Tito, në letrën e tij , fillimisht shprehte “krenarinë e admirimin për luftën këmbëngulëse dhe të pakursyer të patriotëve shqiptarë për lirinë kombëtare kundër okupatorëve fashistë dhe veglave të tyre..”, për të shtuar “ndërmjet vëllazërimit me armë lindi dashuria e madhe midis popujve të Jugosllavisë dhe forcave çlirimtare të Shqipërisë…”
Nga Qerim LITA
Siç është e njohur më 2 gusht të vitit 1944 në manastirin “Prohor Pçinski”, u mbajt Konferenca e parë Antifashiste Çlirimtare Kombëtare e Maqedonisë – KAÇKM-ë, në të cilën Maqedonia u “proklamua shtet federal në Jugosllavinë e Re demokratike federative”. Dy dokumentet e dala nga ajo konferencë: Konkluzionet dhe Deklarata për të drejtat themelore të qytetarëve të Maqedonisë, flasin qartazi se Maqedonia federale u shpall shtet “nacional i popullit maqedonas”, ndërsa shqiptarët, turqit e popujt tjerë jo-sllav, u shpallën si “pakica nacionale”, të cilëve siç thuhej në pikën dy të Deklaratës “u garantohen të gjitha të drejtat e liritë nacionale”.
Ky konstatim mbështetet edhe në Konkluzionet në të cilat bëhej me dije se në mbledhje morën pjesë 122 përfaqësues të plotfuqishëm “djem dhe bijat të popullit Maqedon”, dhe se në prezencën e delegatëve: “të shtabit Madhor të Marshallit Tito; të misioneve ushtarake të aleatëve dhe të shtabit Madhor të Serbisë e deklaruen vullnetin sovran të popullit të vet…”. Në fund të Konkluzioneve jepej apeli i Konferencës, drejtuar vetëm popullit maqedonas, ku ndër të tjerave thuhej: “…Populli Maqedon! Atdhetarë dhe Atdhetare! Lirija është në pragun! Elementet të shtetit t’onë federativ u vun! Por bash t’ani duhet që të gjith të jemi në ball. Tash bash duhet të mblidhemi ne të gjith reth frontit n.ç. të Maqedonisë, në ushtrinë t’onë nacional-çlirimtare që t’i ruejmë frytet të luftës së deritanishme. Asht ora e fundit për çdo Maqedonas që të largoj çdo mosmarrëveshje dhe të niset në luftën e fundit për lirim të popullit t’onë të shum vujtum.- Në emën të shtetit të ri Maqedonas në emën të ndërtimit të tij ne ju thërasim: Edhe ma shum forcoheni bashkimin të mbarë popullit Maqedonas nëpër frontin n.ç të Maqedonis – bashkimi do t’a ban të mundshme ndërtimin e shtetit Maqedon bashkim i cili edhe do ta ruejë këtë shtet! Çohu i gjith në Kryengritje të armatosun dhe reshtohu në radhët e para të LNÇ të Maqedonis, ushtri e cila të ndërtoj shtetin dhe e cila do të dijë t’a ruajë! Zmadhoni brigadat t’uaja në divizione dhe korp-armata të forta! Edhe ma me forcë vehuni në formimin e Këshillave N.Ç. organet të pushtetit të rij demokratik popullor, ku për mes të cilave duhet të mblidheni për ndërtim të shtetit të ri Maqedon!”.
Për sa më sipër shihet qartë se në seancën e parë të KAÇKM-së, shqiptarët fare nuk u përmenden, që ky fakt është fshehur, si nga historiografia komuniste maqedonase po ashtu edhe ajo shqiptare. Më vonë, përkatësisht në mbledhjen e dytë, punimet e së cilës u mbajtën më 4 gusht 1944, u soll Manifesti, i cili për dallim nga Konkluzionet e mbledhjes së parë, u apelohej edhe shqiptarëve të cilët emërtoheshin si “arnaut” si dhe turqve e vllehve, që të bashkëngjiten Luftës Nacionalçlirimtare. Në të shprehimisht thuhej: “Vëllezër arnaut, turq dhe vlleh, – Robëruesit e Maqedonisë gjithmonë kanë dashur të na ndajnë e ngatërrojnë për ta sunduar më lehtë atdheun tonë e t’i grabisin popujt tanë. E kaluara e rëndë na tregoi se interesat e kombeve tona janë të njëjta, por i njëjtë është edhe fati i tyre. Në këto momente vendimtare të gjithë ne e ndërtojmë Maqedoninë e lirë. Çfarë Maqedonie ndërtojmë, ashtu do ta kemi. Bijtë tuaj marrin pjesë në ushtrinë maqedonase dhe zënë vende komanduese. Luftëtarët tuaj të parë marrin pjesë si deputet – deputet të popullit në Kuvendin Popullor. Kuvendi i parë Popullorë i Maqedonisë proklamoi barazinë e të gjitha kombësive në Maqedoni. Mobilizoni të gjitha forcat që sa më parë t’i realizojmë parimet e tij të shenjta. Merrni pjesë në mënyrë të barabartë në luftërat kundër okupatorit që të mund të merrni pjesë në mënyrë të barabartë në ndërtimin e lirisë, Maqedonia e lirë atdheu i mbarë kombësive”.
Ky ndryshim, përkatësisht, plotësim, erdhi me insistimin e përfaqësuesve shqiptarë Qemal Agolli dhe Abdulla Aliu – Krashnica, të cilët për arsye të panjohura nuk kishin marrë pjesë në mbledhjen e parë. Mospjesëmarrjen e tyre e shohim edhe në listën prej dhjetë anëtarëve të zgjedhur në Presidiumin e KAÇKM-së, në të cilën nuk figuronte asnjë shqiptar, ndërsa më vonë kjo listë u zgjerua në 22 anëtarë, prej tyre vetëm një ishte shqiptar, Qemal Agolli, i cili morri postin e nënkryetarit të Presidiumit, ndërsa prej 115 deputetëve të caktuar, shqiptarë ishin vetëm dy, Qemal Agolli dhe Nafi Sulejmani. Në ndër kohë, në mbledhjen e Presidiumit që u mbajt më 6 gusht 1944 u kooptua edhe Abdulla Aliu.
Si rrjedhojë e vendimeve të mësipërme, më 14 gusht të vitit 1944, në Kërçovë u formua aradha partizane shqiptare. Duke e pas parasysh faktin se asaj së shpejti iu bashkëngjitën një numër i konsiderueshëm i vullnetarëve shqiptarë nga regjioni i Strugës, Dibrës dhe Kërçovës, më 26 gusht të vitit të njëjtë, në malet e Karaormanit nga kjo aradhe u formua brigada e IV shqiptare, e cila fillimisht numëronte rreth 450 luftëtar, ndërsa me kalimin e kohës ky numër të shkoj deri në 5000. Më 7 janar të vitit 1945, brigada mori emër tjetër – Brigada e VII-të Sulmuese Shqiptare, e cila me 2.500 luftëtarët e saj mori pjesë në Frontin e Sremit.
Zhvillimet politike e ushtarake të më vonshme, përkatësisht, pas kapitullimit të Bullgarisë (8 shtator 1944) në trevat veri-lindore shqiptare, dëshmuan se udhëheqja e PKJ-së, përkatësisht e PKM-së, përmes parullave demagogjike tentonte të krijoj përçarje brenda strukturave politike e ushtarake shqiptare, që në atë kohë kishin krijuar një bashkim të fuqishëm, si politik po ashtu edhe ushtarak. Kjo u pa gjatë muajit shtator, në luftimet e ashpra në mes brigadave komuniste jugosllave dhe forcave vullnetare shqiptare, ku për kundër faktit se forcat komuniste jugosllave dominon si për nga numri i ushtarëve po ashtu edhe për nga armatimi, ata nuk arritën t’i pushtojnë tokat e liruara shqiptare. Të vetëdijshëm për këtë, Komandanti i SHP të LNÇM-së, Mihajllo Apostollski, në pjesën e dytë të shtatorit, udhëtoi për Sofje, ku arrin marrëveshje me udhëheqësin e PKB-së, që brigadat partizane bullgare të vendosen në Maqedoni. Sipas marrëveshjes, këto brigada duhej të vepronin nga Kriva Pallanka në drejtim të Kumanovës. Veç kësaj, Apostollski, me pëlqimin e udhëheqjes komuniste bullgare, në Sofje, kreu mobilizimin e ushtarëve të ish armatës fashiste bullgare me prejardhja nga territori i Maqedonisë. Për këtë, SHP i LNÇM-së, më 27 shtator 1944, njoftonte Shtabin e zonës IV Operative se: “Gjeneral Apostollski në Sofje ka bërë pranimin e të gjithë maqedonasve të cilët kanë qenë në ushtrinë bullgare, i ka armatosur me armatim sovjetik dhe ka bërë organizimin e shumë njësive”.
Më herët, midis ShP të LNÇJ-së dhe atij të LNÇSh-së, ishte arritur marrëveshje që në këto treve të vendoseshin brigadat partizane shqiptare. Dërgimin e brigadave partizane shqiptare, në krahinat e lartpërmendura, ishte kërkesa e kamotshme e kreut udhëheqës të PKJ-së, andaj nuk ishte e rastit që menjëherë pas kësaj marrëveshjeje, të pasojnë urimet e përzemërta si nga SHP i LNÇM-së, po ashtu edhe nga vetë Tito, drejtuar Enver Hoxhës. Në letrën përshëndetëse, që SHP i LNÇM-së ia dërgoi Enver Hoxhës, veç tjerash thuhej: “Ne krenohemi dhe ia urojmë emërimin Komandantë Supremë, dhe gradën Gjeneral -kolonelë shokut Enver Hoxha, dhe i dëshirojmë suksese në luftën heroike që po e zhvillon populli shqiptarë dhe ushtria e saj heroike LNÇ nën udhëheqjen e djemve më të mirë të popullit Shqiptarë…”. Ndërsa, Tito, në letrën e tij , fillimisht shprehte “krenarinë e admirimin për luftën këmbëngulëse dhe të pakursyer të patriotëve shqiptarë për lirinë kombëtare kundër okupatorëve fashistë dhe veglave të tyre..”, për të shtuar “ndërmjet vëllazërimit me armë lindi dashuria e madhe midis popujve të Jugosllavisë dhe forcave çlirimtare të Shqipërisë…”. (vijon nesër)