Shkup, 7 mars – Me 11 vota “për”, një “kundër” dhe një “të përmbajtur”, Këshilli Programor i Radiotelevizionit të Maqedonisë ka miratuar Kodin Etik për gazetarët e RTM-së, shkruan gazeta KOHA. Para së të votohet, anëtari i këtij Këshilli nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë edhe njëherë kërkoi nga anëtarët tjerë që të shtyhet pika e rendit për miratimin e Kodit Etik, pasi siç u shpreh ai, Kodi në fjalë gjithçka mund të jetë, vetëm Kod Etik jo. “Kërkoj nga anëtarët e Këshillit të mos e miratojnë si të tillë Kodin Etik, pasi i njëjti në formën siç na është prezantuar, nuk do të përmirësojë punën dhe raportimin e gazetarëve. Përkundrazi, do të shkaktojë huti dhe probleme të shumta në punën e servilit publik. Siç kemi theksuar edhe në vërejtjet e mbledhjeve më parë nga ana e SHGM-së, e ku pjesa më e madhe nuk u pranuan nga ky Këshill, ky Kod Etik ashtu siç na është prezantuar, i jep hapësirë përplasjes së parimeve të disiplinës së punës me etikën gazetareske. Ju lus që, vendimi për miratimin e Kodit Etik të shtyhet për kohë tjetër derisa shërbimet e RTM-së të na sjellin një Kod ashtu siç e kanë servilet publike në rajon dhe më gjerë”, tha anëtari i SHGM-së, i cili paralajmëroi se shumë shpejt do të vijmë në një situatë që, po ky Këshill, do të votojë për shfuqizimin e Kodit Etik, ashtu siç kishte ndodhur vitin e kaluar kur udhëheqësia e RTM-së insistonte të miratohet Kodi Etik pa debat publik. Paraprakisht, në një reagim drejtuar mediave, edhe SHGM u kishte kërkuar nga Këshillit Programor të anulojë miratimin e Kodit Etik, ndërsa kishte paralajmëruar për pasoja ndaj gazetarëve nga udhëheqësia e televizionit në rast se miratohet ashtu siç ishte propozuar nga udhëheqësia e RTM-së. Ndryshe, nga 33 vërejtje të anëtarit të SHGM-së, shumica e anëtarëve të Këshillit programor të RTM-së ka pranuar vetëm 12 vërejtje. (koha.mk)