Emin AZEMI
Qytetarët maqedonas kanë mendim më negativ për Kosovën dhe Shqipërinë se sa për Greqinë dhe Serbinë. Këtë e tregon hulumtimi më i ri i Institutit të kërkimeve politike nga Shkupi. Një anketë e realizuar përmes telefonit, ka rezultuar të ketë më shumë urrejtje të qytetarëve të Maqedonisë ndaj shqiptarëve në rajon, se ndaj të tjerëve. Madje 42,3 për qind e tyre kanë mendim shumë pozitiv për Serbinë, kurse për Kosovën dhe Shqipërinë kanë mendim shumë negativ 33,3, gjegjësisht 32,8 për qind e të anketurave. Në listën e fqinjëve të padëshirueshëm të maqedonasve, bën pjesë edhe Greqia me 28,7 për qind.
Janë bërë edhe më herët hulumtime të tilla dhe në të shumtën e rasteve disponimi i maqedonasve ndaj fqinjëve ka dalur gati i njejtë. Analizat e këtyre hulumtimeve nxjerrin konkludime mjaft indikative për realitetin etno-spkilogjik të maqedonasve. Nuk duhesh të jesh ekspert shumë i madh për të hetuar një çrregullim permanent të mendësisë maqedonase sa i përket sensibiliteteve që ata kanë me fqinjët. Shumatorja e krejt këtyre analizave detekton projeksione të çuditshme gjeo-psikologjike të maqedonasve dhe në fund s’ke si të mos ndiesh keqardhje për këta nxënës të dobët të historisë të cilët me apo pa vetëdije po bëhen protagonist absurd të thënies së njohur “ ata që nuk arrijnë ta mësojnë historinë, nuk mund ta sfidojnë të ardhmen”.
Serbia në të kaluarën dhe Greqia në ditët e sotme, sikundër dihet, kanë qenë dhe janë mohuesit më të mëdhenj të identitetit etnik, fetar, kulturor të maqedonasve. Mirëpo hulumtimet sociologjike që po zhvillohen aktualisht i kanë grisë faqet e historisë dhe në vend të tyre po shartohen kapituj të urrejtjes e animozitetit ndaj shqiptarëve në rajon. Rrënjët e këtij çrregullimi mbase duhet shikuar në vetë zhvillimin paradoksal të kombit maqedonas dhe raportin që kanë ata ndaj historisë së tyre. Dikotomia ideologjike brendamaqedonase nuk kaloi edhe pa koston e saj të pallogaritshme në risemantizimin institucional të shtetndërtimit, përfshi edhe raportet me fqinjët. Kjo“avari” e madhe në mekanizmin e mbamendjes së tyre historike, është munduar të fshihet me vite të tëra nga intelektualët dhe politikanët maqedonas. Atë që njëra parti maqedonase e quan zgjim kombëtar, partia tjetër e kualifikon si regres dhe shpërfytyrim të historisë së vërtetë. Prirjet antagoniste shkojnë deri atje sa të mos ketë një konsensus minimal, sa i përket historisë së përbashkët dhe përplasjet e diskurseve nuk kanë një vokacion shkencor e akademik, por puro politik.
Nëse vetë maqedonasit tregohen kaq amator ndaj historisë së tyre, kjo mjafton për të ilustruar edhe papjekurinë e tyre në mos vlerësimin e drejtë të kontekstit gjeo-politik. Pra, nuk është thjeshtë vetëm mosnjohja elementare e historisë, pasojë e kësaj dipotrie të deformuar etnopsikologjike, por edhe edukimi i gabuar paraurban që është futur kontrabandë në psikikën e fëmijëve dhe të rinjëve maqedonas. Në pamundësi për të projektuar një armik dinjitoz, një Bajloz deti me të cilin do t’ia vlente të ballafaqohesh, legjendat maqedonase edhe sot i përdorin figurat historike të shqiptarëve (Xhemë Gostivarin e Mefail Zajazin) si gogolë për ti vënë në gjumë fëmijët. Pra, e kaluar dhe e sotmja shqiptarëve kultivohen si lëndë mësimore të urrejtjes dhe këtu ndoshta e ka burimin edhe refuzimi ndaj gjuhës shqipe. Psikologjikisht, refuzimet janë reagime emocionale që prodhojnë efekte automatike, kështu që urrejtja ndaj gjuhës mund të përkthehet edhe si urrejtje ndaj atyre që e flasin atë gjuhë. Kur kundërshtojnë avancimin zyrtar të gjuhës shqipe, maqedonasit në protestat e tyre automatikisht kundërshtojnë shqiptarët si faktor përbërës të shtetit, të cilin ata nuk po dinë si ta quajnë, ose nuk po munden ta mbrojnë variantin e tyre të preferuar.
Hulumtimet e tanishme të opinionit publik në Maqedoni do të duhej të lirohen nga ngarkesat që prodhojnë keqkuptime shtesë në relacionet ndërmjet njerëzve, por kjo nuk mund ta bëhet me automatizëm. Sepse ta urresh dikënd nuk kërkohet ndonjë mençuri apo fisnikëri e madhe. Mjafton të ushqehesh me legjenda e mite dhe urrejtja vjen si nus-produkt. Për dashuri dhe mirëkuptim, megjithatë, kërkohet investim më i madh njerëzor, intelektual e politik , prandaj Maqedonia dhe gjithë rajoni ende vuajnë pasojat e edukimeve të mbrapshta që po reflektohen edhe nëpër hulumtime sociologjike.