Aeroporti në ishullin turistik indonezian Bali u rihap pas mbylljes së tij për shkak të aktivitetit vullkanik në fillim të javës. Edhe pse më parë u dhanë informacione se aeroporti “Ngurah Rai” do të mbetet i mbyllur edhe për 24 orët e ardhshme, zëdhënësi i aeroportit ka thënë të mërkurën se hiri vullkanik që ka arritur një lartësi prej 7.600 metrash ka ndryshuar drejtimin e jug dhe juglindje të malit Agung, duke pastruar kështu hapësirën ajrore mbi aeroport. I gjithë trafiku ajror u pezullua të hënën, u anuluan më shumë se 400 fluturime, kurse pasojat e kësaj i kanë ndjerë dhjetëra mijëra pasagjerë. Fluturimet për në Bali janë riorientuar drejt aeroporteve në nëntë lokacione, në mesin e të cilave ndodhet dhe Xhakarta. Zyrtarët indonezianë thonë se pavarësisht rihapjes së aeroportit, rreziku ende nuk ka kaluar. Presidenti i vendit, Joko Widodo, u tha banorëve të largohen nga zona afër vullkanit për arsye sigurie. Nga zona pranë vullkanit janë evakuuar rreth 40 mijë njerëz, kurse për 100 mijë të tjerë nga zonat me rrezik të lartë u kërkua që të largohen nga shtëpitë e tyre.