“Nuk është një darkë mes miqsh, nuk është një vepër letrare, një pikturë apo një skulpturë! Nuk mund të bëhet me elegancë, qetësi, delikatesë, ëmbëlsi, mirësjellje apo dashamirësi. Është diçka gjithëpërfshirëse, e ashpër, që ndryshon përgjithmonë të kaluarën dhe quhet REVOLUCION” Për të lënë gjurmën e tij te Milan, pronari i ri, Jonghong Li, duhet të jetë frymëzuar nga thënia e bashkëpatriotit Mao Tse-Tung dhe nuk ka kursyer asgjë! Në tre muaj ka përmbysur krejtësisht klubin kuqezi, pas 30 vitesh të epokës së ngurtë me Berluskoni si president. Drejtuesit, tifozët dhe skuadra kanë ndryshuar krejtësisht mentalitet. Zgjedhje të bëra, që shkojnë kundër rrymës së zakonshme, pikërisht për të shënuar në mënyrë përfundimtare shkëputjen me të kaluarën. Te Milani ka nisur epoka e kineze.
Identiteti! Kjo ishte karakteristika kryesore, tek e cila frymëzoheshin drejtuesit kuqezi në të kaluarën. Në zyrë dhe në stol, AC Milan duhet të ishte i milanistëve. Vetëm Alegri dhe Mihajloviç kishin “thyer” traditën e krijuar nga Saki, Kapello dhe Ançeloti, nën regjinë e dyshes Berluskoni-Galiani, që e drejtuan klubin nga dita e parë deri në të fundit.
Pikërisht në këtë pikë nisi revolucioni i Li. Pjesa romantike u largua për t’i lënë vendin pragmatizmit. Pronarët e rinj nuk patën asnjë problem për t’ia besuar skuadrën ish-drejtuesve të Inter (Fassone dhe Mirabelli, të ndjekur nga menaxheri i ri Andrea Romeo). Pas tre muajsh, fytyrat e shtrembëruara të shumë tifozëve milanistë janë transformuar në surrate të qeshura. Pikërisht komentet e tifozëve të Milan në rrjetet sociale janë termometri i ndryshimeve. #ultrakompetitivëtësëkaluarës #nukjemimirëkështu #parametrazero ishin disa nga “hashtag” që karakterizonin deri pak muaj më parë kritikat e tifozëve ndaj Adriano Galiani. “Të kalojmë te gjërat formale…” është bërë aktualisht refreni i milanistëve, duke cituar thënien e Fassone, pas çdo blerje të bërë nga Milani. Pikërisht, në këtë mënyrë, duke qenë e hapur për rrjetet sociale si kurrë më parë, Casa Milan ka qenë më e prekshme për tifozët. Për ta “Twitter”, “Facebook” apo “Instagram” është shndërruar nga vend i mallkuar në një teatër festimesh.
Revolucioni u kompletua me Leonardo Bonuçi. Blerja e ish-mbrojtësit të Juventus jep sinjalin më të qartë për shkëputjen përfundimtare me të kaluarën, e domosdoshme për një revolucion. Sapo u ble, menjëherë i dhanë shiritin e kapitenit. Si për të dalë publikisht kundra traditës së Berluskoni që gjatë 30 viteve ia kishte dhënë shiritin atyre që quheshin “milanista të vërtetë”, nga Baresi te Maldini, nga Ambrosini deri te Montolivio, të cilin e donte vetë presidenti i kapiten. Tani është radha e Bonuçi, simboli i revolucionit kinez. Një revolucion shumë prepotent, sidomos në shkëputjen me të kaluarën dhe shumë i projektuar drejt së ardhmen, jo më në kujtimin e viteve të arta…