Delvinë KËRLUKU
Shkrimtari Fejzi Bojku ka lindur më 24 mars të vitit 1937 në Veleshtë të Strugës. Me krijimtari origjinale e me përkthime nisi të merret qysh kur ishte në bankat e shkollës së mesme dhe bashkëpunoi me revistat për fëmijë në Shkup e Prishtinë, si në “Fatosi”, “Gëzimi”, “Pionieri”, shtojca “Shkollari” etj, punë së cilës iu përkushtua gjatë tërë jetës duke botuar mbi pesëmbëdhjetë përmbledhje me vjersha, tregime e shkrime të tjera. Gjatë tri dekadave të punës së tij si redaktor përgjegjës me këto dy revista bashkëpunuan me vite shumë emra të cilët tani i njohim si shkrimtarë të dalluar. Fryt i punës disavjeçare janë librat e tij: “Lulet e para” (vjersha, 1969) “Zilet shkollore” (vjersha dhe tregime, 1971), “Këngët e shkronjave” (vjersha, 1972, me bashkautor poetin Ali Huruglica), “Shtatori i një fëmijërie” (tregime, 1973), “Hyri vallja në shtëpi” (vjersha, 1977), “Ngjyrat e qiellit tim” (vjersha, 1977), “Flutura të bardha” (1980), “Fjalë e valë” (vjersha, 1987), dhe pasi u pensionua: “Tungjatjeta vjeshtë” (vjersha, 2002), “Çfarë i falëm ditës” (vjersha, 2002), zgjedhjen “Sa është ora” (2002), “Tregimet e babait” (2006) etj. Një ndihmesë të vyeshme ka dhënë veçanërisht me përkthimin e pesëdhjetë librave për fëmijë dhe të rritur, duke përzgjedhur libra me poezi, me tregime e romane dhe duke i përkthyer e shqipëruar nga maqedonishtja, serbokroatishtja dhe nga gjuhët e huaja, kryesisht nga frëngjishtja, krijimet më të mira nga kolosët botërorë. Në vazhdën e kësaj pune, vend te veçantë zënë dy libra: “Mirë për të gjithë” (përmbledhje me tregime nga shumë autorë botërorë) dhe “Ti e ke zemrën time” (përmbledhje me rreth 270 poezi, të mbi 250 autorëve botërorë). Anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Maqedonisë është nga viti 1976. Nga viti 1950 e këndej, përveç dy tri viteve në arsim dhe shërbimit ushtarak, Fejzi Bojku jeton, mëson dhe punon në Shkup. Nga 1 janari 1993 e këndej vazhdon të jetojë (dhe punojë) si pensionist në Shkup.
KOHA: Çifti krijues Mehmedali Hoxha – Fejzi Bojku për një kohë të gjatë ka dominuar në pjesën e letërsisë për fëmijë në Maqedoni. Sa i keni dhënë njëri tjetrit në fushën e ideve, motiveve…?
BOJKU: Në vitin tani të largët 1955, pas mbarimit të Shkollës Normale “Liria” në Shkup, tre vite i kalova si mësues në vendlindjen time, në Veleshtë të Strugës. Një ditë të verës së vitit 1959, Ali Aliu, një shok i jetës sime, me një kartolinë më lajmëronte se do të ishte mirë të shkoja gazetar në “Flaka e vllaznimit” ku ai punonte pas kryerjes së studimeve. Përpiqem të shprehem shkurt: erdha në “Flakën” javore ku punonin nja 10-12 gazetarë kryesisht të rinj, që kishin kryer ndonjë shkollë të mesme. Punova sa e si dija si lektor, gazetar i arsimit dhe kulturës, si drejtues i faqeve për fëmijë… çdo gjë që kërkonte puna…Pas katër vitesh, më 1964, me kërkesën e shkrimtarit të njohur dhe themeluesit të revistave për fëmijë, Mehmedali Hoxha, duhej të kaloja si redaktor i revistave të njohura mujore : “Fatosi “ dhe “Gëzimi”, të cilat ai i kishte përgatitur me plot vullnet dhe pasion. Redaktori aso kohe ishte edhe drejtor i Sh.B. “Detska radost”, e cila botonte revista, gazeta, edicione librash aq të nevojshme, në maqedonisht, shqip dhe turqisht. U desht që barra e revistave shqipe të binte mbi shpinën time, por ndihma dhe përkrahja e atij që i kishte themeluar dhe kishte korr suksese të dukshme nuk mungoi as atëherë dhe as më vonë, gjatë punës sonë të përbashkët afro 30 vjeçare! Si përgjigje në pyetjen tuaj – çifti krijues Mehmedali Hoxha – Fejzi Bojku që ka dominuar për një kohë të gjatë në letërsinë për fëmijë në Maqedoni… punoi me shumë vullnet e dashuri të “rrëmbyer” nga nevojat dhe idealet e një kohe e cila është vështirë të kuptohet nga lexuesit e sotëm dhe është e vërtetë se i dhamë dhe i morëm shumë njëri tjetrit, jo vetëm në fushën e ideve, motiveve…?
KOHA: Ju keni lënë shumë “nxënës” edhe si edukator, do të ishte me interes të na flisni për gjeneratën që “krijuat”, por edhe për “mësuesit” tuaj?
BOJKU: Në 10 vitet e para shumica e punimeve dhe e vjershave dhe tregimeve në revista ishin të përkthyera, sepse ende disi vazhdonte lufta kundër analfabetizmit, vepronin kurset e para pedagogjike për mësuesit e parë. Me kalimin e kohës, në dekadën e viteve gjashtëdhjetë bënë ballë penat e reja krijuese, filloi të shtohet numri i punimeve origjinale. Filloi të shtohet edhe numri i nxënësve që bashkëpunonin me revistat; erdhi duke u shtuar edhe tirazhi që arrinte në 8-9000 kopje në Maqedoni dhe Kosovë. Nga 2-3 pena të fillimit u shfaqën autorët e parë dhe veprat e shkrimtarëve nga Maqedonia dhe Kosova, disa nga të cilët veprat e para në vitet 1965-1970 i botuan në edicionet e para botuese, që vepronin me nga 10 tituj në vit pranë secilës revistë. Më vonë numri i punimeve të autorëve tanë u bë dukshëm më i madh; u shtuan bukur shumë paraqitjet e nxënësve të shkollave tona dhe me këtë vazhdimisht rritej interesimi dhe dashuria ndaj revistave, rritej numri i lexuesve dhe ne me durim, vullnet dhe kujdes të madh i lexonim dhe zgjidhnim për botim më të mirët…Shumica e atyre që u bënë shkrimtarë, gazetarë, profesorë të njohur kanë kaluar dhe janë rritur nëpër faqet e revistave dhe edicioneve tona botuese. Sa për “mësuesit” tanë… të paktë ishin shkrimtarët që jetonin dhe mund të ndikonin nga Shqipëria jonë “e mbyllur”, por kishim fatin të lexojmë dhe mbase diç të mësojmë nga shkrimtarët në republikat tjera jugosllave dhe shkrimtarët botërorë.
KOHA: Gëzimi dhe Fatosi janë sinonim i karrierës Suaj, sa ndjehet ky boshllëk në shkollat tona, por edhe në fushën e botimit të revistave?
BOJKU: Gëzimi dhe Fatosi nuk janë sinonim vetëm i karrierës sime, por edhe i karrierës së shumicës së shkrimtarëve, të cilët janë emra të njohur në antologjitë e poezisë dhe prozës jo vetëm për fëmijë dhe jo vetëm në Maqedoni… Ky boshllëk, ndërprerja apo mosdalja e tyre është një gabim shumë i madh për të gjithë ne, e posaçërisht i atyre që udhëheqin dhe vendosin për arsimin dhe kulturën tonë. Mbase, për fatin tonë jo të mirë, kemi shumë intelektualë, madje njerëz me tituj shkencorë, krijues e artistë të cilët, me gjasë, nuk shqetësohen për shumë çështje të rëndësishme të kulturës, gjuhës, krijimtarisë sonë…
KOHA: Shkruani poezi, tregime, por edhe keni përkthyer shumë. Ku e ndjeni veten më rehat?
BOJKU: Janë afër 60 vjet nga fillimet e mia dhe mbase kontributi im nuk është në proporcion me dëshirat e mia dhe nevojat tona reale. Nja 15 vepra në poezinë dhe prozën për fëmijë dhe të rinj (nga të cilat disa me dy-tri ribotime), nja 50 vepra të përkthyera nga autorë të njohur të republikave ish jugosllave dhe ata botërorë… Nja dhjetë zgjedhje antologjike dhe …Veten ende e ndjej shumë mirë kur lexoj dhe shkruaj apo përkthej diçka që ma lehtëson dhe zbukuron ditën.
KOHA: Njiheni si poet dhe prozator për fëmijë dhe të rinj, përkthyes, eseist. Si ishin fillimet e shkrimit tuaj artistik?
BOJKU: Fillimet…Në shkollën e mesme kishim një grup letrar. Çdo muaj ne anëtarët mblidheshim, lexonim dhe bisedonim për punimet e para. Dikur si mësues, shkruaja do vjersha dhe proza për të cilat ndërronim mendime ne disa krijues entuziastë në shkollën e Veleshtës. Por, librin e parë poetik “Lulet e para” pata guximin ta botoj në vitin 1968. Kuptohet se puna në revista ishte rrethanë favorizuese për veprat e mia që pasuan.
KOHA: Fëmijëria e shkrimtarit është në veprat e tij?
BOJKU: Duke qenë mësues, edukator, më pas profesor i gjuhës dhe letërsisë, dhe sidomos prind dhe redaktor i revistave me të cilat çdo vit i kalonim dhjetëra shkolla dhe atje bisedonim për revistat, letërsinë, pra edhe takimet me nxënës e mësues nëpër qindra shkolla…aty pra lindi dhe u zhvillua dashuria për krijimtarinë, letërsinë, fjalën e bukur artistike në gjuhën e bukur dhe të pasur shqipe. Ndryshe, që thoni Ju, në librat e mi është vetëm një pjesë e fëmijërisë sime…
KOHA: Fëmijëria, rinia juaj ka ecur nëpër shumë qytete. Keni lindur në Strugë, keni vazhduar të jetoni në Shkup, në Prishtinë dhe një kohë në Beograd. Këtë “udhëpërshkrim” si mund të na e përshkruani pak më ndryshe?
BOJKU: Pa dyshim vendlindja ime, Veleshta dhe Struga e bukur dhe magjike e fëmijërisë sime, do t’i ketë lënë gjurmët më të thella të frymëzimit tim…Edhe Shkupi dhe fshati Saraj ndërmjet dy lumenjve, Vardarit dhe Treskës, ku kalova 30 vite të jetës, në mënyrë jo aq të hetueshme kanë lënë kujtimet dhe mbresat frymëzuese…Po ta përshkruaja këtë “udhëpërshkrim” do të duhej një sipërfaqe diç më e madhe e gazetës, por mbase do të ishte e tepruar në këto vite kur njerëzit, madje dhe nxënësit, studentët dhe intelektualët libër të vetëm e kanë celularin, për mua sa të nevojshëm aq edhe dëmtues…
KOHA: Keni “pasardhës – trashëgimtar” krijues në familje. Është kjo ndjenjë e veçantë? U bën krenar ky fakt?
BOJKU: Nuk e kam lehtë të përgjigjem në këtë pyetje. Një vit para se bija ime sugare Lira ta botonte përmbledhjen e tregimeve të shkurtra dhe dy-tre poezive me titull “Këpucët e kuqe”, i cili u vlerësua lartë nga dy shkrimtarë dhe kritikë të njohur të letërsisë sonë, kritiku dhe akademiku Ali Aliu dhe shkrimtari dhe publicisti i njohur Kim Mehmeti, unë si prind, si baba i saj, nuk e kisha njohur aq mirë talentin e veçantë dhe forcën shprehëse artistike të bijës sime…Tregimet e saj të botuara e ribotuara nëpër portale zgjuan interesim të madh tek lexuesit dhe vlerësuesit e letërsisë…Paraqitjet e saj në manifestime e takime letrare, përcjelljet nëpër gazeta e televizione i përjetoj me do emocione që është vështirë të definohen…Vërtetë është ndjenjë e veçantë të kem trashëgimtar “krijues letrar”; nuk mund të mos them se ndjehem krenar dhe njëkohësisht se disi druhem nga detyrat dhe përgjegjësitë jo të pakta dhe jo të vogla që Lira ia ka “ngarkuar” vetvetes.
KOHA: Struga për kokë banori, ka shumë krijues (jo vetëm shkrimtarë). Doni ta komentoni këtë të dhënë?
BOJKU: Para tre vitesh i hyra punës të bëj një zgjedhje antologjike për poezinë shqipe për fëmijë në Maqedoni, nga fillimet deri në ditët e sotme. Dhe një të tillë për prozën… Detyrë jo e lehtë, sidomos kur këto dy vepra ishin në kuadrin e 130 veprave të zgjedhura letrare në Maqedoni nga fillimet deri në kohën e sotme. Dhe si ishte përfundimi? Nga 13 poetë të letërsisë për fëmijë, 8 dolën struganë e më drejtë 7 prej tyre veleshtarë. Vetëm kur e pashë se këta shtatë ishin edhe në zgjedhjet dhe antologjitë e botuara edhe në Tiranë e Prishtinë, i thashë vetes le të mendojë dikush, po të dojë, se i kam favorizuar veleshtarët…Mirëpo, ndryshe si është dhe duhet të jetë, nga Struga me rrethinë mund të numërojmë edhe nja 10 shkrimtarë të tjerë, pa i përmendur këtu krijuesit e profileve të tjera… Ndoshta Liqeni dhe Drini i kanë “fajet”!
KOHA: Krijimtaria juaj është e lidhur me shkollën dhe nxënësit. Cili është rrugëtimi i juaj i shkollimit?
BOJKU: Në një farë mënyre shkolla dhe nxënësi janë temë bosht i poezisë dhe prozës sime për fëmijë. Shkolla pra, çerdhja e dritës, gëzimit, lumturisë, e ecjes sonë më të shpejtë dhe më të sigurt përpara, e vendit të merituar të shqiptarit në Europë dhe në botë janë pra dhe përqendrimi, preokupimi, angazhimi im njerëzor dhe artistik. Sa ia kam arritur qëllimit në këtë drejtim, këtë e kanë vlerësuar lexuesit e shumë brezave të shkollarëve, të armatës më të madhe, më të bukur, më të ndritur të jetës, por edhe të atyre që kanë vlerësuar veprën time… Rrugëtimi im i shkollimit?! Po unë tërë jetën kam qenë dhe ende jam nxënës, shkollar. A ka gjë më të mirë, më të bukur, më njerëzore se sa dituria, shkolla?! Sa figura artistike, fjalë dhe shprehje të zemrës, vullnetit, për ecjen e vazhdueshme me synime të larta dhe fisnike në drejtim të asaj që begaton dhe fisnikëron jetën…Shkollimi i brezit tim filloi pas Luftës, në kohën kur këndej u çelën shkollat e para në gjuhën shqipe, kur luftohej kundër territ që me shekuj kishte kapluar botën tonë të shkelur nga ata që kanë dashur të na mbajnë në terr, si shërbëtorë të tyre. Pas katër klasave të fillores që i kreva për dy vjet, pasoi progjimnazi i Strugës, garat e vazhdueshme për më shumë dritë dhe dije. Në vitin 1950 u regjistrova në Shkollën Normale në Tetovë me dëshirën e flaktë që edhe unë të bëhesha si mësuesi im i adhuruar i cili ngrohte dhe ndriçonte si dielli; fjalët e të cilit ishin melhem për shpirtrat e ne vogëlushëve që ishim mbledhur të mësojmë në shkollën e qytetit…Dikur më vonë, krahas punës si mësues kreva Shkollën e Lartë pedagogjike, grupin e frëngjishtes me maqedonishten dhe pas disa vjetësh pune si gazetar në “Flaka e vëllazërimit” dhe më pas si redaktor i revistave për fëmijë, ende si student me korresponcdencë kreva gjuhën dhe letërsinë shqipe në Katedrën e Albanologjisë në Shkup, pastaj një shkollë njëvjeçare të gazetarisë në Beograd, do studime postdiplomike etj. Gjithnjë duke punuar, duke mësuar e studiuar… Jo vetëm unë kështu, por shumë shokë të gjeneratës sime… Të mos e teproj me lavdërime, mos keqkuptohem, por ata që më njohin e dinë mirë sa e kam dashur dhe sa e dua shkollën, dijen…
KOHA: Z. Bojku i takoni klasikës së letërsisë shqipe, për fëmijë dhe të rinj. Mendoni se letërsia shqipe duhet të jetë e unifikuar, duke pasur parasysh se çdo shtet ka shkrimtarët e vet?
BOJKU: Që i takoj klasikes së letërsisë shqipe për fëmijë dhe të rinj, këtë e kanë thënë disa kritikë letrarë dhe kjo më bën nder. Ndërkaq, ata që janë marrë me veprën time kanë thënë se shprehja ime, stili dhe gjuha ime në përgjithësi i ka format dhe kuptimin e shprehjes së re, bashkëkohore. Se kombinimi i artistikes me pedagogjiken ka ardhë si gërshetim i natyrshëm. Pas epokës së rëndë të monizmit dhe diktaturës, pas atij izolimi absurd dhe tejet të dëmshëm, u krijuan mundësi reale më parë për gjuhë të unifikuar letrare, pastaj për letërsi të unifikuar, për tekste shkollore, për bashkim dhe unifikim të vlerave shpirtërore, artistike, kulturore, materiale etj, etj, të ne shqiptarëve që jetonim dhe ende jetojmë të ndarë në 4 a 5 shtete. Nuk ka kurrfarë arsye dhe pengese për të vepruar më shpejt në këtë drejtim. Pak më shpejtë pra, dhe më ndryshe.
KOHA: Te vepra “Tregimet e babait” janë rrëfimet e babait. Një rikujtesë e mirë mbi ndërlidhjen në mes brezave, duke u lejuar anëtarëve më të moshuar të bashkësisë që historitë e tyre dhe mësimet e jetës t’ua tregojnë brezave të ri. Ç’do t’i shtoni këtij cikli?
BOJKU: Lexuesi i “Tregimet e babait” e di mirë se nuk kam çfarë t’i shtoj këtij cikli. E kam përsëritur disa herë se tregimtarë popullor të panumërt kanë shkuar dhe kanë marrë me vete pasurinë e tyre shpirtërore nga shkaku se ne punët e sotme i lëmë për nesër, për t’ia dhuruar harresës…Unë e zgjodha dhe e përpunova artistikisht vetëm një pjesë të asaj pasurie të madhe të tim et, ashtu si më kishin ngelur në kujtesë. Çdo tregim i tillë kërkon qasje dhe ka mundësi të ndryshme interpretimi, komentimi…Pagova pra një pjesë të borxhit që më përcillte me vite, duke pasqyruar disi jetën dhe filozofinë e brezave të paraardhësve tanë.
KOHA: Cili është mendimi juaj në lidhje me zhvillimin e letërsisë për fëmijë në vite?
BOJKU: Besoj se pyetja i referohet letërsisë shqipe për fëmijë dhe të rinj në suaza kombëtare. Dhe sa i përket çështjes sasiore apo kuantitative mund të themi se si një popull relativisht i vogël siç jemi ne, ka , sipas Leksikonit Shkrimtarët shqiptarë për fëmijë (1872 – 1995) të shkrimtarit të madh Odhise Grillo, ka pra rreth 530 autorë, të cilët kanë botuar libra në harkun e 123 vjetëve, numër pra befasues autorësh dhe veprash. Kjo do të thotë se bëhet fjalë për një popull që ka dhënë shumë shkrimtarë. Në këtë numër janë përfshirë edhe autorë të njohur të cilët veç tjerave kanë botuar së paku një libër për fëmijë. Është e ditur se kuantiteti nuk shënon imperativisht kualitetin, që do të thotë se kemi vepra të rangut të letërsive të njohura në botë dhe vepra të cilat sjellin edhe jovlera, apo libra që nuk janë për fëmijët e kohës sonë. Në një zgjedhje antologjike të poezisë për fëmijë në Maqedoni, të botuar nga Qeveria në kuadrin e 130 veprave letrare, vepër kjo që u botua shqip e më vonë e përkthyer e rikënduar në maqedonisht nga autori i kësaj interviste, e në anglisht në vitet 2008 – 2012, kam konstatuar se në vitet e 50- ta kemi pasur vetëm dy autorë, në gjysmën e dytë të viteve të 60-ta atyre iu bashkuan edhe 5 autorë, që në vitet e 80- ta të paraqiten edhe 5 autorë të tjerë me vepra dhe vlera të reja, dhe pas viteve 90 e më pas të radhiten emra dhe vlera të reja. Në listën e autorëve që kanë botuar një e më shumë tituj për fëmijë, mund të shënohen mbi 50 emra, pa dhënë vlerësime për shkallën e vlerave artistike. Letërsia shqipe për fëmijë ka vepra dhe autorë të dëshmuar, vepra që janë përkthyer e mund të përkthehen edhe në gjuhët tjera duke qenë të barabarta me veprat e autorëve të njohur.
KOHA: Sa e vështirë është përgjegjësia e të shkruarit për fëmijët?
BOJKU: Mendimet teorike janë të llojllojshme dhe shpesh me plot kundërthënie. Ka teoricienë që nuk pranojnë ndarje të letërsisë sipas moshave, por se ka letërsi të mirë dhe letërsi jo të mirë, pa vlerë…Kjo temë nuk trajtohet dot edhe në një gazetë të tërë. Ndërkaq dihet se edhe grupmoshat e fëmijërisë kanë aftësitë, nevojat që autori të ketë parasysh se çka mund të kuptojnë e mësojnë fëmijët, çka dhe si mund t’ua afrojmë atë, cili është fjalori i tyre përshtatur aftësive të zhvillimit psiko-fizik të moshës së caktuar dhe plot çështje të tjera të ndjeshme lidhur me edukatën dhe arsimimin e tyre…
KOHA: Sipas jush, sa ndikon letërsia për fëmijë në edukimin e brezave të rinj?
BOJKU: Sipas meje jo vetëm letërsia për fëmijë por edhe folklori popullor e posaçërisht përrallat ndikojnë jo pak në edukimin e fëmijëve. E kam fjalën për përrallat me vlera artistike dhe edukative dhe jo për ata që ndikojnë keq te fëmijët.
KOHA: Ka ndryshuar në vite interesimi apo bashkëpunimi me prindërit për kultivimin apo nxitjen e vëmendjes së fëmijëve ndaj librit?
BOJKU: Për fatin tonë jo të mirë, kanë ndryshuar shumë gjera, por edhe në drejtim negativ. Ka ndryshuar kopshti dhe çerdhja, shkolla fillore dhe arsimi në të gjithë shkallët. Nuk janë të mjaftueshëm edukatorët, arsimtarët, profesorët e nevojshëm për detyrat që shtron shekulli i teknikës dhe komunikimeve të reja…Në pyetje është edhe nota edukative e arsimit, shkollës, familjes. Për këtë jemi të vetëdijshëm, por, me gjasë jo të aftë të ndryshojmë gjendjen. Vorbulla, dinamika e kohës e bën të vetën jo vetëm në drejtim pozitiv dhe afirmativ…Dihet se fëmijët e vegjël sa orë në ditë rrinë para televizorit, kompjuterit apo llaptopit, me celularin në vesh e para syve. Disi çdo gjë kalon shumë shpejt pa lënë gjurmë në mendjen, ndjenjat dhe shpirtin e njeriut…Besoj se nuk do të kuptohet se jam kundër teknikës, teknologjisë që me hapa të shpejt po kaplon botën.
KOHA: Shumë kujt, kur i përmendet pensionimi, ndjehet keq. Ju prej kohësh e jetoni këtë “privilegj”. Është përparësi apo pengesë për krijuesin pensionimi?
BOJKU: Po, pikërisht ashtu: Shumëkush ndjehet keq kur i përmendni pensionimin. Po për krijuesin pensionimi është përparësi. Gjatë këtyre viteve kënaqa kërshërinë dhe nevojën time për të lexuar gjithë ato vepra që nuk i lexoja dot gjatë kohës së punës. Shkrova, përktheva shumicën e veprave. Fitova disa mirënjohje dhe çmime të larta për arritjet në fushën e kulturës dhe artit. M’u përkthyen dhe botuan 3-4 zgjedhje poetike në maqedonisht, malazezisht, turqisht, anglisht…Zoti kur e krijoi njeriun, sipas meje, ia dha detyrën që të punojë dhe të mësojë. Që kështu më lehtë të kalojë jetën, e cila nuk është vetëm livadh me lule.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.