Më 11 prill të vitit 1945, në Tetovë nga ana e Gjyqit ushtarak u zhvillua një proces gjyqësor kundër nëntë shqiptarëve, gjashtë prej të cilëve u dënuan me vdekje pushkatim: Femi Aqifi nga fshati Turçan i Gostivarit, Imer Esad Mero nga fshati Sërbinovë të Gostivarit, Shaip Nuredinin nga fshati Gurgurnicë, Osman Koka, nga qyteti i Tetovës, Mexhit Rexhepi i fshatit Novosellë dhe Shaip Shabani nga fshati Eleze
Nga Qerim LITA
(vijon nga dje)
Një deklaratë e tillë e dhënë nga kryetari i JUXHEL-it, e hedhë poshtë thënien e deritanishme, se JUXHEL-i, ishte organizatë simotër e NDSH-së, dhe se Shuaip Aziz, si “mik i vjetër” i mulla Idriz Gjilanit, lidhi NDSH-në me konsullin turk në Shkup Emin Vefa Geçek. Këtë e shohim edhe në letrën me titull “Pikëpamjet e rinisë shqiptare në Shkup”, që KQ i NDSH-së, e dërgoi në janar të vitit 1946, deri te konsulli i Republikës së Turqisë, Emin Vefa Geçek, në të cilën fillimisht përshkruhej gjendja e mjerueshme e shqiptarëve të robëruar nga klika komuniste jugosllave e më gjerë, ku shprehimisht thuhej: “Në Ballkan disa qindra mijëra shqiptarë jetojnë nën robërinë, që të mund ta fitojnë lirinë përfundimtare luftojnë në planin politik dhe shoqëror. Kjo rini shqiptare me dashuri dhe zemër është e lidhur me popullin heroik turk. Nuk e dimë se a ka nevojë t’i nënvizojmë? Rinia shqiptare nga Kosova, Presheva, Kumanova, Shkupi, Tetova, Gostivari, Dibra, Struga, Ohri, Kërçova, Manastiri dhe qytetet tjera. Vëllezërit tanë myslimanë që të arrijnë deri te liria, besojnë se me idenë shqiptare mund të arrihet kjo. Shkupi, që është kryeqendra e Kosovës, të gjitha fshatrat e këtij qarku janë në të njëjtën ide”. Në vazhdim të letrës, udhëheqja e NDSH-së, i ankohet konsullit turk, për aktivitetin antishqiptar nga ana e disa krerëve më me ndikim turk në Shkup, të cilët “me apo pa vetëdije, ata i shërbejnë dhe japin mundësi që popullsia të përçahet”. “Këta vëllezërit tanë”, thuhet më tej në letër: “shpesh herë i kemi këshilluar që të bashkohemi dhe të punojmë për një qëllim dhe të krijojmë një vëllazëri të madhe e të vetme shqiptaro-turke dhe të sigurohemi nga cilido rrezik qoftë….Për këtë bëmë përpjekje të shumta, mirëpo të gjitha përpjekjet tona i kanë refuzuar…”. Letrën udhëheqja e NDSH-së e përfundon si vijon: “Ja pas refuzimit të tyre, ne mendojmë se rruga jonë është e drejtë dhe duke i marrë parasysh të gjitha rreziqet, ne shkojmë me hapa të vështira për qëllimin tonë. Se ideja jonë është e drejtë, besojmë se edhe Ju do të pajtoheni dhe jemi të bindur se Ju me idetë tuaja idealiste, do të na jepni një mbështetje morale që të mund të mbijetojmë me këshillat tuaja të mira. Ne obligohemi se direktivat tuaja do t’i zbatojmë pikë për pike”. Menjëherë pas kësaj, letre reagoi konsulli i Turqisë, Emin Vefa Geçek, i cili drejtpërdrejti ia ia tërhoqi vërejtjen, Shaip Azizit, se nuk ishte duke vepruar mirë për arsye se “myslimanët duhet të jetojnë në harmoni”. Njëkohësisht, ai përmes korrierit Xhavit Abdulla Selimi, i porositi drejtuesit e NDSH-së, që urgjentisht ta ndërpresin urrejtjen midis turqve dhe shqiptarëve dhe se duhet të veprojnë bashkërisht kundër autoriteteve jugosllave, për arsye se në “Jugosllavi, shqiptarët dhe turqit janë mysliman prandaj duhet të bashkohen e jo të urrehen…”.
DËNIMET ME VDEKJE
Ndërkohë që drejtuesit e NDSH-së të Shkupit bënin përpjekje për t’i organizuar shqiptarët, në anën tjetër pushteti “popullor” vazhdonte me torturimin e popullsisë civile shqiptare, gjithnjë në në emër të “Vëllazërim-bashkimit”. Më 11 prill të vitit 1945, në Tetovë nga ana e Gjyqi ushtarak u zhvillua një proces gjyqësor kundër nëntë shqiptarëve, gjashtë prej të cilëve u dënuan me vdekje pushkatim: Femi Aqifi nga fshati Turçan i Gostivarit, Imer Esad Mero nga fshati Sërbinovë të Gostivarit, Shaip Nuredinin nga fshati Gurgurnicë, Osman Koka, nga qyteti i Tetovës, Mexhit Rexhepi i fshatit Novosellë dhe Shaip Shabani nga fshati Eleze.
Po i njejti gjyq, me 25 prill të atij viti, në Kërçovë dënoi: Sezo Hamid Sadikin nga fshati Kollare, me vdekje pushkatim, Veli Hasan Shabanin nga fshati Zajaz, me vdekje pushkatim, Qemal Eshtrefin nga Kërçova, me vdekje pushkatim, Beqir Hasan Muharremin nga fshati Zajaz, me 15 vjet burg të rëndë, Rexhep Sadikin nga Kërçova, me 6 vjet burg, Ramadan Dalipi nga fshati Zajaz, me 5 vjet robëri… etj..
Në kuadër të këtyre masave, pushteti komunist maqedonas në maj të vitit 1945, pushkatoi dy personalitetet kryesore të dijes dhe nacionalizmit shqiptar të kësaj ane, Shuaip Kamberin – avokat dhe ish-kryetar i Bashkisë së Tetovës dhe Kadri Saliun – avokat dhe ish-kryetar i Bashkisë së Gostivarit.
Paraprakisht, Byroja Politike e PKM-së, në mbledhjen e mbajtur më 19 shkurt 1945, solli vendim për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme. Në procesverbalin e dalë nga ajo mbledhje thuhej se në pjesën më të madhe të Maqedonisë duhej të mbaheshin “zgjedhje të fshehta”, në përjashtim “të rretheve të Gostivarit e të Tetovës, ku zgjedhjet e fshehta do të shfrytëzoheshin, nuk do të kishim as çfarë zgjedhjesh, prandaj atje të kryehet vetëm riorganizimi”. Një vendim i tillë i marrë nga udhëheqja më e lartë komuniste maqedonase, në të cilën nuk merrte pjesë asnjë përfaqësues shqiptar, nuk ka se si të komentohet ndryshe përveç se si akt totalitar, i cili nuk shprehte vullnetin e shumicës së popullsisë, në këtë rast atë shqiptar, për arsye se në këto dy rrethe mbi 80% e popullsisë ishte shqiptare.
Pas u kryen të ashtuquajtura “zgjedhje”, më 16 prill të vitit 1945, u formua Qeveria e parë e Maqedonisë Federale, në të cilën për ministër të Shënedësisë Sociale u zgjodh Dr. Nexhat Agolli. Qeveria “popullore” e paraqiti përcaktimin e saj se do të luftoj për “realizimin e unitetit të brendshëm të mbarë kombësive: shqiptare, turke, vllehe, hebreje etj.”.
Ndër premtimet më të rëndësishme të qeverisë së re, ishte garantimi i shkollimit në gjuhën amtare për kombësitë shqiptare e turke. Mirëpo, mbështetur në burimet arkivore, shohim se në vitin shkollor 1944/45 numri i shkollave shqipe, krahasuar me ato maqedonase ishte tejet i vogël. Në raportin vjetor të Ministrisë së Arsimit thuhej se në atë vit shkollor ishin hapur gjithsej 971 shkolla fillore katër-klasëshe, prej të cilave 883 në gjuhën maqedonase, 27 në gjuhën turke, 11 në gjuhën serbo-kroate dhe vetëm 50 në gjuhën shqipe. Sipas raportit, numri i përgjithshëm i nxënësve të përfshirë arrinte shifrën prej 85.100 nxënës, prej tyre 3.975 shqiptar, ose më pak se 5%..
FILLET E ARSIMIT SHQIP
Pas reagimeve të shumta të mësuesve shqiptarë, Ministria e Arsimit Popullor, në qershor të vitit 1945, solli vendim, përmbajtja e të cilit ishte me sa vijon: “Për arsye se shkollat e pakicave kanë nevojë për ndihmë dhe kontroll më të shpeshtë, imponohet emërimi i referenteve për shkollat e pakicave. Në rrethet ku janë më shumë se 15 mësues të pakicave, do të emërohen referent, ndërsa në rrethet ku janë më pak, detyrën e referentit do ta kryejë një ndër mësuesit e pakicave.”.
Për rrjedhojë, u emëruan katër referentë shqiptarë edhe atë: Mamut Dumanin, referent i shkollave shqipe për rrethin e Shkupit, Jonuz Balla, referent i shkollave shqipe për rrethin e Tetovës, Sami Lamçe, referent i shkollave shqipe për rrethin e Gostivarit dhe Enver Paluku, referent për shkollat shqipe në rrethin e Strugës.
Në ndër kohë, me vendim të ministrit të Arsimit Popullor, Nikolla Minçev, në Shkup u hap kursi tremujor për mësues të shkollave fillore në gjuhën shqipe. Në mbarim të kursit u aftësuan gjithsej 277 mësues shqiptarë, dhjetë prej tyre u shpallën si mësues të përhershëm, ndërsa të tjerët u emëruan si mësues të përkohshëm.
Me aftësimin e kuadrit arsimor, u krijuan kushtet për zgjerimin e rrjetit shkollor fillor në gjuhën shqipe. Burimet arkivore bëjnë të ditur se në vitin shkollor 1945/46, në RP. të Maqedonisë gjithsej funksiononin 1054 shkolla fillore, prej tyre 157 në gjuhën shqipe, 905 në gjuhën maqedonase, 62 në gjuhën turke dhe 11 në gjuhën serbo-kroate. Krahas shkollave, rritet edhe numri i nxënësve shqiptarë, i cili në atë vit shkollor arrin në 12.359 nxënës, nga gjithsej 111.196, ose mbi 10% nga numri i përgjithshëm.
Duhet të vëmë në dukje faktin se, në planprogramet të shkollave me mësim në gjuhën shqipe dhe turke, krahas historisë së kombeve jugosllave mësohej edhe historia e kombësisë shqiptare, përkatësisht turke. Mirëpo, kjo zgjati vetëm një vit shkollor, kur në gusht të vitit 1946, Ministria e Arsimit, përmes një qarkoreje njoftonte institucionet e atëhershme shkollore për ndryshimet në planprogramet mësimore në shkollat me mësim në gjuhën shqipe dhe ato turke. Në të shprehimisht thuhej: “Në plan-programet mësimore për shkollat e pakicave nga viti i kaluar qëndron se në lëndët e historisë dhe gjeografisë në ato shkolla do të mësohet historia dhe gjeografia e Jugosllavisë me historinë dhe gjeografinë e popujve që u takojnë pakicave. Kjo duhet të përmirësohet në atë mënyrë që edhe te shkollat e pakicave do të mësohet vetëm historia dhe gjeografia e Jugosllavisë, njësoj si te shkollat maqedonase”. (vijon nesër)