Kampionia indiane e shahut, Soumya Swaminathan, u tërhoq nga një turne aziatik në Iran, për shkak të ligjit për mbulim të detyrueshëm të kokës në këtë vend. Swaminathan tha se ky rregull është shkelje e të drejtave të saj personale. “Në rrethanat aktuale, mënyra e vetme për mua që të mbroj të drejtat e mia personale, është të mos shkoj në Iran”, tha ajo në një postim në Facebook. Kampionati i Shahut në Azi do të nisë muajin e ardhshëm në Iran. Swaminathan, e cila është numër 5 në Indi, u tha mediave lokale se turneu, fillimisht, ka qenë e paraparë të mbahet në Bangladesh. “Me publikimin e datave dhe vendit të ri, unë u tërhoqa”, tha ajo. Kjo nuk është hera e parë që një atlete e Indisë tërhiqet nga një turne, për arsye të njëjtë. Heena Sidhu, qitëse me armë, u tërhoq nga një turne në Iran në vitin 2016.