Delvina KËRLUKU
Rexhai Hyseni u lindur në shkurt të vitit 1939 në fshatin Mateç të Kumanovë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen, shkollën normale, në Shkup, në vitin 1958. Akademinë Pedagogjike – edukimin figurativ me historinë e artit, e kreu në Shkup në vitin 1965, në klasën e Vangjell Koxhoman, profesor dhe pedagog i artit figurativ dhe piktor. Anëtar i SHAFM (Shoqata e Artistëve Figurativ të Maqedonisë) dhe BAFJ (Bashkësia e Artistëve Figurativ të Jugosllavisë) në vitin 1969. Ka realizuar ekspozita të pavarura: Preshevë – 1968, në gjimnazit “Skënderbeu”, me 22 piktura vaj në pëlhurë; Kumanovë, Galeria e artit 1969 – 1971; Shkup, në lokalet e Teatrit të kombësive në korrik 1969; Beograd, më 1969 ekspozitë e përbashkët me piktorin Mexhid Bajrami, me nga 20 krijime artistike, vaj në pëlhurë, në lokalet e shtëpisë së punëtorëve “Gjuro Sallaj”; Ekspozitë në grupe me piktorët: Adem Kastrati nga Shkupi, Mexhid Bajrami nga Kumanova, Sulejman Lokaj nga Shkupi – ekspozitë në Ulqin – Mal të Zi më 1969, në lokalet e Kuvendit komunal ( ekspozoi në cilësinë e anëtarit të SHAFK-së); ekspozita në Kumanovë, Gostivar, Strumicë, Prilep, Shtip, Gjevgjeli, Ohër, Vranjë, Leskoc dhe Varazhdin, si anëtar i shoqatës “Zef Kolombi” nga Ferizaj; Ekspozita në Ferizaj, Gjilan, Prishtinë dhe Tiranë, Shqipëri si anëtar i SHAFM prej vitit 1969. Ka marrë pjesë në ekspozitat vjeshtore që i organizoi shoqata (SHAFM): Vitin 1972 – Gruaja si inspirim i artistit, Shtëpia e armatës, Shkup; Viti 1973 – Cetinjë, salloni “13 Nëntor”; Viti 1973 – Prilep “100 vite kombinati i duhanit etj. Ka marrë shumë çmime, duke përfshirë edhe Çmimin shtetëror “23 Tetori”.
KOHA: Z. Hyseni, për të nisur këtë bisedë marrim shkas Çmimin shtetëror “23 Tetori”, që e ndan Ministria e Kulturës e RM-së, për arritje në sferën e kulturës dhe artit. A do të thotë se me këtë shpërblim është nderuar mundi dhe sakrifica juaj?
HYSENI: Unë si piktor dhe të gjithë ata që merren me aktivitete dhe krijimtari jo vetëm në artin pamor, por edhe në lëmi të tjera të kulturës dhe artit, si poezi, prozë, muzikë etj., jo pse ndahen shpërblime nga ana e Ministrisë së Kulturës por, çdo krijimtari nis nga talenti dhe dëshira për të krijuar, dhe ajo krijimtari të jetë transparente me publikun e gjerë dhe pa mëdyshje çmimi vjen vetvetiu.
KOHA: Jeni nderuar edhe me Çmimin “Nëntori”, nga Shoqata e piktorëve “Draudacum”. Ç’flet ky çmim?
HYSENI: Ky çmim flet se më është çmuar dhe vlerësuar talenti dhe puna ime shumëvjeçare që e kam bërë me gjitha mundësitë e mia.
KOHA: Si i kujtoni ditët e fëmijërisë dhe rinisë së hershme?
HYSENI: Qysh si fëmijë kisha shenja të një prirje dhe talenti në lëmin e artit që për të tjerët të kësaj moshe ishte raritet.
KOHA: Jeni lindur në një fshat piktores të Kumanovës, Mateç. Vend ky me zabel, lum, ara, burim e çezma. A kanë qenë panoramat e fshatit frymëzim i veprave tuaja?
HYSENI: Pa mëdyshje, se fshati ku kam lindur, Mateçi, paraqet një vend piktoresk dhe atraktiv me një idile të rrallë. Fshati me të gjitha këto karakteristika ka qenë panoramë e një frymëzimi artistik, sidomos vendet me zabele, lumenj, rrjedhje çezmash etj.
KOHA: Teknika që ju përdorni në veprat tuaja janë me vaj në kanavacë. Stil kubizmi! Është kjo një magjepsje ndaj formave gjeometrike, apo… Si nisi ky stil?
HYSENI: Teknika e pikturimit që unë përdori, është pikturimi me ngjyra vaji në pëlhurë (kanavacë). Drejtimet që kam përdorur në fillim të krijimtarisë sime kanë qenë realizmi, duke vizatuar dhe pikturuar portrete personazhesh, si nxënës, personalitet si shkrimtarë dhe personalitet të njohur të kohës. Duke hapëruar, dalë nga dalë, fillova t’i përdori edhe stilet si kubizmi, gjithnjë duke pasur parasysh temën për të cilën synoja.
KOHA: Cilat janë motivet dhe mesazhet estetike filozofike në veprat tuaja, duke filluar nga realja, socialja dhe deri tek abstraksioni?
HYSENI: Motivet kryesore në krijimtarinë time janë: portreti, ngjarjet historike të kombit tonë që i përjetuam shekuj me radhë, që ishin vite të stuhishme dhe triumfale. Si motive tjera do të potencoja traditat tona kombëtare, veshjet, ritet, doket dhe zakonet, me të gjitha varietetet që dallohen nga popujt tjerë. Mesazhet e mia, kryesisht, kanë të bëjnë me estetikën, por duke pa anashkaluar gjendjen reale dhe sociale të protagonistëve të mi, ku veçanërisht dallohet cikli i disa punimeve me temë “Sharraxhinjët”.
KOHA: Pikturat i keni realizuara kryesisht në teknikën vaj në pëlhurë, duke u sjellë nga surealizmi te kubizmi. Çfarë flet piktura juaj?
HYSENI: Pikturat e mia flasin kryesisht për vuajtjet dhe peripecitë e aktorëve të paraqitur në pëlhurë. Kur flas për këta të vuajtur, kam përshtypjen se flas me njerëz të tipit si sharraxhinjët, kthimi nga fusha, që për mua janë tipik njerëz të përvuajtur.
KOHA: Në pikturat tuaja ka edhe motive të traditës shqiptare, si vajzat që kthehen nga fusha, burrat që kanë marrë shatin, etj. Çfarë historie tregoni?
HYSENI: Rëndom, si çdoherë gjithnjë kam pasur parasysh traditat tona kombëtare, prandaj ua kam dedikuar veprave të mia, tradita tona të stërlashta e shekullore. Vajzat që kthehen nga fusha dhe burrat që kanë marrë shatin, tregojnë vuajtjet e fshatarëve që punonin natë e ditë për të fituar bukën e gojës.
KOHA: Kanë kaluar 50 vjet nga veprimtaria juaj. Në atelienë tuaj akoma kundërmon aroma e vajit të lirit ose edhe të ndonjë brushe a pëlhure aty këtu, të vendosur në tryezën e punës?
HYSENI: Edhe pse kanë kaluar 50 vite krijimtarie, në atelienë time ende kundërmon aromë e vajit të lirit, shihen aty këtu edhe brusha të formateve të ndryshme, pëlhura të gatshme për pikturim, të gjitha të vendosura mbi tryezë të punës, përfshirë këtu edhe paletën.
KOHA: Historia e artit ka njohur edhe artistë autodidaktë, por arsimimi e bën më profesional punën e tij. Cila ishte shkolla juaj?
HYSENI: Kam të kryer Akademinë Pedagogjike në Shkup, dega Arti figurativ me histori arti, në vitin 1965. Kam pasur fatin që të jem student në klasën e profesorit të nderuar, njëherit edhe piktor i njohur, Vangjel Koxhoman.
KOHA: Me të mbaruar Akademinë Pedagogjike, ktheheni në vendlindje dhe në dorë keni marrë ditarin si mësues i artit figurativ, duke vazhduar punën për më shumë se katër dekada me radhë deri në pensionim. Të jesh mësues, ç‘domethënie kishte dje dhe sot?
HYSENI: Nëse bëjmë një krahasim me të kaluarën dhe të tanishmen, mendoj se ekziston një diferencë e madhe, sidomos në arsim, sepse kam përshtypjen se më herët punonin më me zell, dhe i qaseshim punës më me seriozitet, ndërsa tani të rinjtë si duket nuk janë të motivuar sa duhet. Mendoj se duhet të adaptohen metoda të reja të motivimit sepse talenti nuk mungon dhe se mund të nxirren artistë të rinj në çdo vend.
KOHA: Ju e njihni artin modern, por edhe artin e realizmit socialist, që krijohej gjatë periudhës komuniste. Sa e vështirë ishte të bëje vepër arti atëbotë?
HYSENI: Si anëtar i artistëve figurativ në kohën e realizmit socialist, nuk kam kursyer mund dhe djersë me kërkesën e shoqatës figurative, të artistëve, që të bëj ndonjë vepër të këtij stili realist dhe për këto punë na janë dërguar porosi për veprat të këtij lloji. Të jesh piktor i asaj kohe duhej të kesh së pari aftësi, talent, durim dhe përsosje profesionale.
KOHA: Si arritët të gjeni rrugën e vërtetë krijuese, ku edhe u radhitet në radhët jo vetëm të krijuesve themelues të artit figurativ të shqiptarëve në Maqedoni, por edhe krahas grupit krijues të më të merituarve të kubizmit (mbarë) shqiptar?
HYSENI: Puna ime e palodhshme në fushën e artit pamorë, gjithmonë më ka nxitur që të bëj një pikturë me elemente nga natyra e qetë, edhe atë në stilin gjeometrik ose siç njihet botërisht me emrin kubizëm, pa mos e dëmtuar shijen elementare të punimit duke i bërë ato me vija të stilizuara, duke ia dhënë një shije të këndshme që te publiku të krijohet një kënaqësi shpirtërore.
KOHA: Të gjithë fëmijët tuaj, tani më me familjet e tyre, kanë kryer universitetet, kush mjek e kush inxhinier etj. Familja, ç‘domethënie ka për Ju?
HYSENI: Sikur çdo prind, edhe unë ndjej kënaqësi për të arriturat e fëmijëve të mi. Jam i kënaqur që ata zgjodhën drejtime tjera, sipas dëshirës së tyre. Edhe pse fëmijët nuk e trashëguan profesioni tim, unë po shoh shenja te nipërit dhe mbesat e mija të një talenti artistik, por këtë do ta tregoj koha. Sidoqoftë, mburrem dhe krenohem me profesionet e fëmijëve të mi, në të cilët edhe kanë korrur suksese.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara