Shkrimtari i ndaluar e një libër nga gremina

Ismail Kadare nxjerr nga hirnaja e harresës një emër, gjurmët e të cilit u zbehën e u mbuluan. E nis me ç’mban mend

46

Fatmira NIKOLLI

Do të mbeten të pashlyera në kujtesën e kryeqytetasve bordurat e Bulevardit të madh të Tiranës, kur fill pas rënies së komunizmit u shfaqën radhët e pafundme të librave që shiteshin drejt e në rrugë, prej njerëzve të rastit. Që në pamjen e parë binte në sy se ato libra ishin fryt i gjetjeve po aq të rastit. Libra të gjetura nëpër bodrume. Të dhëna nga familjarët, nga miqtë ose të njohurit. Disa herë nga gardianët e burgjeve. Me emrin e shokut të qelisë. Madje të hetuesit! Një kronikë e tërë njerëzore, dramatike si rrallëherë. Libra të ndaluar. Ende të palejuar për qarkullim”. Ismail Kadare nxjerr nga hirnaja e harresës një emër, gjurmët e të cilit u zbehën e u mbuluan. E nis me ç’mban mend. Kujton, se kahera, bordurat e bulevardit, patën qenë ‘rafte librash’ që dilnin nga harresa e ndalimi, e prej mohimit, me endje, kalimtarë që dikur i patën kërkuar mes pëshpërimash, tani, i kishin parasysh. Mbi to, gjendeshin copëza jete, “me shënime zakonisht jo fort të qarta: Burgu i Burrelit. Këneta e Maliqit. Muaji i mjaltit, Durrës”. Nga mesi i mjegullës, Kadare, “thërret” njërin prej tyre. “A është ai atje autori i një romani të ndaluar, që lexonin vajzat e gjimnazit duke e kaluar fshehtazi dorë më dorë? Gremina e dashurisë, në mos gaboj?” “Është pikërisht ai, Mustafa Greblleshi – thotë Kadare – që po del nga mjegulla me këtë libër të bukur dhe të fismë. Nxjerrja nga mjegulla e letërsisë së lënë në harresë, përveç anës emocionale, në rastin shqiptar është pjesë e një akti madhor të dorës së parë në krejt historinë e kombit.
Një ravijëzim i godinës së hotel “Dajtit”, në bardhezinë e një lapsi, një automobil, mbështetur mbi të cilin, një burrë me duar në xhepa hedh shikimin tutje në të majtë. Përballë tij shtrihet bulevardi, mbase i boshtë, me kujtesën e shpëlarë të një brezi që për të, pak di, a hiç. Vargonj mosdije ndajnë shikimin e përhumbur, ndërsa hapat tanat, shkelin mbi gjurmët që i fshinë.
Mustafa Greblleshi “Kujtime 1939-44”. Është hera e parë që dalin në dritë, në një botim të fisëm që mban logon “Çabej”. Parathënia është e Ismail Kadaresë, nga një shkrimtar për një shkrimtar, ky rikthim i “të ndrojturit” të mënjanuar, bëhet me i sigurt. Ajo lehtësi e papërballueshme e qenies, do thoshte Kundera.
“Mendimi letrar shqiptar përherë e më tepër do t’u jetë mirënjohës studiuesve që janë përpjekur e vazhdojnë të përpiqen për daljen nga harresa të shkrimtarëve shqiptarë të shekullit që porsa shkoi”, shënon Kadare në atë parathënie, duke u kujdesur të vërë në dukje se “harresa në letërsi është e pashmangshme, madje renditet si një nga dukuritë e domosdoshme të saj, ajo që quhet përzgjedhja e vlerave. Falë kësaj të fundit, letërsia përgatitet për jetën e saj të vërtetë, atë të ardhmen, shekulloren. Këtu nuk bëhet fjalë për këtë harresë të natyrshme, por për harresën e dhunshme, shkaktuar prej egërsisë së një epoke, prej cinizmit, burgjeve dhe prangave të saj”. Kadare vëren se nëpërmjet këtij libri (Kujtimet 1939-44) të Mustafa Greblleshit, për lexuesin e sotëm bëhet e qartë se përse kjo periudhë kaq pasionante e letërsisë shqipe (vitet ‘30) ka qenë jo vetëm e padashur për regjimin që shkoi, por mbetet ende sot në gjysmëhije. “Mustafa Greblleshi nuk renditet ndër kolosët e kësaj periudhe: Poradeci, Migjeni, Noli, Pasko. Por, ai është një shkrimtar tipik, nga ata që edhe duke qenë vazhdimisht në hije, kujtesa i kërkon dhe më në fund i gjen. Shkurt, ashtu siç ndodh në disa letërsi europiane, edhe duke mos u renditur tek shkrimtarët më të rëndësishëm, ai pa droje mund të përmendet tek të paharrueshmit, një cilësim që letërsisë si shumëçka tjetër i lejohet. Regjimi komunist nuk e ka pasur lehtë me letërsinë e viteve ‘30. Ai i provoi gjithë egërsitë dhe dinakëritë e tij për ta nxjerrë jashtë jetës shqiptare, duke nisur nga kërcënimet e rrallëherë marrjet me të mirë, gjer tek torturat mizore”, – shkruan Kadare. Parathënia e Kadaresë merr përsipër edhe të na njohë me Greblleshin shkrimtar e njeri, kur njëzetvjeçar botoi shkrimet e para dhe fill pas tyre romanin “Gremina e dashurisë”, që siç thotë Kadare, fitoi aty për aty një famë të papritur, epoka e fashizmit në Shqipëri po merrte fund, për t’ia lënë vendin asaj të rendit komunist.
“Shkrimtari i ri, plot pasion për letrat dhe artin, duhet ta ketë kuptuar se koha ishte e gabuar pikërisht për letërsi dhe art. Veprimtaria antifashiste që kishte pasur nuk e ndihmoi të shihej me sy të mirë nga regjimi i ri, ndonëse ai nuk dha ndonjë shkas. Në të vërtetë shkaku ishte, por i fshehur: romani ‘Gremina e dashurisë’. Ndonëse ishte një roman i bukur dashurie, pikërisht ngaqë ishte i tillë, romani krijonte bezdi. Të gjitha përpjekjet e sinqerta të Greblleshit për t’u futur në jetën e përditshme artistike dhe shoqërore do të ndeshnin në ftohtësinë e regjimit, gjersa në vitin 1947, si shumë intelektualë të tjerë, do të arrestohej, pa shkak. Pas daljes nga burgu, jeta e tij do të ishte një ankth, në të cilin ai nuk arrinte të kuptonte për ç’shkak nuk burgosej prapë, e aq më pak për ç’arsye mund të lirohej, në qoftë se kjo ndodhte”, shkruan Kadare. Sipas tij, Greblleshi ende djalosh, plot energji e me një njohje letrare të madhe, e ka kuptuar, me sa dukej, se ishte pikërisht letërsia që po e merrte më qafë. “Si rrjedhim, ai jo vetëm u detyrua të heqë dorë nga punët që lidheshin me kulturën, për t’u bërë vite me radhë thjesht bojaxhi, por e shpalli këtë më 1963, duke botuar librin me tregime ‘Albumi i një bojaxhiu’. Është një nga shembujt më tronditës për atë që është quajtur ‘taksë për të qenë shkrimtar’. Duhet thënë se as kjo nuk e ndihmoi për t’u bërë pjesë e asaj bote që e donte aq shumë, por që me sa dukej, jo rastësisht, lidhej me fjalën greminë”, – shkruan Kadare.
Ai kujton mandej se Mustafa Greblleshi nuk u përmend më asnjëherë si shkrimtar gjersa vdiq i harruar më 1986. “Ndaj homazhi që i bëhet me këtë botim, nën kujdesin e Anna Shkrelit, tridhjetë vjet pas ndarjes së tij nga jeta është dyfish prekës e meriton gjithë vëmendjen e mirënjohjen tonë. Në ëndërrimet e tij, me siguri letërsia do të ketë qenë e pranishme, në format dhe përfytyrimet më të larmishme. Veçse vështirë se kjo mund të shfaqej aq bukur, aq mrekullisht, siç ndodhi vërtet pas rënies së komunizmit, te bordurat e Bulevardit të madh të Tiranës, atëherë kur lexuesi i parë ka ndalur hapat për të pyetur: ‘Mos e keni romanin Gremina e dashurisë? Në kohën time ka qenë aq i njohur…”, thotë në fund Ismail Kadare.
I lindur në Tiranën e 1922-it, Grebleshi në vitet 1942-1944 pati një veprimtari të gjerë letrare e publicistike, çka dëshmohet nga shtypi i kohës e ku përfshijmë edhe ndonjë novelë, a satirë ku me pseudonim shfaqej në revistat “Njeriu” e “Bleta”. Nuk mbeten jashtë vëmendjes as përkthimet e tij, ku veçohen novelat e Pirandelos a përrallat arabe “Një mijë e një net”, etj. U shua, më 22 maj të 1986-ës, si shkrimtar i harruar, i kthyer në bojaxhi. Këtë maj, në të 16-ën ditë të tij, në hotel “Dajti”, ky libër kujtimesh do të promovohet mes një rrethi miqsh e lexuesish të letërsisë, qoftë ajo e ardhur nga greminat.

Të Ngjajshme