Autoritet gjyqësore amerikane përgatiten për ngritje të akuzës formale për themeluesin e Uikiliksit, Xhulian Asanzh dhe për arrestimin e tij, njofton Si-En-En, duke iu referuar burimeve në Ministrinë e Drejtësisë. Zbulimi i kësaj kompanie televizive vjen pasi drejtori i ri i CIA-s, Majk Pompeo e akuzoi Uikiliksin se vepron si armik i SHBA-së, ndërsa Prokurori shtetëror Xhef Seshëns dje tha se “arrestimi i Asanzhit bëhet çështje prioritare”.
Ndryshimi i qëndrimit të autoriteteve amerikane ndaj Uikiliksit dhe Asanzhit, që zvarritet gati shtatë vjet, sqarohet me zbulimin e momenteve të reja të rastit. Sipas Si-En-En, janë zbuluar dëshmi se Asanzh i ka ndihmuar Eduard Snoudenit në zbardhjen e dokumenteve të vjedhura të klasifikuara të Agjencisë kombëtare të sigurisë (NSA) para se ai të ikë, përmes Hong Kongut, në Rusi ku tani qëndron.
Ministria amerikane e Drejtësisë, hetimin e saj të parë e filloi që në vitin 2010, kur Uikiliks publikoi mijëra dokumente të besueshme dhe dokumente sekrete të qeverisë amerikane që i vodhi nga ish analisti i inteligjencës ushtarake, tani i njohur si Çelsi Maning. Xhulian Asanzh, ish haker australian, nga qershori i vitit 2012, fshihet në Ambasadën e Ekuadorit në Londër, që të mos ekstradohet në Suedi, ku është i dyshuar për dhunë seksuale.