Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, arrestuan shtetasin Ferdinant Rukaj, 52 vjeç, banues në lagjen “Kryengritja e Fierit”. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi një ditë më parë, rreth orës 15:45, dyshohet se ka hedhur nga dritarja e tualetit të banesës, e cila ndodhet në katin e katërt të pallatit ku jetonin, bashkëshorten e tij, shtetasen Liljana Ruko, 43 vjeçe, e cila ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Deri në orët e vona të mbrëmjes, policia ende nuk e kishte të qartë nëse bëhej fjalë për ngjarje aksidentale apo vrasje. Pas marrjes së dëshmisë së 53-vjeçarit, policia ngriti akuzën e vrasjes. Thuhet se ai ka dyshuar te ajo që po e tradhtonte. “Dyshoja tek gruaja ime. U zumë, debatuam ashpër. E futa në banjë, e zhvesha, e rraha dhe pastaj e hodha nga dritarja”, ka thënë në dëshminë e tij 53-vjeçari. Materialet iu referuan Prokurorisë Fier në ngarkim të shtetasit Ferdinant Rukaj, si autor i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”.