Delvina KËRLUKU
Skënder Asani u lind në Shkup, ku edhe kreu shkollën fillore dhe të mesme. Fakultetin Filozofik – dega Histori e kreu në Universitetin e Tetovës, ku më vonë e mbrojti edhe magjistraturën, me temë “Kryengritja e përgjithshme shqiptare e vitit 1912, sipas burimeve bullgare”. Në vitin 2013 doktoroi në Institutin e Historisë Nacionale në Shkup, me temën: “Veprimtaria politike e Xhemietit (1919 – 1925)“. Një kohë punoi profesor i historisë në disa shkolla të mesme, si dhe asistent part-time në Universitetin e Tetovës. Në vitin 2008 u punësua në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH) në Shkup, në Sektorin e historisë. Që nga viti 2014, është drejtor i Institutit dhe ka titullin e bashkëpunëtorit të lartë shkencor. Skënder Asani qysh herët është marrë me aktivitete të shoqërisë civile. Është kryetar i Shoqatës së Historianëve Shqiptarë në Maqedoni. Ka botuar shumë punime nëpër revista shkencore dhe shtypin ditor, si dhe ka marrë pjesë në shumë konferenca shkencore në Shkup, Tetovë, Prishtinë, Tiranë, Evropë e SHBA. Deri më tani ka botuar këto libra: “Shqiptarët e Shkupit ndër shekuj” (publicistikë); “Bibliografi për Shkupin”; “Kryengritja e përgjithshme shqiptare e vitit 1912, sipas burimeve bullgare”; “100 – vjetori i lindjes së Nënë Terezës”; “100 – vjetori i gazetës Shkupi”; “Shkupi shqiptar” (dokumente); “Hasan Prishtina”(dokumente); “Zhurmë nëpër kohë” (punime shkencore); “Rilindja Shqiptare (e autorit bullgar Diplomati)”; “Vilajeti i Manastirit dhe LKSH në vitet 1911-1912‘ – dokumente bullgare, bashkautorësi me Sevdail Demirin, Fondacioni Dauti; “Çaulevi dhe vepra e tij për Shqipërinë”, Libraria e Çarshisë; “Shkupi ndërmjet dy luftërave botërore” I-II, Logos-A, Shkup, 2016.
KOHA: Z. Skënder, jeni doktor i shkencave të historisë, autor i disa librave shkencor historik, kryetar i Shoqatës së Historianëve Shqiptarë në Maqedoni dhe në marrëdhënie të rregullt pune në ITSHKSH, si punëtor shkencor dhe drejtor. A mund të na përshkruani momente nga përvoja juaj?
ASANI: Angazhimet e shumta të mia në më shumë sfera të veprimtarisë shkencore profesionale, më bëjnë që për çdo ditë të kaloj momente të papërsëritshme, të cilët ndikojnë në cilësinë dhe volumin e punës. Përvoja ime e punës nëpër disa institucione arsimore-shkencore, si në shkollë, universitet dhe këto vitet e fundit kryesisht në Institut, ka bërë që të kem një pasqyrë sa më të plotë të rrjedhave shoqërore. Por, është një vend ku unë e gjejë dhe e plotësoj veten time gjithmonë kur shkoj aty – arkivi. Puna e hulumtuesit të historisë nuk ka kuptim nëse nuk hyn në lashtësinë e dokumenteve historike, nëse nuk takohet me pluhurin e arkivit dhe erën e dokumenteve të vjetra. Prandaj, kur ulem dhe shfletoj me kujdes një nga një fletë që datojnë me dhjetëra e qindra vite, ku shkruhet e kaluara jonë, e lavdishme ose e trishtë, ndihem më së miri.
KOHA: Çfarë flet historia juaj e fëmijërisë, e rinisë dhe familjes?
ASANI: Unë jam me origjinë nga rrethina e Ferizajt, por kam lindur dhe jam rritur në Shkup, afër Çarshisë së Vjetër, aty ku mbaj kujtimet më të mira të fëmijërisë dhe rinisë. Familja ime, sikurse shumica e familjeve shqiptare, ka qenë në shënjestër të sistemit të kaluar komunist. Fatkeqësisht, familjen time e kanë përcjellë edhe tragjedi, të cilat edhe sot e kësaj dite kujtohen me mall. Xhaxhai im, Latif Hasani, veprimtar i shquar i ilegales shqiptare, ishte viktimë e presionit dhe dhunës komuniste. Në vjeshtën e vitit 1968, për t’i ikur prangosjes nga ana e punëtorëve të sigurimit jugosllav (UDB), ai i hedh benzinë vetes në sheshin e Ferizajt. Për të shkruan të gjitha gazetat e kohës. Madje, gazeta kroate “Vus” e Zagrebit, aktin e tij heroik e krahason me atë të Jan Pallahut në Çeki, i cili me aktin e tij e kishte kundërshtuar pushtuesin e ri rus. Emri i tij rikthehet pas 37 viteve në Kosovën e lirë, dhe sot një nga sheshet kryesore të Ferizajt, e mbanë emrin e xhaxhait tim, Latif Hasani.
KOHA: Me cilat barriera jeni ballafaquar gjatë shkollimit?
ASANI: Natyrisht që koha në të cilën jetuam ne dikur, ishte plot brenga e probleme, jo vetëm të sferës sociale-ekonomike, por edhe politike. Për shkak të mospajtimeve të mia me politikën diskriminuese shtetërore, nuk isha i përshtatshëm as të regjistrohem në studime këtu në Maqedoni. Me hapjen e Universitetit të Tetovës, isha një nga studentët e parë që mora indeksin e këtij universiteti, dhe me shumë vullnet iu rreka studimeve në drejtimin e Historisë, në kuadër të Fakultetit Filozofik të UT-së. Aty pastaj mbarova fakultetin dhe magjistraturën, kurse doktoratën në Shkup.
KOHA: Ç’ndikoi që ju të zgjidhni historinë si fat tuajin?
ASANI: Sigurisht, ka qenë e kaluara jonë familjare mjaft e vuajtur nga regjimet e kohës, dhe rritja ime në një ambient ku vazhdimisht është folur për figura dhe ngjarje historike, për nevojën për shtet të lirë e të pavarur, për liri e demokraci të popullit tonë. Historia vërtetë është shkencë e cila merret me hulumtimin e të kaluarës, por shpeshherë jep projeksione edhe për të ardhmen. Prandaj, mësimi i saj ka rëndësi që të krijohet një pasqyrë më e saktë për realitetin dhe të mos përsëriten gabimet e së kaluarës.
KOHA: Z. Skënder, tekstet e lëndës së historisë në shkollat tona (fillore e të mesme) përshkohen nga pasaktësi shkencore dhe devijime të qëllimshme nga e vërteta historike. Ç’mund të thoni dhe ç’mund të bëni Ju, qoftë si individ, qoftë si drejtor Instituti, për evitimin e kësaj dukurie sa negative aq edhe të dëmshme?
ASANI: Deri më tani gati se të gjitha plan-programet dhe tekstet mësimore nga lëndët që prekin çështjet identitare, siç janë: historia, gjeografia, gjuha e letërsia, arti muzikor, etj., kanë pasur përmbajtje fyese dhe denigruese kundrejt shqiptarëve. Është koha e fundit që këto anomali të rregullohet njëherë e përgjithmonë, e që të mos merremi me problem të njëjta në çdo fillim-vit shkollor.
Por, problemi me tekstet shkollore është mjaft i vjetër dhe i koklavitur shumë. Në vitin 2004, për herë të parë u arrit që të krijohet një plan-program i konsoliduar, ku në mënyrë objektive dhe proporcionale përfshihej edhe historia e shqiptarëve. Ky plan u bë në Ohër me ndërmjetësimin e përfaqësuesve amerikanë dhe evropianë, ku morën pjesë historianë shqiptarë dhe maqedonas. Aty u nxor maksimumi për përfshirjen e historisë shqiptare në tekstet mësimore. Por, hilja u bë nga pala maqedonase nëpërmjet shtëpive botuese maqedonase, të cilat u dhanë mundësi botuesve që të përpilojnë nga disa versione të teksteve shkollore. Këtu u mënjanuan botuesit shqiptarë. Disa anëtarë të komisioneve recensuese nuk patën qasje në tekstet finale shkollore, prandaj edhe deformimet e historisë sonë ishin evidente. Disa historianë shqiptarë ranë pre e botuesve maqedonas, edhe pse kishin një ofertë konkrete nga botuesit shqiptarë, me të cilët do të ishin mbështetur në programet e avancuara të vitit 2004.
KOHA: Bie në sy që autorë të teksteve janë maqedonas. Rrallë qëllon që të ketë edhe ndonjë bashkautor shqiptar. Përse ndodh kështu? Ku ta kërkojmë fajin?
ASANI: Sigurisht që fajin duhet kërkuar në Shërbimin pedagogjik dhe Byronë për zhvillimin e arsimit në kuadër të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Aty bëhet e gjithë strategjia e teksteve mësimore, prandaj duhet të kihet parasysh, sidomos gjatë përcaktimit të komisioneve të ndryshme recensuese, se çfarë njerëz delegohen dhe se kë përfaqësojnë ata. Prandaj, kohën e fundit nuk marrin pjesë recensentët shqiptarë gjatë përpilimit të plan-programeve dhe teksteve mësimore të historisë. Deri më tani këto shërbime nuk kanë kërkuar ndihmë direkte profesionale të Institutit tonë, se me kënaqësi do t’ua ofronim. Për këtë qëllim, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH) në Shkup, propozon krijimin e një grupi pune në kuadër të Institutit, me anëtarë të brendshëm dhe të jashtëm, i cili në mënyrë profesionale do të merret me çështjen e hartimit të plan-programeve mësimore dhe teksteve të reja mësimore, në të cilat janë evidentuar parregullsi dhe tendenca antishqiptare. Ky grup pune pastaj do të duhet që në komisionet gjegjëse të Ministrisë së Arsimit, të bëjë punën e vetë ashtu siç e kërkon nevoja dhe në përputhje me arritjet shkencore të argumentuara.
KOHA: Institutin Tuaj prej themelimit e përcjellin probleme financiare, të cilat ndikojnë në kompletimin e kuadrit dhe realizimin e programeve. Sa u rri afër Ministria e Arsimit dhe Shkencës kërkesave të Institutit?
ASANI: Për hir të vërtetës, viteve të fundit kemi një lloj konsolidimi të Institutit tonë në aspektin financiar, për faktin që nuk kemi borxhe ndaj të tjerëve. Mirëpo, nevojat tona janë të mëdha, si për kompletim të kuadrit shkencor, po ashtu edhe për realizimin e projekteve tona. Ka shumë vite që nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk ndahen mjete për punësimin e kuadrove të rinj dhe nuk ndahen mjete për hulumtime shkencore, kurse hulumtimi është baza kryesore e një instituti. Prandaj, kërkesa jonë e elaboruar është që Ministria e Shkencës të ndahet nga ajo e Arsimit, në mënyrë që të ketë mundësi më tepër të koncentrohet në problemet e institucioneve shkencore. Për më tepër, ne jemi i vetmi Institut shqiptar në Maqedoni, prandaj ndihma e institucioneve shtetërore duhet të jetë më evidente.
KOHA: Në fakt, cili është misioni primar i ITSHKSH?
ASANI: Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve me seli në Shkup, është institucioni i parë dhe i vetëm në Republikën e Maqedonisë, i cili merret me ruajtjen, kultivimin dhe avancimin e trashëgimisë kulturo-historike të shqiptarëve në këtë pjesë të Ballkanit. ITSHKSH u themelua me vendim të Qeverisë së Maqedonisë, më 27 mars të vitit 2007, si institucion publik shkencor dhe u përurua solemnisht më 22 nëntor të vitit 2007, me rastin e 99 vjetorit të Kongresit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Është njëri nga shtatë institutet publike shkencore në Republikën e Maqedonisë, puna e të cilit rregullohet në bazë të Ligjit për veprimtari hulumtuese-shkencore. Selia e parë ku u vendos ky institut ishte në Kurshumlihan të Çarshisë së Vjetër, ndërsa tani ndodhet në objektin e ish-Ambasadës amerikane në Shkup. Në Institut janë të angazhuar mbi 20 punëtorë shkencor, kryesisht magjistra dhe doktorë të shkencave filologjike dhe historike, të cilët punojnë në këta pesë sektorë: Sektori i gjuhës shqipe; Sektori i letërsisë shqipe; Sektori i historisë së shqiptarëve në Maqedoni dhe i lëvizjeve demografike; Sektori i etnologjisë, historisë së artit dhe arkitekturës popullore dhe Sektori i lidhjeve të ndërsjella kulturore, historike dhe gjuhësore mes shqiptarëve dhe maqedonasve me popujt tjerë të rajonit. ITSHKSH ka organin e vet, revistën shkencore ‘Studime albanologjike’, në të cilën botohen materiale nga sfera të ndryshme të gjuhësisë, letërsisë, folklorit, etnologjisë, historisë, etj., që ndërlidhen me albanologjinë dhe përgjithësisht shqiptarët e këtyre trevave. Prej vitit 2014 janë akredituar studimet pasdiplomike në drejtimin: Histori e marrëdhënie ndërkombëtare.
KOHA: Z. Skënder, kur do filloni të botoni monografitë e plota historike të qyteteve tona? Historitë e tyre (të vërteta) janë shtrembëruar nga autorë sllavë, prandaj kujtojmë se kjo punë nuk duhet vonuar. Besoj se këtu do t’i ndihmojnë edhe pushtetet lokale.
ASANI: Shkrimi i monografive për vendbanimet tona, është një nga prioritetet e Institutit, por në plan afatgjatë, meqë duhet plotësuar disa parakushte për një gjë të tillë. Së pari duhet grumbulluar dhe botuar dokumente të proveniencave të ndryshme që kanë të bëjnë me historinë e shqiptarëve të Maqedonisë dhe të krijohen ekipe specialistësh të më shumë fushave shkencore dhe disiplinave historike, të cilët do të merren në mënyrë të argumentuar me shkrimin e monografive për çdo vendbanim shqiptar të Maqedonisë.
KOHA: A jeni të kënaqur me bashkëpunimin me institutet tjera simotra, këtu dhe jashtë?
ASANI: Instituti ynë ka bashkëpunim të ngushtë me shumë institucione relevante shkencore vendore dhe ndërkombëtare, që për fokus të interesimit kanë ruajtjen e trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore. Në veçanti dua të theksoj bashkëpunimin e Institutin Albanologjik dhe Institutin e Historisë nga Prishtina, si dhe Qendrën e Studimeve Albanologjike nga Tirana, me të cilët realizojmë shumë projekte të përbashkëta.
KOHA: Ju keni një karrierë shumë vjeçare si historian, që do të thotë nëpërmjet momenteve historike keni përjetuar momente mbresëlënëse, të këndshme, por edhe kritike, dëshpëruese e të trishta. Cilat janë sfidat e juaja?
ASANI: Sfidat tona janë që në të ardhmen të bëjmë punë dhe projekte që janë në interes të shkencës shqiptare në Maqedoni. Me mundësinë e zyrtarizimit të plotë të gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë, shtrohet edhe nevoja për mbrojtjen e saj ligjore. Mënyra e vetme për këtë gjë është themelimi i një sektori të veçantë brenda Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH) në Shkup, i cili do të quhet Sektori për licencimin e lektorëve të gjuhës shqipe. Procesi i licencimit të lektorëve të gjuhës shqipe, do të bëhet nëpërmjet partneritetit me Ministrinë e Kulturës, e cila do të duhet të propozojë Ligj për Mbrojtjen e Gjuhës Shqipe, e ku do të precizohet se ITSHKSH-Shkup është bartëse e vetme e procesit të licencimit të lektorëve të gjuhës shqipe. Pastaj, duke ditur rëndësinë e madhe që ka autoktoninë, por edhe për albanologjinë, në përgjithësi, studimi i të folmeve shqipe në Maqedoni, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve merr përsipër të botojë në një seri vëllimesh “Të folmet shqipe të Maqedonisë”. Aty do të përfshihen të gjitha monografitë që deri tash janë realizuar nga studiues të ndryshëm. Që të ruhet një frymë dhe aparatura e njëjtë, ITSHKSH do të krijojë një ekip specialistësh, të cilët do të merren me redaktimin e këtyre veprave dhe sintetizimin e tyre që të përkojnë me serinë e përgjithshme. “Fjalori enciklopedik i shqiptarëve të Maqedonisë”, është projekt i rëndësishëm shkencor, i cili duhet të mbështetet nga Ministria e Shkencës. Ky fjalor do të përfshijë të gjitha aspektet e zhvillimit historik, kulturor, arsimor, shkencor, ekonomik, sportiv, etj.,të shqiptarëve, që jetojnë në Maqedoni që nga kohërat më të hershme. Ky fjalor do të jetë një letërnjoftim i rëndësishëm, i cili në mënyrë shkencore dhe argumentuese, do të flet për shqiptarët e Republikës së Maqedonisë, deri në ditët e sotme.
KOHA: Me Shkupin 2014, kryeqyteti u shpërfytyrua. Përveç faktorit politik shqiptar, një pjesë të fajin e ka edhe reagimi i vakët i intelektualit shqiptar? Kur jemi këtu, të shtojmë edhe brengën për zhdukjen e monumenteve tona – Shtëpinë e Nënës Terezës, Burmali Xhaminë etj. Ç’të bëjmë më tej?
ASANI: Që kur doli projekti famëkeq i Qeverisë në vitin 2006 “Rilindje në 100 hapa”, ne e paralajmëruam opinionin vendor dhe ndërkombëtar se pas Ohrit, po përgatitet një projekt, i cili ka për qëllim ka asgjësimin e etno-kulturës ilire-arbërore-shqiptare, në kryeqendrën shpirtërore të shqiptarëve – Shkup. Pastaj, kjo u pa me realizimin e mëvonshëm të projektit të ashtuquajtur “Shkupi 2014”, me të cilën u shpërfytyrua Shkupi i vërtetë, duke u sajuar një histori e rreme, që nuk kishte lidhje as me shkencën e as me qytetërimin. Ne, nëpërmjet debateve, protestave e memorandumeve të shumta, që nga viti 2006, vazhdimisht kemi reaguar, gjë që është evidentuar edhe nëpër raportet e Departamentit të Shtetit Amerikan. Por, fatkeqësisht, vetëm se politika jonë nuk na kuptoi, madje duke qenë edhe ministra shqiptarë në krye të Ministrisë së Kulturës. Si rezultat i këtyre reagimeve, unë personalisht ende ballafaqohem me dhjetëra aktpadi, dhe ende bredh gjyqeve të vendit, për shkak të kundërshtimit të këtyre projekteve monstruoze.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.