Shkup, 28 mars – Përfaqësuesja e Maqedonisë deri më 21 vjeç ka arritur fitore minimale kundër Bullgarisë, në kuadër të ndeshjes miqësore, e cila u zhvillua sit në stadiumin “Petar Milloshevski”. Ky ishte testi i fundit për djemtë e seleksionuesit Bllagoja Milevski, para pjesëmarrjes në Kampionatin Evropian, i cili në qershor të këtij viti do të mbahet në Poloni. Në këtë ndeshje Milevski u dha rast shumë futbollistëve të cilët i kishte ftuar, mirëpo në pjesën e parë u paraqit me më të mirët. Ndryshe, autor i golit të fitores ka qenë sulmuesi i Shkëndijës, Marjan Radevski, në minutën e 42, ndërsa gjatë gjithë ndeshjes, verdhekuqtë kanë pasur nën kontroll lojën. Vlen të përmendim edhe atë se në minutën e 86, Maqedonia ka mundur të avancojë me 2:0, por Petkovski nuk shënoi nga pika e bardhë. Ndërkohë, me këtë fitore, të përzgjedhurit e Bllagoja Milevskit edhe një herë ofruan një ndeshje të shkëlqyer, e cila rrit më shumë vetëbesimin para pjesëmarrjes në KE, ku në grup me ata janë Serbia, Spanja dhe Portugalia. (koha.mk)