prioritet ishin investimet kapitale dhe 40 për qind e këtij buxheti ka shkuar për financimin e investimeve kapitale, si rikonstruimi i shtëpive publike të shëndetit, blerja e pajisjeve mjekësore si dhe ndërtimi i klinikave të reja. Mirëpo, nga viti 2012 e deri në fund të vitit 2015, edhe pse kemi rritje të buxhetit për Ministrinë e Shëndetësisë, në vitin 2015 kemi ulje të investimeve kapitale të cilat janë vetëm 21 për qind nga buxheti total për vitin 2015. Pra, për pesë vitet e fundit për mbrojtje të shëndetësisë kurative, shpenzimet janë rritur për 43 për qind”, thotë Vëçkov. Sipas tij, kur kemi tendencë të rritjes së vazhdueshme të shpenzimeve për të realizuar programet, lë përshtypje pozitive se po investohen ne shëndetësi, por kur shohim se sa këto investime kanë ndikuar në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore te popullatës, vërejmë probleme të shumta që shumë qytetarë më vështirësi kanë qasje deri të shërbimet cilësore, për shkak të rritjes së harxhimeve në buxhetin familjar. “Shërbimet mjekësore që ofrojnë spitalet dhe klinikat shtetërore jo vetëm që nuk i plotësojnë nevojat e qytetarëve, por të gjitha shërbimet që ofrohen janë katastrofale për pacientët”, thotë Vëçkov. E gjithë kjo, sipas tij, tregon qartë se edhe përkundër investimeve në shëndetësi, analiza e disa indikatorëve tregon përkeqësim të shërbimeve shëndetësore. “Qasja deri te shëndetësia primare, gjegjësisht qasja deri të spitalet shtetërore, mjekët dhe ambulancat që kryejnë shërbime ditore janë zvogëluar për 88 për qind në vitin 2015. Në anën tjetër, edhe pse klinikat dhe spitalet shtetërore janë institucionet kryesore ku mjekohen më se shumti qytetarët, katër vitet e fundit 18 për qind e qytetarëve i vizitojnë spitalet private”, thotë Vëçkov. Ai njëherit sqaron se në mënyrë plotësuese harxhimet mujore për shëndetin për një familje katër anëtarësh arrijnë shifrën prej 1248 denarë dhe janë rritur për 168 denarë krahasuar me vitin 2015. “Sipas të dhënave të Bankës Botërore, harxhimet plotësuese shëndetësore si përqindje nga harxhimet totale për shëndetësi, kapin shifrën prej 36.7 për qind apo një e treta nga harxhimet e përgjithshme për shëndetësi që popullata paguan nga xhepi në bazë të harxhimeve plotësuese të qytetarëve”, thotë Vëçkov. Ai shton se për 10 vite përqindja mujore e kontributeve për sigurim shëndetësor është rritur për 38 për q ind. “Një bujk për kontribute shëndetësorë në muaj mesatarisht paguan më pak, ndërsa shfrytëzon më shumë shërbime shëndetësore. Në anën tjerë, një i punësuar paguan më shumë kontribute për sigurim shëndetësor, ndërsa shfrytëzon më pak shërbime. Një bujk brenda një muaji paguan kontribute për sigurim shëndetësor në vlerë prej 447 denarë, ndërsa shërbimet që i shfrytëzon brenda një muaji kapin vlerën prej 1.953 denarë. Për një të papunësuar shteti paguan 881, ndërsa shfrytëzohen 1.492 denarë. Një pensionist paguan 1.788 denarë, ndërsa shfrytëzon shërbime mjekësore në vlerë prej 1.993 denarë. Në anën tjetër, një i punësuar kontribute për sigurim shëndetësor paguan 2.383 denarë, ndërsa shfrytëzon më pak shërbime mjekësore në vlerë prej 1349 denarë”, thotë analisti ekonomik Ivan Vëçkov nga “Finance Think”.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara