Delvina KËRLUKU
Dr. Izaim Murtezani ka lindur në vitin 1965 në f. Kopanicë të Shkupit, ku ka kryer arsimin fillor, kurse atë të mesëm në Shkup. Në qytetin e njëjtë, në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe kryen arsimin e lartë, po ashtu edhe studimet e magjistraturës dhe doktoraturës. Aktualisht, punon në Institutin e Folklorit në Shkup ku njëkohësisht është edhe ligjërues i disa lëndëve në kuadër të studimeve të magjistraturës dhe doktoraturës. Njihet në vend për cilësinë e punëtorit shkencor, përkatësisht studiuesit të folklorit dhe etnologjisë shqiptare në R. e Maqedonisë. Vite me radhë ka marrë pjesë si bashkëpunëtor në konferencat ndërkombëtare. Ka ligjëruar disa lëndë nga fusha e folklorit dhe etnologjisë në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Shkup, por edhe në Tetovë. Deri tani ka publikuar tetë monografi shkencore, që trajtojnë probleme dhe çështje të ndryshme që ndërlidhen kryesisht me fushën e folklorit dhe etnologjisë shqiptare. Njëkohësisht ka publikuar edhe shumë punime shkencore në vend dhe jashtë. Vitet e fundit është anëtar i redaksisë së revistës prestigjioze Gjurmime albanologjike – Folklor dhe etnologji që publikohet nga Instituti Albanologjik – Prishtinë.
KOHA: Kënga është trajtë e letërsisë midis imagjinatës dhe realitetit. Vjershë që këndohet sipas një melodie dhe që është një njësi muzikore-letrare. Ne kemi një pasuri të madhe me këngë popullore, këngë polifonike, historike, këngë dasmash, djepi, etj. Ruajtja e këtij thesari bëhet brez pas brezi, e jo nga arkiva e institucioneve përkatëse, Si shpjegohet kjo?
MURTEZANI: Fakt i pamohueshëm është se kënga popullore paraqet një artefakt të rëndësishëm të identitetit tonë kulturor, apo të krijimtarisë folklorike në përgjithësi. Ajo ka depërtuar në çdo skutë të jetës individuale dhe shoqërore. Si e tillë ka përcjellë jetën në të gjitha segmentet e saj duke filluar nga lindja, martesa, vdekja e kështu me radhë. Ajo në cilësinë e lirikës shoqërore ka regjistruar amplitudat e emocioneve dhe ndjenjave të ndryshme që shkakton, veçmas fenomeni i dashurisë, kurbetit, etj. Njëkohësisht, nëpërmjet vargjeve të saj, kryesisht të natyrës ritmike, ka pasqyruar edhe dukuritë që ndërlidhen me ndryshimet e motit në natyrë, madje vargjet e këtilla rezultojnë të jenë edhe tejet të lashta, pse jo edhe parake. Nënkuptohet se nëpërmjet vargjeve popullore janë pasqyruar në mënyrë artistike edhe ndodhi të ndryshme që janë shtresuar në përmbajtjen e baladave tona popullore në të cilat del në syprinë, veçmas një kod i veçantë i strukturës etike të qenies sonë kombëtare, siç është besa, e cila ka përfituar edhe përmasa të një kulti të veçantë. Pikërisht, kjo kategori morale determinon karakterin specifik të etnopsikologjisë sonë kombëtare. Megjithatë, një burim i madh frymëzimi i rapsodit tonë popullor kanë qenë, veçmas ndodhitë e ndryshme të karakterit historik, të cilat kanë prodhuar një numër të madh të këngëve epike duke filluar nga këngët kreshnike që janë një perlë e padiskutueshme e identitetit tonë etnokulturor e duke vazhduar me këngët e Betejës së Kosovës (1389), këngët e Lidhjes së Prizrenit (1878), si dhe me çdo periudhë tjetër kohore në kuadër të Perandorisë Osmane. Edhe ngjarjet dramatike pas shembjes së Perandorisë Osmane, përkatësisht tentativat për formimin dhe konsolidimin e shtetit kombëtar, por edhe pasojat e copëtimit të trojeve etnike, ishin një shtysë e madhe që mbajtën ndezur ashkën e muzës së rapsodisë sonë popullore. Kjo këngë epike ishte përcjellëse besnike edhe e ngjarjeve të fundit, apo më të reja duke përdëftuar mbijetesën e saj edhe në kondita të një zhvillimi marramendës tekniko-teknologjik, të cilit i është nënshtruar shoqëria jonë. Këngët si të tilla, thotë shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare, paraqesin një autobiografi të popullit tonë në vargje, përkatësisht një histori të mirëfilltë orale, por tejet mbresëlënëse. Nga e gjithë kjo mund të konkludojmë se një ndër pionierët e folkloristikës evropiane, gjermani Herder kishte të drejtë kur theksonte se këngët janë arkiva të popullit, thesar i shkencës dhe i religjionit të tij, i teogonisë dhe kozmogonive të tij. Ato janë thesari i bëmave madhështore të etërve, ravijëzojnë gjurmët e historisë së tyre, bartin përshtypjen e zemrave të tyre, përshkruajnë jetën e tyre shtëpiake në gëzim e në dhimbje, në shtratin martesor dhe në varr. Popujt e qytetëruar i kanë kushtuar një rëndësi të madhe këtij lloji të krijimtarisë popullore duke e mbledhur në terren në kohën e përshtatshme dhe të duhur dhe pastaj duke e klasifikuar, sistemuar dhe arkivuar nëpër institucione adekuate. Në këtë proces, edhe pse pak më vonë, u inkuadruan edhe Tirana dhe Prishtina, veçmas pas themelimit të institucioneve përkatëse. Gjendja e arkivimit të materialit folklorik dhe etnologjik pak më keq qëndroi me shqiptarët e Maqedonisë. Në të vërtetë, në arkivin e Institutit të Folklorit në Shkup, ka edhe material me folklor dhe etnologji shqiptare, por ky është tejet simbolik dhe nuk ka reflektuar gjendjen faktike në terren, sidomos në kohën kur kjo krijimtari ka qenë tejet e gjallë dhe aktive. Megjithatë, fatmirësisht, një pjesë e madhe e tyre, sidomos e këngëve popullore janë publikuar nga njerëz, të cilët kanë pasur dashuri, entuziazëm dhe pasion ndaj krijimtarisë popullore. Publikimi i këngës dhe arkivimi janë dy procese të ndryshme. Nëpërmjet publikimit, në shumicën e rasteve, ofrohet vetëm teksti i këngës, kurse nëpërmjet arkivimit mund të posedohet edhe teksti, por edhe përbërësit tjerë, pasi kënga, apo folklori ngërthen në vete tekstin, teksturën (elementet gjuhësore dhe muzikologjike) dhe kontekstin (mjedisin e ekzekutimit). Në kontekst të gjithë kësaj, gjykoj se aktualisht Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë i bie barra ta mbuloj një zbrazëtirë të kësaj natyre. Realisht brenda Institutit në fjalë ndodhin lëvizje pozitive që duhet të kulmojnë edhe me veprime konkrete në të ardhmen.
KOHA: Për cilat nga monumentet e kulturës që nuk janë ruajtur ke më shumë nostalgji?
MURTEZANI: Të jem i sinqertë në këtë drejtim, pasi nuk mund të veçoj ndonjë artefakt si më të rëndësishëm se një artefakt tjetër etnokulturor, pasi të gjithë posedojnë vlerat e tyre specifike. Folklori është shumë i gjerë dhe kam nostalgji pothuajse për të gjitha llojet dhe trajtat e tij, disa prej të cilave nuk pulsojnë aktualisht, disa vazhdojnë të frymojnë në cilësinë e mbijetojave, e disa të tjerë edhe më tej po i rezistojnë globalizmit. Nostalgjia ndërlidhet me kohën e fëmijërisë në fshat, por njëkohësisht edhe me vlerat etnokulturore që atëbotë ishin aktive dhe ushtroheshin me ëndje në ditë të caktuara të ciklit kalendarik, por edhe atyre të ciklit jetësor, apo antropologjik. Në këtë kontekst, disa festa pagane, si Dita e Verës, Dita e Shëngjergjit, Dita e Shën Eremisë, etj., ishte e paimagjinueshme të kremtohen pa pjesëmarrjen e fëmijëve. Po ashtu edhe ceremoniali i dasmës ishte një teatër i mirëfilltë popullor që tani mund të shijohet vetëm nëpërmjet ndonjë fotografie të rrallë që i ka shpëtuar “dhëmbit” të kohës. Kjo është vetëm një pjesë e nostalgjisë ndaj vlerave etnokulturore, pasi ato janë të shumta dhe vështirë të përcaktosh fillimin dhe mbarimin e tyre. Në këtë drejtim, folkloristi i njohur amerikan, Alan Dandis, që preferon një përkufizim më të gjerë të trajtave folklorike thekson se ato janë: mitet, legjendat, përrallat popullore, anekdotat, kashelashet, magjitë, bekimet, mallkimet, ofendimet, sharjet, përshëndetjet. Pjesë përbërëse e tyre janë edhe veshjet popullore, vallet popullore, drama (edhe mimika), mjekësia popullore, instrumentet muzikore popullore, këngët popullore, e folmja popullore (zhargoni), krahasimet popullore, metaforat popullore. Në folklor përfshihen, gjithnjë sipas studiuesit, Dandis, edhe lojërat popullore, gjestikulimet, simbolet, lutjet, shakatë në llogari të tjetrit, recetat e përgatitjes së ushqimit, tipet e shtëpive, hambarët dhe rrethojat, brohoritjet e shitësve në rrugë. Pjesë përbërëse e folklorit janë edhe solemnitetet dhe ritet gjatë kohës së ditëve të veçanta, apo festive duke filluar nga kremtet e motmotit e deri te ditëlindjet. Kjo listë, përfundon Dandisi, përmban vetëm një pjesë të trajtave të përgjithshme të folklorit, pra nuk janë të përfshira të gjitha. Nga e gjithë kjo mund të konkludohet se lënda folklorike dhe etnologjike është shumë voluminoze, andaj në hulumtimin e saj nevojitet të kyçen një numër më i madh i specialistëve, apo studiuesve.
KOHA: Ju jeni një studiues i njohur i traditave të kryeqytetit. Çfarë vlere ka për Ju Shkupi?
MURTEZANI: Shkupi është dhe ka qenë një vatër e rëndësishme e shqiptarëve në të gjitha periudhat historike, andaj ka rrezatuar vlera të ndurduarshme të karakterit politik, ekonomik, kulturor e kështu me radhë. Në këtë kontekst, ai prapa vetes i ka lënë edhe gjurmë të etnokulturës shpirtërore dhe materiale, madje edhe në periudhat më të mugëta të tij. Dardanët si një fis ilir me shtrirje hapësinore edhe në Shkupin e sotëm ishin të njohur me kultivimin e të gjitha llojeve të krijimtarisë popullore. Në këtë drejtim, gjeografi i madh grek, Straboni, që lindi aty nga viti 63 para erës sonë dhe vdiq rreth vitit 20 të erës sonë, në veprën e tij të famshme me titull Gjeografia në librin e saj të shtatë ofron të dhëna me interes, mes tjerash edhe për etnomuzikologjinë e fisit dardan. Ai thekson se dardanët e kishin të zhvilluar muzikën, bashkë me fyej e veglat me korda. Nënkuptohet se edhe pasardhësit e tyre – shqiptarët e luginës së Shkupit i kanë trashëguar dhe kultivuar të gjitha këto vlera folklorike dhe etnologjike. Në kontekstin e sotëm kohor do të kisha përmendur vetëm një perlë etnomuzikologjike, siç është këndimi dyzërësh që ndërlidhet jo vetëm me Shkupin dhe rrethinën e tij, por që vazhdon edhe në trevën e Pollogut (Tetovë dhe Gostivar) e që arrin kulminacionin në trevën e Kërçovës. Një perlë e tillë, në vija të përgjithshme, specifikon shqiptarët e Shkupit, por përgjithësisht edhe të Republikës së Maqedonisë. Nëse këndimi njëzëri specifikon shqiptarët e pjesës veriore, kurse shumëzërëshi ata të jugut, atëherë dyzërëshi si një trajtë e veçantë përbashkuese, apo hibride paraqet një urë ndërlidhëse mes dy poleve të trungut tonë kombëtar. Nëse edhe më konkretisht i referohemi Shkupit në aspektin etnokulturor, sidomos në kontekstin e sotëm, atëherë patjetër të themi se ai paraqet edhe një përzierje heterogjene si pasojë e jetesës brenda tij të popullsisë shqiptare nga zona të ndryshme etnografike. Po qese kësaj ia shtojmë edhe strukturën tjetër demografike – pjesën joshqiptare, por edhe një numër tjetër faktorësh, atëherë mund edhe të nënkuptohen edhe disa procese që mëtojnë të prodhojnë vlera disi specifike, apo më mirë thënë, elemente të një subkulture që duhet të analizohet më seriozisht nga studiuesit e shkencave të spektrit humanistik. Ndoshta në këtë drejtim, është mirë që të zgjerohet rrjeti i programeve studimore të shkencave të spektrit humanistik në kuadër të universiteteve në gjuhën shqipe në Shkup, të cilat me siguri se do të kontribuonin në ravijëzimin dhe afirmimin e modeleve progresive.
KOHA: Janë zhdukur shumë pemë shekullore, që janë monumente të natyrës, por edhe monumente të tjera, ashtu siç është fshirë etnokultura e shqiptarëve në Maqedoni. Sa “luftohet” për rikthim?
MURTEZANI: Shprehja e famshme e grekëve të lashtë se çdo gjë rrjedh, çdo gjë ndryshon, madje ajo që ishte dje nuk është sot me siguri se u referohet edhe monumenteve të trashëgimisë sonë popullore. Ndërkaq, qysh në shekullin e XIX kur ndodhi “zbulimi” i kulturës popullore kur një ndër pionierët e saj, Uilhelm Grimi, i atribuonte këngës, madje edhe veçori hyjnore, nuk rreshti aktiviteti i mbledhjes, sistematizimit dhe arkivimit të krijimtarisë popullore. Popujt e qytetëruar ishin në shërbim të këtij misioni në kohën e duhur, kurse populli shqiptar fatkeqësisht shijoi shumë vonë frytet e ngritjes së institucioneve hulumtuese shkencore që do të merreshin me këtë veprimtari në baza profesionale. Në këtë drejtim, veçmas, shqiptarët e Maqedonisë ishin më të hendikepuar për shkak të privimit të tyre të mëhershëm nga institucionet gjegjëse profesionale. Megjithatë, së fundmi funksionimi i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë, nënkuptohet në bashkëpunim edhe me institucionet tjera simotra të kësaj natyre, me siguri se do të ndikojnë që sado kudo të reciklohen, apo të restaurohen ato vlera, të cilat përfaqësojnë kode të mirëfillta të kulturës sonë popullore. Nënkuptohet se në këtë drejtim duhet të aktivizohet një ingranazh më i gjerë i institucioneve dhe profesionistëve të kësaj natyre, në relacionin mes Instituteve, Entit të Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore, Muzeumeve, Komunave e kështu me radhë. Diçka e tillë edhe po ndodh aktualisht, por jo edhe në përmasa adekuate si rrjedhojë e mungesës së disa kushteve paraprake. Në të vërtetë, realisht mungon ndonjë strategji konkrete për trashëgiminë kulturore, veçmas për pjesën shqiptare, ndonjëherë kam përshtypjen se mungon edhe vetëdija qytetare, kurse kur kësaj ia shtojmë edhe mungesën e kuadrit, mungesën e programeve të mirëfillta studimore në universitetet tona në gjuhën shqipe, atëherë çështja bëhet edhe më e komplikuar. E gjithë kjo flet se ndoshta urgjentisht në kuadër të universiteteve tona duhet të funksionojë ndonjë program studimor i cili do të prodhonte kuadro që do të ishin të aftë të merreshin me menaxhimin dhe studimin e etnokulturës sonë. Paramendoni vetëm një fakt: sot nuk kemi asnjë etnokoreolog që do të merrej në mënyrë profesionale me vallet popullore të cilat dita-ditës po zhduken dhe tjetërsohen.
KOHA: Sistemi ish-socialist rrënoi identitetin tradicional. A e rrënoi edhe atë shqiptar?
MURTEZANI: Unë do ta kisha modifikuar paksa këtë konstatim tuajin që e parashtroni në formë pyetjeje duke shtuar se sistemi ish-socialist kishte qasje selektive ndaj identitetit tradicional. Në rrethana të caktuara, disa pjesë të këtij identiteti kulturor u afirmuan tejmase, madje deri në shkallë të mitit, nënkuptohet e gjithë kjo në funksion të legjitimimit të elitës së atëhershme politike, por njëherit ndodhi edhe një dukuri e kundërt, përkatësisht e hedhjes së tërësishme, ose të pjesërishme të atyre shenjave, simboleve, modeleve dhe ritualeve që ishin në lidhje të ngushtë me traditën, veçmas me atë fetare. Madje, Shqipëria shkoi edhe më larg në këtë drejtim duke u shpallur si shteti i parë ateist në botë. Njëkohësisht, në funksion të “klonimit” të njeriut të ri socialist ndodhi edhe fenomeni i prurjeve të reja, përkatësisht i paraqitjes së një folklori kinse të ri që glorifikonte të arriturat e kohës e që personifikoheshin me liderin shtetëror të kohës. Në të vërtetë, kemi të bëjmë me një folklorizëm të ideologjizuar që mori përmasa më të skajshme në Shqipërinë e Enver Hoxhës. Njëkohësisht, edhe shqiptarët e ish-Jugosllavisë sprovuan “risi” të kësaj natyre. Studiuesja e njohur kroate, Dunja Rihtman – Augushtin duke studiuar kalendarin e festave të sistemit socialist ish-jugosllav thekson se këto festa në cilësinë e shkaktimit të efekteve të ndryshme socio-psikologjike, ndiqnin për afërsisht logjikën apo ritmin e festave kalendarike pagane. Si më tipike në këtë drejtim ishte festa e 25 Majit, si ditë kinse e ditëlindjes së liderit të atëhershëm ish-jugosllav, Tito, por njëkohësisht kremtohej edhe si ditë e rinisë. Pra, një model i ri që afirmonte kultin ndaj individit, apo liderit të kohës socialiste mbishtresohej mbi një model të lashtë të kremteve kalendarike që afirmonin kultin ndaj hyjnive. Megjithatë, kundërvëniet dyshe, apo shkuarja nga njëri ekstrem në një tjetër nuk është i panjohur për popujt e Ballkanit. Në këtë kontekst, i referohemi një rasti më të freskët në Republikën e Maqedonisë. Në të vërtetë, nëse sistemi komunist pretendonte t’i eliminonte festat e karakterit fetar, në sistemin postkomunist ato u rikthyen në mënyrë masive, madje në kalendarin e festave shtetërore, edhe të dominojnë plotësisht duke e shndërruar kështu Maqedoninë në një shtet, ndoshta edhe atipik të kësaj natyre në Evropë. Pra, nga një skajshmëri e mohimit, në një skajshmëri tjetër të afirmimit.
KOHA: Studiuesi Klaus Rot në shkrimet e tij analizon kulturën popullore në shtetet ish- socialiste. Ai thekson se te popujt ballkanik dominon përfytyrimi ciklik për kohën. Koha ciklike vazhdimisht përsëritet? Ku jemi ne?
MURTEZANI: Meqenëse e përmende Klaus Rotin, një etnolog gjerman, i cili angazhohet për dekonstruksionin e miteve, sidomos në Ballkan, atëherë në këtë funksion do të kisha theksuar se popujt e Ballkanit janë të prirë që vazhdimisht t’i kthehen së kaluarës, përkatësisht kategoria e kohës edhe më tej të konceptohet në mënyrë ciklike, apo si “kohë e ngrirë”, në të cilën qëndrojnë të kryqëzuara e kaluara dhe e tanishmja duke e mbajtur peng si zakonisht të ardhmen. Duhet theksuar se në funksion të afirmimit të së kaluarës kultivohet me të madhe edhe kultura e kujtesës kolektive, mes tjerash pse jo edhe nëpërmjet folklorit, përkatësisht epeve heroike dhe këngëve, rrëfimeve popullore dhe proverbave, si dhe koncepteve dhe imazheve stereotipe, veçmas ndaj tjetrit, apo ndaj atij që nuk është i llojit tonë. Nëse shërbehemi me logjikën e mitit, atëherë si mishërim më i mirë i kohës ciklike mund të jetë miti i Sizifit, përkatësisht dërgimi i gurit nga ana e tij deri në majë të malit dhe pastaj rrokullisja e tij tatëpjetë në greminë. Sizifi e përsëriste këtë veprim absurd me gurin, pa mos arritur të mësojë se çfarë fshihej pas majës së malit. Ndërkaq, në shoqëritë e qytetëruara, sidomos ato evropiane, qasja ndaj kohës është e natyrës lineare, pasi venerohet vetëm e ardhmja, kurse kujtesa kolektive nuk e ngarkon, apo nuk i vë barriera së ardhmes. Në disa shtete të Evropës, traumat historike janë tejkaluar, kurse në shtetet e Ballkanit ato janë të ndërlidhura fuqishëm me kujtesën kolektive që e stimulojnë dhe kultivojnë edhe elitat politike në funksion të mbijetesës së tyre politike. Afirmimi i së kaluarës ku tjetri si zakonisht perceptohet në rolin e armikut është ndoshta një anatemë, apo mallkim që i ndjek prore popujt e Ballkanit. Këtë fakt do ta kisha ndërlidhur në aspektin simbolik me mitin e Orfeut, sipas të cilit, ky i fundit do ta humbiste njëherë e përgjithmonë bashkëshorten e tij – Euridikën, pasi nuk iu përmbajt një norme që iu përcaktua paraprakisht. Në të vërtetë, ai përderisa e nxirrte bashkëshorten nga bota e vdekjes, apo bota nëntokësore, duhej të ecte para dhe nuk duhej ta kthente kokën prapa. Ai nga dashuria e madhe që kishte ndaj saj e ktheu kokën prapa për ta shikuar se vallë ajo ishte prapa tij, por me këtë rast, e humbi njëherë e përgjithmonë. Kjo simbolikë e mitit në fjalë, ndoshta flet më së miri se dashuria e skajshme ndaj së kaluarës, apo kthimi i kokës prapa me siguri se cenon, apo ngulfat të tanishmen, por veçmas të ardhmen. Kjo flet se duhet përfundimisht të çlirohemi nga ankthet e së kaluarës dhe duke i pranuar realitetet ekzistuese të hapërojmë drejt vlerave progresive evropiane që nuk kanë asnjë alternativë tjetër.
KOHA: Z. Murtezani, mund t’i jepni një sqarim se çfarë do të thotë miti, për shembull, miti politik?
MURTEZANI: Një thënie e filozofit të njohur Ernst Kasirer ndoshta është përgjigja më e mirë në këtë drejtim, sipas të cilit, miti është një oqean i errët dhe i pafund të cilit nuk i dihet as fillimi e as mbarimi. Si rrjedhojë, jo rastësisht, miti është preokupim i shumë disiplinave njohëse duke filluar nga letërsia, antropologjia kulturore, filozofia, sociologjia, psikanaliza etj. Megjithatë, nëse i referohemi definimit të tij në kontekstin bashkëkohor, atëherë sipas studiuesit të mirënjohur, Rolan Bart, miti ndërlidhet me mistifikimin, të vërtetën e fshehur, përmbysjen e realitetit dhe kundërvënien ndaj normave të konkludimit logjik. Ndërkaq, sot, në trajtën më sinjifikative shpërfaqet miti politik. Duhet theksuar se imagjinarja, apo mitikja në politikë, paraqitet në kohëra të krizave kur një bashkësi e caktuar kombëtare përjeton ndonjë tronditje, apo krizë identitare të llojit të vet. Nëpërmjet regresit, apo kthimit në mit kërkohet mundësia e daljes nga përditshmëria, arratisje nga realiteti dhe rikthimi në një siguri kinse primordiale, tejet të hershme, apo kthim në historinë e fëmijërisë kombëtare. Miti paraqet një vetë ngushëllim të llojit të vet dhe inkurajim, lirim nga ankthi, apo frika. Studiuesi i njohur i miteve, Zhirarde, thotë se është e çuditshme ajo fuqi reversibile e mitit, veprimi i të cilit orientohet edhe kah e kaluara, por edhe kah ardhmëria: ai është një lloj i kujtesës dhe keqardhjes nga ajo që ka ngjarë, por edhe një pritje mesiane e asaj që do të ndodhë. Periudhat e tilla të përthyerjeve kohore nxjerrin në shesh edhe heronjtë politikë të cilët ruajnë, apo sforcojnë legjitimitetin e tyre nëpërmjet eksploatimit të diskurseve me prapavijë mitike. Heronjtë e tillë politikë bëhen të rrezikshëm, veçmas kur pandehin se misioni i tyre është shpëtimi i bashkësisë nga ndonjë kanosje, qoftë edhe e natyrës fiktive. Gjykoj se elemente të tilla ngërthen në vete projekti “Shkupi 2014”, që do të mbahet mend si një model i fundit retrograd i manipulimit histerik me simbole dhe njëkohësisht disenjimit të një identiteti të ri në funksion të tejkalimit të një traume momentale.
KOHA: Si studiues i folklorit dhe etnologjisë, këto disiplina kanë kaluar nëpër një rrugë të gjatë të legjitimitetit. Cilat janë problemet reale në këtë drejtim?
MURTEZANI: Etnologjia dhe folkloristika, si dy disiplina të përafërta, por të ndryshme sipas lëndës studimore po kalojnë nëpër dy paradigma të qasjeve ndaj materialit të tyre empirik. Paradigma e parë, apo fillestare ndërlidhet me etnologjinë dhe folkloristikën tradicionale, e cila ishte pjesë e një lëvizjeje më të gjerë kulturore që ndërlidhej me epokën e romantizmit. Kjo epokë nëpërmjet konturave të saja epistemologjike, në suazat e kulturës popullore, kërkonte, kryesisht të lashtën, përkatësisht burimoren duke e ndërlidhur këtë me bashkësinë aktuale etnike të cilës i përkiste edhe vet autori, apo gjurmuesi. Pra, studiuesit e këtyre disiplinave shkencore gjurmonin pas mitikes së lashtë, përkatësisht kërkohej lidhja e artefakteve etnologjike dhe folklorike me popujt e lashtë, si: ilirët, thrakasit, dakët, sllavët e vjetër, keltët, indoevropianët, etj. Studiuesit glorifikonin mitin e tyre vetanak, përkatësisht etnokulturën e popullit me të cilin identifikoheshin. Në frymën e një gjykimi të tillë, të përkujtojmë se vetëm për baladën me temën e murimit që haset te popujt e Ballkanit, por edhe më gjerë janë shkruar me qindra punime shkencore në të cilat pretendohej, apo përkrahej teza se vendi nga të cilët ishin autorët ishte burimi, apo origjina e kësaj balade. Ndërkaq, folkloristika dhe etnologjia bashkëkohore, në kohën e postmodernizmit, kërkojnë dekonstruksionin e miteve dhe strukturave tjera narrative që janë krijuar në një kohë të caktuar në funksion të ndërtimit të identiteteve kulturore. Në këtë drejtim, studiuesi, Moris Albvash, thekson se çdo kujtesë kulturore paraqet rikonstruksion të llojit të vet, pasi asnjë kujtesë nuk është e mundshme ta ruajë të kaluarën në trajtë burimore, apo autentike, por nga ajo mbetet vetëm ajo “që shoqëria me sistemin e saj momental referues mund ta rikonstruoj në çdo epokë. Në kontekst të problemeve që ekzistojnë në shoqëritë e sotme, qasja moderne e studimit të kulturës popullore duhet të jetë e natyrës kritike që do të mëtonte nëpërmjet rezultateve konkrete të ndikojë në zgjidhjen ose pakësimin e problemeve shoqërore. Njëkohësisht kultura popullore duhet të venerohet në kontekst të transformimit të saj, apo në kontekst të bashkëkohësisë, pasi studiuesi Mark Bloh me të drejtë thekson se njerëzit më tepër janë bijë të kohës së vet sesa të etërve të tyre.
KOHA: Një thesar i çmuar nga njëri brez në tjetrin është tradita, si pasuri shpirtërore, pikëpamje, zakone, virtyte etj, që janë formuar historikisht në jetën e një populli dhe që ruhen e trashëgohen. Sa ruhet tradita shqiptare në mesin tonë, në përputhje me ligjin e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore?
MURTEZANI: Dyluftimi midis parimit statik që identifikohet me traditën dhe parimit dinamik që identifikohet me modernitetin, apo globalizmin me siguri se do të përfundoj me ngadhënjimin e këtij të fundit. Andaj duhet bërë çmos që tradita të ruhet me të gjitha atributet e saj. Në këto korniza, në funksion të mbrojtjes së trashëgimisë sonë shpirtërore, personalisht kam hartuar disa elaborate të cilat janë dërguar në Ministrinë e Kulturës ku edhe janë aprovuar. Elaboratet e hartuara u janë dedikuar kremtes pagane të Ditës së Verës te shqiptarët e Maqedonisë, sportit të mundjes, apo pehlivanllëkut në Komunën e Studeniçanit, si dhe festës së Shëngjergjit te shqiptarët e Maqedonisë. Të gjitha këto vlera kulturore me vendim edhe të Qeverisë janë përfshirë në Regjistrin nacional të vlerave kulturore në R. e Maqedonisë. Në kontekst të afirmimit të këtyre vlerave të trashëgimisë sonë etnokulturore, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë ka organizuar edhe Konferenca të ndryshme shkencore. Po ashtu në Ministrinë e Kulturës janë dorëzuar dhe presin të aprovohen edhe disa elaborate me vlera tjera të trashëgimisë sonë shpirtërore me ç’rast veçmas duhet të përmendet Karnavali i Bozovcës. Sivjet, me iniciativë të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, është paraparë që të hartohet edhe elaborati dedikuar këndimit dyzërësh te shqiptarët e Maqedonisë me qëllim që edhe kjo vlerë etnomuzikologjike të përfshihet më vonë në regjistrin nacional të vlerave të trashëgimisë kulturore në Maqedoni. Nënkuptohet se ky aktivitet është i vazhdueshëm dhe shpresojmë se ky valorizim i trashëgimisë shpirtërore do të rrjedh sipas dinamikës së paraparë. Kjo gjithsesi se nuk është e mjaftueshme, pasi etnokultura jonë është tejet e begatshme dhe meriton edhe më shumë. Ajo është pjesë e rëndësishme e qenësisë sonë kombëtare dhe me siguri se shkalla e përkujdesjes ndaj saj pasqyron, apo reflekton njëkohësisht edhe shkallën e qytetërimit tanë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.