Shkup, 22 prill – Sfida e së dielës mes dy skuadrave shqiptare Shkëndija dhe FC Shkupi do të jetë dueli ku në lojë janë objektiva të mëdha. Pas fitores ndaj Vardarit në mesjavë, kuqezinjve u nevojitet edhe një pikë për tu shpallur edhe zyrtarisht kampion të ri të Maqedonisë, derisa FC Shkupi pas fitores ndaj Akademija Pandevit kërkon të vazhdojë ëndrrën e saj, plasmanin në pozitën e katërt, e cila qon në Evropë, në rast se pikërisht kundërshtari i së dielës Shkëndija, fiton edhe trofeun e Kupës së Maqedonisë. Ecuria këtë sezon flet në favor të kuqezinjve që nuk njohin humbjen në dhjetë ndeshje në sezonin pranveror, ndërsa në përballjen e cila u zhvillua në pranverë në stadiumin “Boris Trajkovski” fituan Shkupin me 0-3.
Ndryshe, tek të dyja skuadrat po mbizotëron një atmosferë e mirë, sidomos te skuadra e Shkëndijës. “Na pret ndeshja me Shkupin ku ne kemi mundësi edhe matematikisht të sigurojmë titullin e kampionit. Jemi shumë pranë dhe euforia ka nisur që nga fitorja e fundit në fushë të Vardarit, mirëpo kjo vlen vetëm deri në momentin kur të nisë takimi. FC Shkupi duket se gjen formën e duhur dhe ne jemi të vetëdijshëm se deri te objektivi mund të arrijmë vetëm me qasje serioze. Duam të sigurojmë titullin, për mua do të jetë hera e dytë, gjithashtu edhe për Shkëndijën”, pohon kapiteni Ferhan Hasani. “Normal do të jetë titulli i parë i klubit nën ombrellën e ‘Ecologut’ dhe ne jemi të lumtur që me sukses realizojmë një plan të sponsorit. Mendoj se deri në fund çdo ndeshje e jona do të jetë festë në vete. Më gëzon fakti se jo vetëm që ne do të jemi kampionë, por kemi dominuar në tërësi ligën. Ky titull garanton se Shkëndija do të vazhdojë të fitojë edhe shumë tjerë pas klubi tani më ka hyrë në binarët e duhur. Mezi presim fundin, pasi Tetova ka qenë dhe do të jetë shembull për ndeshje të këtilla. Duam edhe një herë tu tregojmë të gjithëve në vend se si bëhet një festë e vërtetë e kampionit”, deklaroi për KOHA, Ferhan Hasani.
Në anën tjetër, autori i njërit prej golave në fitoren e Akademija Pandevit, Bunjamin Shabani, thotë se do të japin maksimumin për rezultat pozitiv. “Kemi zhvilluar dy ndeshje të mira, atë kundër Vardarit dhe ndaj Akademija Pandevit, veçmas fitorja e fundit ndaj Akademijna Pandevit ka ngrit atmosferën në ekip. Natyrisht se jam i lumtur edhe për golin që shënova, por më shumë i jam gëzuar fitores, pasi na duhej një fitore. Por, nuk kemi kohë shumë të mendojmë për ndeshjet që lamë pas, pasi të dielën na pret një ndeshje mjaft e vështirë në kundër Shkëndijës në Tetovë. Shkëndija ka dëshmuar se është ekip shumë kualitativ, por ne do të luajmë lojën tonë dhe do të japim maksimumin për rezultat pozitiv”, u shpreh Shabani. Për ndeshjen e të dielës, përveç Vujçiçit të lënduar, Shkupi do të ketë mungesë edhe Bllagoja Ljamçevskin, i cili në ndeshjen e fundit u ndëshkua me karton të kuq.
Në përballjet tjera, Sileksi do të përballet me Renovën, një sfidë e vlefshme për pozitën e katërt, derisa Rabotniçki e cila gjithashtu lufton për pozitën e katërt, do të pres Pelisterin, e cila po lufton për mbijetesë. Pobeda do të pres kampionët aktual Vardarin, ndërsa përballje interesante pritet të zhvillohet mes “Skopjes” dhe Akademija Pandevit.
DYSHET:
Sileksi – Renova
Skopje – A.Pandev
Rabotniçki – Pelisteri
Pobeda – Vardari
Shkëndija – Shkupi