Rikthimi i nacionalizmit nostalgjik

Epokat e mëparshme kur nacionalizmi nostalgjik ka qenë në modë, nuk janë aspak inkurajuese. Në vitet 1930, Italia e Musolinit ktheu kokën pas nga lavdia e Romës së lashtë, ndërkohë që nazistët prezantoheshin si pasardhës të kalorësve teutonikë të Evropës së mesjetës. Historia mund të jetë vërtetë një frymëzim për ata që kërkojnë rigjallërimin e nacionalizmit - në Amerikë dhe gjetkë. Por duhet të jetë edhe paralajmërim

Nga Gideon RACHMAN

Amerika është mësuar të vendosë tendencat globale. Por shumë kohë përpara se Donald Trumpi të betohej për ta bërë “Amerikën përsëri të madhe”, Kina, Rusia dhe Turqia kishin përcaktuar tashmë modën e nacionalizmit nostalgjik. Versioni kinez i premtimit të famshëm të Trumpit, ishte betimi i Presidentit Xi Jinping për të udhëhequr një “rigjallërim të madh të popullit kinez”, që ai e bëri në vitin 2012. Po atë vit, Vladimir Putini u rikthye në Kremlin si president, dhe nisi një projekt kombëtar që mund të përmblidhet kollaj si “Ta bëjmë Rusinë përsëri të madhe”. Ndërkohë, në Turqi, Presidenti Erdogan kërkon frymëzim kombëtar tek lavdia e Perandorisë Otomane. Klimat politike në Kinë, Turqi dhe Rusi ofrojnë një paralajmërim të qartë mbi rreziqet e nacionalizmit nostalgjik. Në të tre këta vende, një etje për të rikthyer madhështinë kombëtare, është e kombinuar me një fushatë të nxitur prej qeverisë, kundër forcave armiqësore të jashtme, si dhe një fokusim në “armiqtë e brendshëm” antikombëtarë.

Institucionet e fortë të Amerikës dhe media e lirë, do ta bëjnë shumë më të vështirë për nacionalizmin nostalgjik të Trumpit që të shtypë opozitën politike të brendshme, me mënyrat e presidentëve Putin, Xi apo Erdogan. Por ideja që demokracitë janë në një farë mënyre imune, ndaj formave më të buta të ringjalljes së nostalgjisë nacionaliste është e rremë. Mjafton të shihni Japoninë, Indinë, Hungarinë dhe Britaninë. Shinzo Abe, kryeministri i Japonisë, po udhëheq një fushatë të fuqishme të ringjalljes kombëtare. Ai ka përmendur Restaurimin Meiji të shekullit 19, që e bëri Japoninë fuqinë udhëheqëse në Azi, si frymëzimin e tij. Në Indi, kryeministri Narendra Modi udhëheq një lëvizje nacionaliste Hindu, që kërkon njëkohësisht modernizimin e Indisë, si dhe i bën apel krenarisë dhe të kaluarës së lavdishme të Hinduve. Në Hungari, kryeministri Viktor Orban është një nacionalist, që sheh prapa me trishtim, nga territoret që vendi i tij humbi gjatë Luftës së Parë Botërore.

Dhe pastaj është Brexit. Edhe nacionalizmi nostalgjik luajti rolin e vet në vendimin e Britanisë për të dalë nga BE. Fokusimi i atyre që bënin fushatë për largimin, tek “Britania Globale”, u bëri thirrje kujtimeve të një kohe kur Mbretëria e Bashkuar ishte një fuqi botërore dominuese, dhe jo thjeshtë një anëtare e një klubi prej 28 vendesh evropianë. Me Rusinë, Kinën, SHBA, Mbretërinë e Bashkuar, Japoninë dhe Indinë, që të gjitha kanë përqafuar një formë apo një tjetër të nacionalizmit nostalgjik, është tunduese ta konsiderosh fenomenin si të kudondodhur, e si pasojë të gjithëpranuar. Por do të ishte gabim. Shumica e demokracive perëndimore ende nuk e kanë ndjekur këtë tendencë. Kanadaja, Australia dhe pjesa më e madhe e BE-së nuk janë zhytur në nacionalizëm. Franca është e brishtë: Marine Le Pen dhe Fronti Nacional është një shembull klasik i një partie nacionaliste nostalgjike. Por në anën tjetër të Rhines, është e vështirë të parashikosh që ndonjë parti do të ketë sukses me sloganin “Ta bëjmë Gjermaninë përsëri të madhe”. Në shumë vende ku ka zënë vend, nacionalizmi nostalgjik është ende një forcë e re. Në Britani dhe SHBA, shumica e politikanëve të suksesshëm, deri kohët e fundit, ishin ata që shihnin përpara. Bill Clintoni fliste për të “ndërtuar një urë drejt shekullit 21”, dhe Barack Obama bëri fushatë për “shpresë dhe ndryshim”. Në Britani, Tony Blair fliste për “Cool Britannia”-n dhe David Cameroni u pozicionua si një konservator modernizues, që ndjehej rehat me një shoqëri bashkëkohore. Edhe Rusia, para epokës së Putinit, dukej më e interesuar në krijimin e një të ardhmeje të re, se sa në rikthimin tek lavditë e vjetra perandorake. Atëherë, çfarë ka ndodhur? Një shpjegim i njohur është globalizimi. Pasojat përmbysëse të kapitalizmit global, duke përfshirë migrimin në masë dhe krizën financiare të vitit 2008, ndoshta kanë rritur joshjen nostalgjike nga një e kaluar më e qëndrueshme, më homogjene dhe më e përqendruar tek kombi. Ringjalljet nacionaliste në një vend, mund të kenë frymëzuar shfaqjen në vende të tjerë. Trumpi përmendi Brexit si një frymëzim – dhe ai është gjithashtu një admirues i patrembur i Putinit. Një arsye më pak e ekzaminuar për ringjalljen e nacionalizmit nostalgjik mund të jetë zhvendosja në pushtetin politik dhe ekonomik, nga perëndimi në Azi. Një ndjesi se pasuria dhe forca globale e Amerikës po gërryhej, ishte në themel të premtimit të Trumpit për ta bërë Amerikën përsëri të madhe. Në fuqitë aziatike në rritje, si Kina dhe India, kjo zhvendosje e fuqisë globale mund të ketë frymëzuar ambicie për të rigjallëruar madhështinë kombëtare dhe kulturore, që ishte eklipsuar gjatë epokës së imperializmit perëndimor. Thirrjet patriotike për të kaluarën janë një pjesë standarde e retorikës politike në të gjithë botën. Nacionalizmi nostalgjik bëhet i rrezikshëm, vetëm kur rrëshqet në ndërtim mitesh dhe armiqësi ndaj të huajve. Në atë pikë, shanset për një përplasje mes ideologjive nacionaliste rivale rriten shumë. Mundësia e një konfrontimi mes nacionalizmit amerikan dhe kinez në Paqësor duket se është shtuar, që pas zgjedhjes së Trumpit. Është gjithmonë shumë më e lehtë për nacionalistët nostalgjikë që të fokusohen tek të këqijat që kanë bërë të huajt, se sa tek historia e ndershme dhe e komplikuar e vetë kombeve të tyre. Është domethënës fakti që, as Xi dhe as Putini nuk janë të gatshëm të diskutojnë për krimet e kryer nga shtetndërtuesit e mëdhenj të tyre, Stalini dhe Mao. Epokat e mëparshme kur nacionalizmi nostalgjik ka qenë në modë, nuk janë aspak inkurajuese. Në vitet 1930, Italia e Musolinit ktheu kokën pas nga lavdia e Romës së lashtë, ndërkohë që nazistët prezantoheshin si pasardhës të kalorësve teutonikë të Evropës së mesjetës. Historia mund të jetë vërtetë një frymëzim për ata që kërkojnë rigjallërimin e nacionalizmit – në Amerikë dhe gjetkë. Por duhet të jetë edhe paralajmërim. (Financial Times)

Kategoritë
Forum
Ska komente

Publiko komentin

*

*

Të ngjashme