Tetovë, 27 shkurt – Pas veprave “Litari dhe zullumi”dhe “Në strofullën e djallit”, Shpëtim Pollozhani vjen me botimin më të ri të titulluar “Kalërimi drejt dritës”, shkruan gazeta KOHA. Në këtë libër, autori vë theksin mbi veprimtarët e panjohur që kanë dhënë kontribut për çështjen kombëtare dhe nuk janë përmendur asnjëherë. Gjithë këtë, ai e ka pasqyruar me përplasjen e dy modeleve: njeriu i sakrificës – vetvetja, i natyrshëm dhe i pastër në aktin e tij sublim dhe njeriu meskin – i tjetërsuar, hipokrit dhe i ndotë në aktin e tij të përfitimit.
Gjatë promovimit të këtij libri të shtunën në Tetovë, Shpëtim Pollozhani tha se personazhet e këtij libri kanë dhënë maksimumin nga vetja për një ditë më të mirë dhe asnjëherë nuk kanë kërkuar shpërblim.
“Thelbi i këtij libri janë veprimtarët e panjohur të cilët kanë kryer vepra kombëtare dhe nuk janë përmendur aspak. Ky libër u kushtohet të gjithë atyre, është një portret personazhesh të ndryshëm. Është një periudhë ku pas formimit të shtetit komunist jugosllav vazhdojnë vuajtjet, dhembjet, persekutimet e shqiptarëve”, tha Pollozhani.
Redaktori i librit, Josif Papagjoni, potencoi se mesazhi që përcjell ky libër, mbi të gjitha është një mesazh lirie. “Unë gjykoj që libri është një mesazh përndritës, ndoshta i përmallshëm për gjithë sakrificat dhe vetëmohimin e njerëzve që kanë luftuar për këtë liri, posaçërisht këtu në hapësirën e shqiptarëve të Maqedonisë, që kanë dhënë gjithçka për këtë liri”, tha Josif Papagjoni.
Ndryshe, Shpëtim Pollozhani, si ish i përndjekur politik, disa herë ka qenë i burgosur dhe i torturuar gjatë regjimit jugosllav. Aktualisht është kryetar i Shoqatës së të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politik Shqiptar në Maqedoni.
Në veprën e tij të dytë të titulluar “Në strofullën e djallit” Pollozhani flet për vitet e kaluara burgut, për dhimbjen e burgut, për torturat, por edhe për qëndresën, kalitjen dhe krenarinë gjatë vuajtjes së viteve burgim. (koha.mk)