Patriot LUMANI
Strugë, 24 janar – Emigrimi drejt vendeve perëndimore nuk po ndalet, por po rezulton akoma trendi për të rinjtë në Strugë dhe mbetet i lakmueshëm në masë të madhe, shkruan gazeta KOHA. Gjendja nuk ka ndryshuar shumë nga vitet e kaluara, kur lëvizja drejt vendeve evropiane ishte e kufizuar. Rruga më e shkurtër e ndjekur nga rinia strugane për t’u akomoduar përfundimisht në vendet e Bashkimit Evropian dhe vendet e tjera të kontinentit, është kurorëzimi me partnerë të cilët jetojnë në ato vende dhe që e kanë të rregulluar statusin e qëndrimit të përhershëm atje. Ky konstatim është lehtë i verifikueshëm, sepse konfirmohet nga të gjitha zyrat e ofiçarisë, ku në mënyrë të dokumentuar vërtetohet se interesi për “martesat me letra”, siç i quajnë në Strugë, nuk është reduktuar, por ka mbetur në nivelet e mëparshme, aty diku te rreth 60/70 për qind e të sapomartuarve pasi lidhin kurorë do të jetojnë jashtë Maqedonisë.
P.A. është 23 vjeçari nga Struga, i cili për disa vjet ishte i angazhuar në sektorin e hotelerisë, punë të cilën e kishte konsideruar gjithmonë si të përkohshme deri në momentin që do gjente njeriun e zemrës në mënyrë që pjesën tjetër të jetës ta kalojë jashtë Maqedonisë. Ai tregon se ka qenë i përcaktuar të largohet nga vendi, sepse siç thotë, ky vend nuk ofron siguri financiare, por edhe konditat të tjera për krijimin dhe ndërtimin e një familje të re, ai tashmë zgjedhjen e tij e ka bërë dhe shumë shpejtë do të largohet nga Struga drejt Gjermanisë me të përzgjedhurën e tij. Ai tregon se në pjesën më të madhe moshatarët e tij përcaktohen për këtë zgjidhje, duke sjellë shembullin se nga shoqet dhe shokët nga shkolla fillore pothuajse të gjithë tashmë sipas tij janë martuar dhe kanë zgjedhur të jetojnë jashtë Maqedonisë. Përveç këtij të riu, edhe shumë moshatar të tij në Strugë që janë të angazhuar në sektorin e hotelerisë janë në pritje të fatit në mënyrë që herët a vonë të largohen nga Struga. Një pjesë e biznesit të hotelerisë në Strugë mungesën e gatishmërisë së të rinjve struganë për të punuar në sektorin e hotelerisë gradualisht po e zëvendësojnë me të rinj nga zonat e afërta matanë kufirit.
Tashmë në një pjesë të lokaleve të Strugës, ata që shërbejnë janë të rinj nga Shqipëria, sidomos nga zonat e afërta kufitare. Ndërkohë, në disa raste nga biznesi i hotelerisë është ngritur shqetësimi se mungon gatishmëria e të rinjve vendas që të punojnë në sektorin e hotelerisë.
Ajrush Miftari, një nga biznesmenët e hershëm të Strugës në fushën e hotelerisë, në një prononcim të mëhershëm për gazetën KOHA, konfirmoi këtë tendencë, duke thënë se të rinjtë e Strugës, në pjesën më të madhe, perspektivën nuk e shohin në vendlindje dhe nuk përcaktohen që të punojnë këtu, gjë që, sipas tij, ka sjellë edhe këtë situatë në sektorin e hotelerisë. Gjetja e një vendi të sigurt pune, është një sfidë që e kalon çdo individ në shoqëri, pa marrë parasysh përgatitjen profesionale apo kualifikimin arsimor. Në Strugë prej kohësh, nën zë, nga punëdhënësit pranohet dhe diskutohet fakti që të rinjtë shqiptarë shumë vështirë pranojnë të punësohen në kompanitë e këtushme, sidomos në sektorin e prodhimtarisë, ndërtimit apo edhe hotelerisë, duke zgjidhur më mirë të rrinë të papunë dhe të presin momentin kur do t’u ndriçojë fati për një mundësi të “artë” drejtë perëndimit. Ky fakt ka krijuar vështirësi te disa kompani dhe ka detyruar një pjesë të këtyre bizneseve me pronar shqiptar për të punësuar punëtorë nga Ohri dhe qytetarë të Strugës të nacionalitetit maqedonas si dhe punëtorë sezonal nga Shqipëria.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.