Kushtet janë të qarta. Brukseli kërkon në tre drejtime kryesore rezultate të qëndrueshme deri në qershor 2019 që të hapë me Shqipërinë negociatat e pranimit në BE: përfundimi i reformave, zgjidhja e mosmarrëveshjeve me Greqinë, si dhe mbyllja e rrugës së re të emigracionit ilegal drejt Shqipërisë. Koha nuk pret për të dyja palët, Shqipërinë dhe BE. Në këtë kontekst, të premten, (13.07.2018), Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk dhe Komisioneri i Zgjerimit, Johannes Hahn zhvilluan takime në Bruksel me kryeministrin Rama, ku vunë pikat mbi “i” për fillimin e punës një orë e më parë.
Në një njoftim për shtyp nga Kryeministria në Tiranë, Presidenti Tusk citohet të ketë thënë në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin Rama se “Nuk kam dyshime që, nëse Shqipëria do të vazhdojë me këtë temp reformash, do të jetë në gjendje që të arrijë të gjitha rezultatet e kërkuara deri në qershorin e ardhshëm. Përpjekjet e Shqipërisë për të sheshuar divergjencat me Greqinë janë prova më e mirë për angazhimin e saj ndaj BE-së dhe ndaj marrëdhënieve të mira fqinjësore. Kemi rënë dakord për rritjen e përpjekjeve lidhur me mbylljen e rrugës së re të emigracionit ilegal në Shqipëri”.
Shqipëria është vlerësuar për qëndrimin e saj ndaj çështjes së nxehtë të refugjatëve nga vendet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut drejt BE. Në vijim të këtij vlerësimi Brukseli ka shtuar një kusht për Shqipërinë: mbylljen e rrugës së re të emigracionit ilegal nga këto vende në Shqipëri për të synuar më pas BE. “Shqipëria mbetet një partner i mirë dhe një mik i BE-së në lidhje me sigurinë e migracionin, ku kemi një bashkëpunim të fuqishëm dhe të qëndrueshëm. Sot (13.07.2018) ramë dakord për nevojën për rritjen e përpjekjeve për të mbyllur rrugën e re të emigracionit ilegal në Shqipëri. Koha e limituar dhe situata politike në vend janë dy sfidat kryesore që Shqipëria duhet të përballojë që të ketë sukses në qershor 2019”. Opozita e quan qeverinë Rama “qeveri të drogës dhe narko-trafikut” dhe kërkon rrëzimin e saj. Presidenti Tusk thekson përsëri mesazhin e njohur të BE që palët duhet të bëhen bashkë, për çështje me rëndësi kombëtare, si hyrja e Shqipërisë në BE, që përkrahet nga mbi 90% e shqiptarëve. Ai citohet të ketë thënë të shtunën se është shpresa dhe dëshira e tij që “të gjitha forcat politike pro perëndimore në Shqipëri të punojnë drejt të njëjtit qëllim”.