Delvina KËRLUKU
Afrim Spahiu është profesor, fotograf dhe producent arti. Është lindur në Dibër të Madhe më 3 maj të vitit 1951. Aty ka përfunduar shkollimin fillestar dhe të mesëm. Në vitin 1975 ka mbaruar studimet në Akademinë e Teatrit, Filmit dhe Televizionit në Universitetin e Zagrebit, në studion e profesor Nikolla Tanhofer. Jeton dhe krijon në Prishtinë. Ka punuar në Radiotelevizionin e Prishtinës dhe si drejtor i fotografisë në “Kosova Film”. Ka qenë drejtor fotografie në rreth 15 filma artistikë prej vitit 1977. Ka marrë disa çmime, përderisa ka qenë edhe kurator i ekspozitës ndërkombëtare të fotografisë artistike “Gjon Mili” në edicion e pestë.
KOHA: Jeni profesor, drejtor fotografie, xhirues. Cila fushë Ju bën më shumë krenar?
SPAHIU: Në mbijetesën time si njeri dhe artist, gjithmonë kam qenë në kërkim të së bukurës. Duke perceptuar realitetin në detaje, krijoj mundësinë e nxjerrjes (shpërthimit), dhe vizualizimit të imagjinatës, gjithmonë në përjetësim shpirtëror e krijues të një imazhi estetik. Veprimtaria ime në fushën e fotografisë filmike, në detyrën e drejtorit të fotografisë dhe kinematografit, në shumë filma dokumentarë, të dedikuar, të shkurtër dhe artistik të metrazhit të gjatë, të produksioneve vendore e ndërkombëtare, më bën krenar. Njëkohësisht, angazhimi në disa universitete në Kosovë dhe Maqedoni, në orvatje të ngritjes dhe shpërndarjes edukative të dijenisë profesionale nga fusha e IMAGE-s (fotografisë – shëmbëllimës), gjithashtu, më bën krenar. Kam mbajtur edhe punëtori praktike (workshop), simpoziume kombëtare dhe ndërkombëtare, pjesëmarrës në forume e debate për filmin dhe fotografinë si nocion artistik, jam ndjerë krenar. Por, më shumë krenar, më bëjnë veprat që unë kam realizuar, pasuria ime shpirtërore dhe artistike, ajo që ndalon dhe fikson për një çast orën e kohës me fuqinë disperzive të një spektri ngjyrash ose shkallëzimit gri si magji e modifikuar, mu ashtu siç është jeta.
KOHA: Pse e zgjodhët fotoaparatin (kamerën)?
SPAHIU: Kam lozur me lojëra të ndryshme si fëmijë, nga natyra dinamik dhe eksplorues në gjithçka që më rrethonte… Edip Turkeshi, intelektual dhe personalitet i veçantë në Dibër të Madhe, fotografinë e kishte si hobi, e realizonte dhe i zhvillonte fotografitë bardhë e zi në një laborator të improvizuar…! Aty mësova “hapat e parë”, dhe me shumë pasion e ndjekja duke i asistuar në gjithë veprimet që i bënte në dhomën e errët. Kaloi një kohë dhe në Dibër ndodhi katastrofa e tërmetit që kumboi anë e mbanë botës, një mik holandez nga Amsterdami, që e pata shoqëruar në Dibër vite më parë, i emocionuar nga situata me shkroi dhe në ndjesi dhembjeje, më dërgoi një paketë me ca veshje dhe një foto-kamerë AGFA…Gëzimi ishte shumë i madh, flija me të…!
KOHA: Cilat janë karakteristikat e shenjëzimit nga kamera juaj?
SPAHIU: Vizualizimi fotografik ose kinematik është realizim i fshehët (latent), dhe pas çdo shkrepje të foto-kamerës, fshihet një mendim fotografik i autorit që e realizon, ai mundet të jetë i qartë ose abstrakt, stil dhe gjini të caktuar, të cilin shikuesi e zbulon dhe e admiron në masë, duke kërkuar dhe interpretuar me ndjesi kuptimin teknik dhe artistik. Fotografitë e mija komunikojnë qartë dhe drejtpërdrejtë, përçojnë ide me rregullat e gjuhës së arteve pamore, si shenjëzime përjetësimi me fuqinë realiste (simbolike e tradicionale) – abstrakte (konteporane), si krijime të veçanta apo të një teme të caktuar.
KOHA: Keni qenë pjesë e shumë filmave. Sa është e vështirë të “kapen” pamjet e projektuara në skenar?
SPAHIU: Me kohë, gjatë krijimtarisë në vepra të ndryshme filmike, kultivoni dijeni dhe përvojë që të shmangni vështirësitë gjatë realizimit dhe vizualizimit të skenarit letrar, në aspektin teknik, përmbajtjesor dhe artistik. Zakonisht dështimet dhe mos realizimi i paraparë me skenar, janë të faktorit menaxhues dhe krijues. Qasjet dhe veprimet joserioze gjatë parapërgatitjes të projektit, mosrespektimi i standardeve krijuese gjatë realizimit në hapësirë dhe skenë, mundësojnë dështimin e realizimit të skenarit si tërësi! Si pasojë, radhiten edhe shumë faktorë të tjerë, mungesë buxhetit hap të gjitha pakënaqësitë që mundet të ketë një ekip realizues, nguti dhe veprime sa “për sy e faqe”, pa koncept dhe mbështetje të frymës artistike. Lidhen kuadrot në sekuenca dhe episode si një tërësi, shumë procese të efekteve teknike dhe speciale anashkalohen me parulla boshe “bën edhe pa ta “duke dëmtuar veprën filmike në skenar dhe faktorë të tjerë që e përbëjnë.
KOHA: Pse vendosët të studioni në Zagreb?
SPAHIU: Dëshira e ime ka qenë të studioj fotografinë filmike në një shkollë profesionale evropiane, e deshi fati dhe konkurrova në Akademinë për Film dhe Televizion në Zagreb. Kalova testin në një konkurrencë me numër të madh dhe kandidat të mirë. Njëkohësisht ishte edhe gëzim i madh, një dibran, shqiptar i vetëm në atë kohë, pranohet në një shkollë filmi evropiane…!
KOHA: Çfarë dallimi ka Prishtina me Zagrebin?
SPAHIU: As që duhet menduar në ndonjë krahasim, janë dy botë! Zagrebi, qytet me histori mijëvjeçare, me infrastrukturë urbane dhe arkitekturë evropiane, me universitet me traditë 350 vjeçare, institucione shkencore, muze, galeri, kinema, teatër kombëtar me një godinë arkitektonike në stilin neobarokian tradicional, salla madhështore Vatrosllav Lisinski, qyteti i vjetër me pedonalen Ilica,etj. etj. etj! Prishtina, një qytezë me prapambeturin shekullore sapo kishte filluar jetën e qytetërimit pro evropian… !
KOHA: A është Prishtina një vend i përshtatshëm për të shprehur dhuntinë tuaj?
SPAHIU: Pas përfundimit të studimeve, Kosova ishte në proces të liberalizimit politik, sapo kishin filluar të hapen institucionet kulturore dhe shkencore , gjithçka frymonte shqip, po atë vit u punësova në Radio Televizionin e Prishtinës, ishte një kohë e një rinie që shoqërohej dhe ndjehej një pozitivitet për një ardhmëri që e ëndërronim… ! Një kohë që do kujtohet dhe analizohet gjatë, si një gur-themel i revolucionit kulturor të shqiptarëve në ish Jugosllavi. E dua Prishtinën si qytet edhe si kryeqytet, e shtrirë mes kodrave dhe pa lum, me gjurmë të kohës otomane dhe ndërtime urbane nga koha e socializmit jugosllav, me gjurmë të periudhave historike nga neoliti deri te mesjeta, me qytetin antik Ulpiana, si qendër kryesore administrative, universitare, ekonomike, sportive dhe kulturore e Kosovës. Me vite vuajta me të, rezistova e u mishërova me atmosferën ballkanase, një vend për mua shumë praktik edhe në fushën e fotografisë, me katër stinë, me natyrë të pasur e të bukur në hapësirë të vogël gjeografike …
KOHA: Shkolla e kamerës filmike e televizive është në Tetovë, ndaj dhe jeni shpesh në Maqedoni, përkatësisht në USHT. Si janë kushtet dhe a mund të presim kameramanë të mirë?
SPAHIU: Përkundër vullnetit të mirë dhe angazhimit 10 vjeçar të disa ligjëruesve që sakrifikojnë jo vetëm kohën, por edhe energjinë fizike, mendore dhe profesionale, nuk mundën të krijojnë një shkollë që do t’i përmbushte standardet bashkëkohore ! Megjithë sakrificën, pas pesë gjeneratave, nxorën në dritë një numër të mirë studentësh të drejtimit Kamera Filmike dhe Televizive (kameramanë akademik), me dijeni e virtyte profesionale, mundësi dhe shpresë për cilësi të imazhit dhe kontribut në shumë qendra mediale në vend dhe jashtë. Mësimi zhvillohet në ambiente të Pallatit të Kulturës si aneks i adaptuar, pa laboratorë (teknologji elementare për fotografi dhe film), profesorë të angazhuar me dy e më shumë lëndë profesionale në gjuhën shqipe dhe atë maqedonas, pa përkthim profesional! Dhe, në vend që të motivohen dhe shpërblehen për rrugën e mundimshme, të kompensohen me dieta dhe ndonjë shpenzim të paplanifikuar, ata paguhen pas 5, 6 e më shumë muajve të vitit akademik!
KOHA: Si e shikoni ju komunitetin e artistëve shqiptarë në Maqedoni?
SPAHIU: Janë në frymëmarrje ende pranverore, zgjimi i vonuar që ka bërë edukimi dhe komunikimi rajonal, janë shpresë e mirë për të kompensuar atë që s’është bërë për një shekull! Vitet e fundit ka më shumë prezantime kolektive edhe autoriale, me vlera të mirëfillta të fushave dhe gjinive të ndryshme, si realizime klasike dhe konteporane. Kemi rini akademike të shëndoshë dhe plot entuziazëm, duhet edukuar dhe drejtuar në familjen politike, kulturore dhe shkencore me modelin evropian.
KOHA: Nga karriera juaj, cilin bashkëpunim do e quani të paharrueshëm?
SPAHIU: Në një situatë tejet të vështirë politike, ekonomike dhe kulturore që e gjeti Kosovën nga regjimi serb, i lodhur e i stresuar, më vjen ftesa nga Tirana! Regjisori shumë i mirënjohur shqiptar, Kujtim Çashku, përgatitej të realizojë projektin e filmit “Kolonel Bunker” me aktorin me famë ndërkombëtare Bekim Fehmiun në rolin e kolonelit. Për mua ishte një emocion i papërshkruar, të jem në ekip me një regjisor shqiptar dhe me kolosin e aktrimit me famë botërore në mëmëdhe! Ëndërr e bukur! Bekimi dhe Kujtimi kanë pasur shumë biseda e konsultime rreth skenarit, mënyrës së krijimit dhe realizimit të projektit filmik, dhe përkundër dëshirës dhe lutjeve që unë i shtrova me shumë sinqeritet, i madhi Bekim nuk e pranoi! Kosova para luftës, Shqipëria në hapat e para të tranzicionit, e unë me ëndrra filmike për Kolonelin dhe të madhin Bekim! Përgatitjet zgjatën tri vite dhe për të mirë projekti mori konfirmimin e një bashkëprodhimi ndërkombëtar mes Shqipërisë, Polonisë dhe Francës. I gjetur para një ekipi të përzier profesional, me komunikim në disa gjuhë, me bashkëpunëtor ë të shkollave dhe përvojave të panjohura për mua, ia dola të sfidoj të gjitha problemet që e mbërthejnë një kohë dhe një projekt te tillë. Kënaqësia ishte e veçantë…!
KOHA: Cilat janë kontaktet tuaja me personazhe të njohur të artit shqiptarë. Mund të na përmendni disa emra konkrete dhe vlerat që përcjellin tek ju?
SPAHIU: Me krenari dhe me shumë emocion kujtoj bashkëpunimin me artistët nga fusha të ndryshme të artit në regjion dhe më gjerë…Kujtoj me nostalgji dhe mirënjohje artistët, të teatrit, të filmit dhe të artit pamor që nuk i kemi fizikisht,por vepra, respekti dhe merita janë të padiskutueshme në zhvillimet kulturo artistike të gjeneratave që vijnë. Aktorët e admiruar: Abdurrahman Shala, Istref Begolli, Melihate Ajeti, Xhevat Qena, Avdush Hasani, Malo Gami, Hazir Miftari, Shani Pallaska, Muharem Qena etj. Artistët dhe profesorët Muslim Mulliqi, Agim Çavdarbasha etj. etj.
KOHA: Mund të përmendni dikë që ka qenë apo vazhdon të jetë pjesë e inkurajimit tuaj?
SPAHIU: Hapat e parë gjithmonë janë të vështirë, kam pasur shokë që me fushëveprimin artistik kanë ndikuar dhe më kanë inkurajuar në shumë situata krijuese…Agim Çavdarbasha dhe Agush Beqiri, njëri skulptor e tjetri disenjator i enterierit, dy karaktere figurative, profesorë të shumë gjeneratave dhe krijues që në kohën e shoqërimit më frymëzonin me fuqinë krijuese dhe karakterin e të qenurit artist.
KOHA: Veproni dhe jetoni në Prishtinë, por keni lindur në Dibër të Madhe. Ç’është vendlindja për Ju?
SPAHIU: Thuhet në popull : ‘Me kë rri, ashtu edhe bëhesh”! I akomoduar në Prishtinë për pesë dekada, ndjehem me plot mall dhe kujtime për Dibrën e Madhe, për rrugicat me kalldrëmin që më shpinte drejt mëhallës së njohur BUDULEC, atje ku u linda e u rrita, mora mësimet e para, përjetova gëzimet fëmijërore me lojë që ishte në kërkim të së bukurës, recitova vjershat, luajta rolet e para si aktor në dy drama, aty ku hodha hapat e parë drejt pasionit të jetës. Aty ku janë të parët e mi, frymëzimi dhe përjetësimi i dashurisë ndaj atdheut.
KOHA: Sa shpesh e vizitoni vendlindjen?
SPAHIU: Deri sa ishte gjallë nëna ime, Meseret,vizitat ishin të shumta gjatë vitit, tani shumë rrallë …!
KOHA: Familja juaj është e madhe?
SPAHIU: Po, e madhe në Dibër, Strugë, Pejë, Shkup, Tiranë, Nju Jork… ! Në Prishtinë madhësinë ma krijojnë dy vajzat: Anila dhe Rea. Njëra në fakultet dhe tjetra ne shkollë fillore. Natyrisht edhe “vajza” më e madhe – bashkëshortja Sevdie!
KOHA: Çfarë gjuhë të përbashkët kanë një doktoreshë dhe një artist?
SPAHIU: Mirëkuptimi për disa veprime që arti i ka si beneficion të një konformizmi profesional, përndryshe, asgjë s’kanë të përbashkët përveç jetës bashkëshortore…!
KOHA: Thonë, kush ka vajza, botën ka?
SPAHIU: Me siguri është një pasuri dhe ndjesi më sensibile nga gjinia mashkullore, janë më të afërta dhe me kohë bëhen edhe më të dashura për prindër. Natyrisht edhe kënga e performuar me ritëm dhe intonacion të shkëlqyer nga motrat Libohova, ngrit emocionin sikur refreni nga kënga:
…fëmijët janë gëzimi i shtëpisë
kur janë frut i dashurisë …
KOHA: Me ju më shumë mburren studentët, familja, Dibra apo Prishtina?
SPAHIU: Përgjigjen duhet kërkuar në opinion, që është një “barometër” dhe realitet emocional. Me të gjithë ndaj afërsi dhe dashuri, si pedagog, prind e bashkëshort, si qytetar. Ndjehem krenar për rrugëtimin tim e jetën artistike, me përplot sfida, komunikime e emocione të vlerave qytetare. Përveç studentëve, familjes, Dibrës time të dashur dhe Prishtinës të përjetësisë, janë edhe ata që nuk kanë ndonjë afërsi të drejtpërdrejtë nga fusha e veprimtarisë time, i falënderoj përzemërsisht.
KOHA: Keni dhënë kontribut të ndjeshëm për artin shqiptar. Si kundër-shpërblim,ç‘keni marrë?
SPAHIU: Një fjalë e urtë thotë : Çfarë ke mbjellë, atë do korrësh! Ndjehem shumë i nderuar që në moshën e re për angazhimin si recitues, aktrim dhe fotografi, jam shpërblyer me çmime simbolike si frymëzim drejt rrugëtimit artistik. Më vonë si profesionist, shpërblehem me çmimet nga festivalet e filmit në Beograd, Pulë, Kanë, Manastir dhe Tiranë. Në dy festivalet e filmit shqiptar mora çmimin: “Kamera më e mirë” për filmat: “Kolonel Bunker”, me regjisor Kujtim Çashku dhe “Lule të kuqe, lule të zeza”, me regjisor Mevlan Shanaj. Janë edhe disa çmime të tjera që më inkurajojnë në vazhdimësinë krijuese.
KOHA: Kur krijohet synimi madhor për një artist?
SPAHIU: Artisti është gjithmonë në kërkim, në raport me ndryshimet që ndodhin, me kërkesat në kohë të artit, duke krijuar mjeshtërisht dhe dhuruar pa fund vepra që do të shëmbëllejnë edhe për brezat që do të vijnë …
KOHA: Mendoni që diçka i ka munguar karrierës suaj për të qenë ajo edhe më e pasur?
SPAHIU: Pengesat me shekuj që kanë shkaktuar “Erërat e forta” mbi këtë nënqiell, kanë lënë pasoja që vështirë shërohen dhe në këtë amulli nuk kam mundur të realizoj shumë ide dhe koncepte konkrete! Në vitin 1981 gjatë vizitës në Kosovë, kam shoqëruar Zonjën e madhe të filmit shqiptar, regjisoren Xhanfise Keko, Artiste e Popullit, personalitet me vlera të jashtëzakonshme në artin kinematografik dhe kulturën shqiptare. Pas projeksionit të filmit “Gjurmë të bardha”, më përgëzoi për fotografinë e filmit dhe shprehu dëshirën që të realizojmë bashkë një film në ‘Kinostudio’. “Fluturova” nga gëzimi dhe për disa ditë isha vetëm me ëndrra filmike. Por, siç ndodh në jetë, nga gëzimi i tepruar vjen hidhërimi, filluan demonstratat gjithë-popullore dhe u ndërprenë edhe ato pak komunikime që i patëm! Jemi takuar pas luftës, e kam shoqëruar gjatë javës së filmit shqiptar në Prishtinë, kemi kthyer kujtimet e vitit 1981 me emocione dhe plot dashuri miqësore.
KOHA: Veprat e juaja a kanë formë alegorike?
SPAHIU: Fotografia si kompozicion nuk është kufizim i mbyllur, në brendinë e saj ka forma dhe detaje të ndryshme me madhësi dhe përbërje të strukturës analoge apo digjitale. Ato mund të ekspozohen apo të përdoren në media edhe si rikomponime të formatit dhe materialit të shtypur (print), ose të renditura si koncept tematik, sikur në ekspozitën e parafundit(2016) në Galerinë Kombëtare në Prishtinë: ‘Fundi i Varkësë së Noas’, që kishte si motiv impresionimin biblik, duke na reflektuar një përjetësim figurativ e shpalosje të një mbijetese në formë alegorike.
KOHA: Fotografitë tuaj shprehin dramë, apo…?
SPAHIU: Fotografitë e mija nuk janë ‘Ai’ aparati i vogël. Ato janë shumë më të thella, janë ndjenjësore dhe dramatike, janë filozofike.
KOHA: Ngjyrat bardhë e zi, çfarë shprehin për ju?
SPAHIU: Fotografia bardhë e zi e sajuar nga e bardha dhe e zeza, përbën nuanca monokromate të toneve të ndryshme, si element ndërtimi të formave dhe grafizmit të lojës së pastër mes dritës dhe hijes, mes kontrastit dhe ndritshmërisë më të theksuara se ajo me ngjyra. Në aspektin psikologjik fotografia bardhë e zi asocion me kreativitet, stabilitet dhe fuqi dramatike. Reflekton simbolikë, emocione dhe interpretim delikat me më pak realizëm se fotografia me ngjyra. Duke akomoduar syrin dhe mendjen në të bardhën dhe të zezën, fitojmë përshtypje dhe perceptim të fuqisë artistike në kuptimin e “pikturës njëngjyrëshe”. Ngjyrat bardhë e zi në fotografi, sipas meje, janë një hap më larg nga realitetit dhe një hap më afër simbolizmit emocional dhe figurativ.
KOHA: Cilat janë stilet dhe zhanret tuaj në art?
SPAHIU: Është një botë e përmbledhur me fotografi të gjinive, zhanreve dhe teknikës bashkëkohore, si dhe postproduksionit digjital. Vazhdoj të realizoj fotografi me procesin e filmit, një alkimi e mundësive të pafund, duke më hapur qasje të panjohura në strukturë, grafizëm dhe disperzion tredimensional. Zhanret që unë preferoj dhe realizoj në fotografi janë: pejsazhi, dokumentare, sociale, portreti, makrofotografia, abstrakte, arkitektura etj.
KOHA: Pejsazhi me natyrën e virgjër është inspirimi juaj?
SPAHIU: Të bukurën e frymës natyrore dhe të pa hulumtuar sa duhet, me mendim dhe veprim e përcjelli hap pas hapi, duke fokusuar motive për të nxjerrë virgjërinë e bukurisë natyrore.
KOHA: Për Artin pamor duhet shkollë apo është dhunti?
SPAHIU: Profesori im, Nikolla Tanhofer, na thoshte: “Zoti ju ka dhuruar dhuntinë, ju duhet ta zhvilloni deri në përmasën më hyjnore”. Natyrisht shkolla është një “armë e fortë”e shoqërisë dhe urë lidhëse për formimin e personalitetit të individit (krijuesit), aty ofrohen njohuri dhe vlera që na përcjellin gjatë gjithë jetës, duke evoluar talentin në përmasa maestrale.
KOHA: Fotografia ka natyrë, shpirt apo vetëm porosinë?
SPAHIU: Fotografia ka dimension dhe formë, por ka edhe arsye, kuptim, ndjeshmëri, shpirt …dhe art!
KOHA: Kush është Robert Elsie dhe çfarë ka thënë për ju?
SPAHIU: Përkrah kontributit të veçantë në kulturën, letërsinë dhe historinë shqiptare, Robert Elsie është edhe mbledhës, studiues,gjurmues i fotografive të vjetra shqiptare. Veçohen koleksionet me fotografi të Jozef Sekelit në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni më 1863, ato të Franz Nopcsa në Shqipëri më 1903-1916, Bajazit Dodës nga Reka e Madhe më 1907, Misioni ushtarak Holandez në Shqipëri më 1913-1914 dhe Max Llambertit në Shqipëri dhe Itali jugore më 1913-1914. Falë guximit, insistimit dhe fatit, arrin në gjurmët e arkivave private të disa muzeve evropiane, duke gjetur edhe një koleksion të Edit Durham, udhëtares angleze, autore e disa librave për Shqipërinë . Me leje të posaçme nga Instituti Mbretëror në Lodër, pas 105 vjetëve Dr. Roberti organizon dhe prezanton 30 fotografi të jashtëzakonshme, një koleksion që në Shqipëri nuk njihet. (“Një jetë e re prej xhami dhe metali që ngrihet mbi kokat tona. Vizione të mrekullueshme të së ardhmes dhe së tashmes nga Afrim Spahiu”, ka shkruar Robert Elsie,)
KOHA: Sa keni arritur t’i jetësoni ngjarjet tragjike të popullit shqiptar në hapësirat ballkanike?
SPAHIU: Nuk jam marrë me fotografinë zhurnalistike dhe dokumentare, kam fotografuar situata të ndryshme nga jeta e përditshme, natyrisht edhe shumë fotografi nga tubimet dhe protestat që organizoheshin para, gjatë dhe në Kosovën e pasluftës. Disa nga fotografitë kanë edhe vlera si faktografi (arkivore), por me një gamë ngjyrë dhe gjuhë fotografike që mbështetet edhe në frymën e artit! Në arkivin tim ka vlera që bëjnë edhe histori, shpresoj që një ditë do të komunikojnë me opinionin dhe artdashësit e kësaj fushe.
KOHA: Jeni ndër pinjollët e fotografisë artistike. Çfarë do të thotë kjo për Ju?
SPAHIU: Ndjehem i emocionuar dhe sa shkeli më shumë moshën, më duket sikur po e filloj krijimtarinë e njëmend. Rrugëtimi në botën e imazhit është i pa fund dhe vlerat e meritat janë gjithmonë në sprovë të frymëve dhe lëvizjeve artistike që koha i imponon dhe si duket, unë e ndjej veten të papërfunduar dhe mundohem që të dhuroj edhe atomin e fundit në krijimtarinë e DRITËSHKRONJAVE VIZUALE !!
KOHA: A ishte fati ynë Marubi?
SPAHIU: Veprimtaria dhe pasuria që e dhuroi “Dinastia” e Marubit është një thesar dhe pasqyrim i historisë kombëtare, dritare e komunikimit dhe informimit vizual të Shqipërisë me mbarë Evropën, që në kohë mbante edhe premisa revolucionare nga një vend i prapambetur dhe i panjohur!
KOHA: Cilët janë fotografët dhe kameramanët shqiptarë që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme?
SPAHIU: Jemi pjesë e botës virtuale, me numër dhe cilësi të realizimeve me standarde evropiane, pasuri e realizuar nga fotografët që vepruan anembanë mëmëdheut me studiot që i hapën në qendrat kryesore. Janë koleksionet e fotografive të Jozef Sekelit, Franc Nopcsa, Misionit Ushtarak holandez, Max Llambertit. Pjetër Marubi, Gegë Marubi, Kel Marubi, Kol Idromeno, Vëllezëri Manaki, Bajazit Doda, Shani Pici nga Radozhda, Petro Dhimitri-Shqiptari, Kristaq Sulidhi, Imer Baliu, Gjon Mili etj Kinematografët më të njohur shqiptar: Ilija Terpini , Faruk Basha, Rudolf Sopi, Afrim Spahiu, Mendu Nushi, Bardhyl Martinjani, Spartak Papadhimitri etj.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.