Delvina KËRLUKU
Naziktere SULEJMANI u lind me 24 maj të vitit 1958, në fshatin Rahovicë, Komuna e Preshevës, ku edhe ka kaluar vitet e para të femërisë. Në vitin 1964 është shpërngulur në Shkup ku ka kryer arsimin fillor, në shkollën fillore “Liria”, arsimin e mesëm në Gjimnazin “Zef Lush Marku”, arsimin e lartë në Fakultetin e Shkencave matematiko natyrore, dega fizikë – Shkup. Nga viti 1981- 2002 ishte profesoreshe e fizikës në Gjimnazin “Zef Lush Marku” – Shkup, në shkollën e mesme “Cvetan Dimov” – Shkup dhe shkollën e mesme “Pançe Arsovski” – Shkup. Nga viti 2002 është e punësuar në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës si këshilltare, udhëheqëse e njësisë dhe së fundmi nga viti 2011 si këshilltare shtetërore. Ka qenë pjesëmarrëse e shumë projekteve, grupeve punuese, seminareve, konferencave nga sfera e arsimit.
KOHA: Znj. Sulejmani, cilësia në arsimin shqip në të gjitha nivelet, duke nisur nga shkollat fillore, të mesme deri tek ato të larta, është dëshpëruese. A pajtoheni me këtë dhe cila është këshilla juaj?
SULEJMANI: Pavarësisht se a pajtohem unë ose jo, fatkeqësisht nuk mund të flasim për nivel të lartë në cilësinë e arsimit. Si çdo dashamirës i çështjes së arsimit, edhe unë jam shumë e brengosur për një situatë të këtillë. Rezultatet nga matjet e të arriturave të nxënësve janë më se dëshpëruese. Hulumtimet tregojnë se nxënësit tanë dalin nga sistemi arsimor pa i arritur kompetencat bazë. Kjo nuk do të thotë se nuk kanë njohuri, por nuk janë të aftësuar që njohuritë e fituara t’i aplikojnë në praktikë. Niveli i ulët i të arriturave të nxënësve fillon qysh nga periudha e arsimit fillor kur ata edhe duhet që të aftësohen për shkrim lexim dhe të kuptuar. Nxënësit tanë kanë problem që t’i shfrytëzojnë njohurit e fituara për t’u përgjigjur pyetjeve që kërkojnë lidhje të më shumë informacione nga teksti i njëjtë ose nga burime të ndryshme. Që të tejkalohet kjo gjendje, nevojitet reformë gjithëpërfshirëse, duke filluar nga arsimi fillor, i mesëm si dhe ai sipëror, sidomos në programet studimore që përgatisin kuadro për mësimdhënës.
KOHA: Jeni kryetare e një grupi punues, të formuar në ministrinë e Arsimit, për të zhvilluar politikat e arsimit të integruar. Cilat janë hapat që ju ndërmerrni, për përmirësimin e arsimit?
SULEJMANI: Dekadat e fundit nxënësit që ndjekin mësimin në gjuhë të ndryshme, qofshin ata në arsimin fillor apo në të mesëm sikur po funksionojnë si në bota të ndryshme. Të ndarë nëpër objekte dhe ndërrime të ndryshme. Edhe aty ku mësimi realizohet në më shumë gjuhë mësimore, fëmijët tanë nuk kanë kontakte me moshatarët e tyre te etnitetit tjetër, thuajse nuk dinë asgjë për njëri tjetrin. Andaj, edhe nevoja për të paraparë diçka që do të nxiste një inter-aksion më të madh mes fëmijëve të etniteteve të ndryshme për mes realizimit të aktiviteteve të përbashkëta me qëllim të rritjes së kohezionit, multikulturalizmit, tolerancës, është shumë e madhe. Me qëllim të promovimit të këtyre aktiviteteve, Ministria e Arsimit dhe Shkencës po i inkurajon shkollat fillore dhe të mesme që të organizojnë aktivitete të përbashkëta jashtë mësimore në mes nxënësve të cilët ndjekin mësimin në gjuhë të ndryshme në nivel të shkollës apo përmes lidhjeve të partneriteteve mes shkollave ku mësimi zhvillohet vetëm në një gjuhë mësimore që të aplikojnë në thirrjen publike që Ministria e Arsimit dhe Shkencës e shpallë njëherë në vit. Vitin e kaluar, 51 shkollë fillore dhe 14 shkolla të mesme ishin fituese te granteve me vlere deri në 30000 denarë për realizimin e aktiviteteve që do të kontribuojnë për përmirësimin e multikulturalizmit, integrimit ndëretnik, tolerancës etj. Kjo është vetëm një stimul i vogël që u jepet shkollave por ekzistojnë edhe shumë projekte që i përkrahin këto lloje te aktiviteteve e që janë të mbështetur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Ministria e Arsimit dhe Shkencës në vazhdimësi do të punoj për promovimin e aktiviteteve të këtilla.
KOHA: Mungesa e hapësirave, tekstet me përmbajtje skandaloze, emrat e shkollave dhe problemet me transportin falas, janë disa nga problemet më të mëdha me të cilat përballen nxënësit shqiptar. Mediat shkruajnë, populli e flet këtë problem, kuadri shqiptar në MASH, përse nuk vepron. Kush ua ka “zënë” rrugën?
SULEJMANI: Ministria e Arsimit çdo vit përpilon programet për investime kapitale qofshin ato për ndërtim apo rekonstruim të shkollave dhe varësisht nga ajo se në cilat shkolla është gjendja më e rëndë, vendosen prioritetet se ku do të rekonstruktohet gjegjësisht ndërtohet. Problemet lidhur me tekstet shkollore besoj se do të tejkalohen, edhe pse me vonesë. Po bëhen ndryshime edhe në ligjin për tekstet shkollore për arsimin fillor dhe të mesëm dhe në mënyrë më precize do të përkufizohen ato nene që u jepnin komoditet shtëpive botuese si bartës të të drejtave autoriale të vendosin se a do të bëjnë përthimin e teksteve të caktuar ose jo, varësisht nga leverdia e tyre. Do të kërkohet edhe përgjegjësi më e madhe edhe për përkthimet e bëra. Sa i përket transportit të nxënësve, me procesin e decentralizimit organizimi i transportit për nxënësit në arsimin fillor dhe atë të mesëm është në ingerencat e themeluesve, gjegjësisht komunave, të cilat financohen për mes bllok donacioneve nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Por, nevojitet menaxhim më i mirë nga ana e komunave.
KOHA: Ministria e Arsimit dhe Shkencës është institucion që krijon politikat e arsimit. Çdo projekt që futet nëpër shkolla, kalon nëpërmjet arsimit dhe Byrosë së arsimit. Zërat janë se programet, librat, nuk përkojnë me nivelin arsimor, ose ndonjë kritikë të ngjashme. Sa janë të pranishëm përfaqësues të institucioneve arsimore, sektori civil, OJQ-të, në krijimin e politikave arsimore, ku edhe mund t’i caktojmë saktësisht ku janë problemet, si në tekste, si në program, si në ngarkesën e mësimit, etj?
SULEJMANI: Ministria e Arsimit dhe Shkencës është e hapur për bashkëpunim me të gjithë ata të cilët kanë ide, propozime dhe vizion për avancimin e arsimit në Republikën e Maqedonisë dhe çdo herë gjatë proceseve reformuese janë të kyçur sektori civil dhe OJQ, sindikata si dhe palët tjera të interesuara. Gjatë përpilimit të draft versionit të Strategjisë për zhvillimin e arsimit 2017-2020 kanë qenë të kyçur shumë institucione, arsimtarë dhe e njëjta ka qenë e hapur për propozime, ide nga të gjitha palët e interesuara. Ndryshimet e Ligjit për arsim fillor dhe të mesëm po ashtu do të bëhen në mënyrë shumë transparente, qoftë përmes kyçjes së drejtpërdrejtë të arsimtarëve, sindikatës, sektorit civil si gjatë procesit të përpilimit të ndryshimeve, qoftë përmes diskutimeve publike.
KOHA: Avancimi i cilësisë në arsim është synim ynë. Pa mësimdhënës të përgatitur mirë, kreativ e të afërt me nxënësit, komunikues me prindërit dhe komunitetin, nuk do të arrijmë të kemi arsimin që dëshirojmë për fëmijët tanë?
SULEJMANI: Më se e vërtetë, një nga parakushtet kryesor për të pasur cilësi në arsim është përgatitja profesionale e mësimdhënësve. Aftësimi i tyre primar për të bërë punën e mësimdhënësit gjatë studimeve si dhe trajnimi dhe ngritja e tyre e vazhdueshme profesionale janë shumë të rëndësishëm. Në këtë rast do të kisha shpreh brengën time se kemi mësimdhënës të cilët e bëjnë punën vetëm sa për të kaluar kohën, andaj edhe kemi problem me cilësinë e arsimit. Është fakt se mungon motivimi i mësimdhënësve sidomos i atyre që me shumë përkushtim dhe dashuri e kryejnë këtë mision të shtrenjtë. Sa më parë duhet jetësuar ngritja profesionale dhe zhvillimi në karrierë i mësimdhënësve sipas kritereve të parapara në mënyrë që t’i nxit mësimdhënësit të punojnë me më shumë vullnet. Për nxënësit dhe arsimtarët të cilët i përgatisin nxënësit për pjesëmarrje në gara, ndërkombëtare, olimpiada të ndryshme, gara shtetërore, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ndanë fond të caktuar për ti shpërblyer për rezultatet e arritura duke dashur që në këtë mënyrë sa do pak ti motivoj. Nxënësve, e kemi obligim t’u sigurojmë arsimim të mirëfilltë dhe cilësor që do t’u mundësojë njohuri të reja, zhvillim të kreativitetit, inovacione, pjesëmarrje të drejt për drejtë në planifikimin dhe realizimin e programit të aktiviteteve të shkollës.
KOHA: Shteti duhet të investojë në arsim, sepse krijimi i një sistemi arsimor cilësor është parakusht edhe për cilin do përparim të shtetit. Sa do të jetë sfidues arritja e këtij objektivi, meqë vazhdimisht ka pasur akuza për rënie të cilësisë së arsimit në të gjitha nivelet?
SULEJMANI: Ngritja e cilësisë së arsimit është sfidë për çdo njeri që ia mendon të mirën vendit të tij sepse vetëm me popull të arsimuar sipas standardeve dhe nevoja të tregut të punës ne mund të zvogëlojmë papunësinë dhe varfërinë dhe me kuadro cilësor do të mundemi të jemi konkurrent si në vend ashtu edhe në tregun e vendeve të zhvilluara. Andaj edhe për këtë qeveri sfiduese do të jetë rritja e cilësisë në arsim, kuantitet kemi arritur deri në një masë të caktuar por na nevojitet kualitet e atë për ta arritur na nevojiten reforma rrënjësore në të gjitha nivelet arsimore dhe qasje pak më ndryshe. Na nevojitet marrje e përvojave nga vendet që kanë arritje të larta në cilësinë e arsimit por jo coppy- past i tyre, por përshtatje dhe gradualisht e jo vetëm sa për të thëne se bëjmë reforma.
KOHA: Znj. Sulejmani, cili është arsimimi juaj dhe në çfarë barriera jeni përballur. Cili është dallimi i sistemit arsimor, shkollës, programet, kur ju keni qenë nxënëse, me këtë të ditëve tona?
SULEJMANI: Kam të kryer fakultetin e fizikës në kuadër të Fakultetit të shkencave matematiko-natyrore në Shkup. Arsimin fillor dhe të mesëm e kam kryer në gjuhën amtare, ndërsa atë të lartë në gjuhën maqedonase, pasi që atë kohë ekzistonte vetëm Akademia Pedagogjike ku mësimi zhvillohej edhe në gjuhën shqipe, ndërsa në fakultete përveç në Katedrën e Albanologjisë, mësimi realizohej vetëm në gjuhën maqedonase. Kjo ishte një sfidë për mua pasi që u ndesha me vështirësi nuk kisha njohuri të mjaftueshme të terminologjisë profesionale në gjuhën maqedonase. Por, me vendosmëri dhe punë sistematike shumë shpejt i tejkalova këto vështirësi. Përndryshe nga viti i dytë e deri në mbarim isha shqiptarja e vetme në degën e fizikës. Sistemi arsimore ndoshta nuk ka qenë më i mirë por kemi pas tjetër qasje ndaj arsimit e dashuria dhe interesimi për t’u ngritur intelektualisht dhe profesionalisht ka qenë shumë i madhe. Zhvillimi tekniko- teknologjik ka qenë larg nga ajo që është sot, por interesi dhe dëshira për nxënie të dijes ka qenë shumë më i lartë, i jemi qasur punës me më shumë vullnet dhe dashuri. Pozicioni dhe autoriteti i arsimtarit ka qenë në një nivel shumë më të lartë e që sot për fat të keq nuk mundë të themi se kemi një situatë të tillë. Sot kemi plane dhe programe të stërngarkuara si në arsimin fillor edhe atë të mesëm, zhvillim teknologjik të lartë që shumë shpejt ndryshon, fëmijët janë më inteligjent dhe shumë më tepër të informuar kështu që edhe rroli i mësimdhënësit duhet ndryshuar, ai duhet të nxit interaksion, të jetë kreativ, fleksibil komfor nevojave të nxënësve dhe rrethanave të krijuara.
KOHA: Fati i mirë ka qenë se në krye të MASH-it gjithnjë ka pasur kuadro shqiptar, nga radhët e PPD-së, PDSH-së, BDI-së… Cilat ishin lehtësimet që u vërejtën me pranimin e ministrit shqiptar..?
SULEJMANI: U bënë 15 vite që jam e punësuar në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Pata fatin që jem në këtë ministri gjatë periudhave kur ministra ishin kuadro shqiptar. Çdo funksionar gjatë mandatit të tij synon që të realizojë sa më shumë nga ajo që ka paraparë në programin e punës po jo çdo herë mundë ta realizoj të tërën, varësisht nga rrethanat e ndryshme. Por, mund të them se secili prej tyre ka kontribuar në mënyrë të ndryshme për të mirën e arsimit shqip, edhe atë me rritjen e numrit të paraleleve shqipe në shkollat e mesme edhe atëherë kur arsimi i mesëm nuk ishte obligativ, në ndërtimin dhe rekonstruimin e shkollave shqipe, hapjen e universiteteve në gjuhën shqipe etj.
KOHA: Nëse e përshkruani jetën tuaj, të familjes dhe fatin e kombit, çfarë flet?
SULEJMANI: Fati i kombit tim është njëherit edhe fati i familjes time dhe fati im. I mundimshëm, i lodhshëm me plot sfida dhe peripeci, por në fund çdoherë ngadhënjimtar. I përkas një kategorie që çdo gjë në jetë kam arritur vetëm me punë dhe mund, asgjë nuk më është servuar nga dikush. Rrjedh nga një familje punëtore, ku çdo herë ka mbizotëruar dëshira e madhe për t’u arsimuar, e edukuar në frymën e modestisë, të përkushtimit në detyrat apo qëllimet e parashtruara, por edhe të gëzuarit për sukseset e arritura si ato personale, të të afërmve dhe të kombit. Njëzet e një vjet kam punuar si profesoreshë e fizikës në shkolla te mesme, duke u munduar që të kontribuoj në edukimin dhe arsimimin e brezave të ri. Kam përcjellë mjaft nxënës dhe gjenerata, me çka edhe mburrem kur sot i takoj në vende pune, detyra apo pozicione të ndryshme. Është një nga periudhat më të mira të jetës time. Edhe më tej puna ime është e lidhur me arsimin, por tash nga një aspekt tjetër si e punësuar në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Mundohem që të jap kontributin tim në çdo kohë dhe mënyrë, me përkushtim i qasem çdo detyre. Kënaqësia është edhe më e madhe kur sot rreth vetes kam ish nxënësit e mi, tani kolegë të respektuar. Kjo më bën të ndjehen krenare. Në jetën private jam bashkëshorte, nënë, vjehërr dhe gjyshe. Krenohem se në një periudhë bashkëshortore 34 vjeçare, kam pasur një jetë me plot harmoni dhe besim të ndërsjellë, duke mbështetur njeri tjetrin në çdo iniciativë dhe ide të mbarë. Kemi arritur të rrisim e të edukojmë dy djem të mrekullueshëm, që sot janë bërë edhe vet prindër. I kemi edukuar në frymën e mirësjelljes, ta duan dhe çmojnë punën, çdo angazhimi t’i qasen me përkushtim, të respektojnë gjithkënd, të jen human dhe tolerant. Sot jam e përmbushur se kam familje të shëndoshë e më së shumti i gëzohem rritës dhe lumturisë së mbesës Linës dhe nipit Andit, të cilët janë shpirti im e që më japin elan dhe vullnet për punë dhe jetë. Vendi im i punës shpesh kërkon që të jem në udhëtime zyrtar si në vend ashtu edhe jashtë, për pjesëmarrje në seminare, konferenca të ndryshme, me qëllim të shkëmbimit të përvojave të ndryshme, marrjes së përvojave te reja nga vendet e ndryshme të cilat mundohem t’i përcjell në vend. Kjo nënkupton edhe mungesën time nga shtëpia dhe të afërmit e mi. Do të shfrytëzoj rastin të falënderoj familjen time, posaçërisht bashkëshortin, djemtë dhe nuset që çdo herë më kanë mbështetur pasi që pa përkrahjen e plotë të tyre nuk do t’ia kisha dalë.
KOHA: Si e shihni avancimin e femrës shqiptare dhe a është e gatshme ajo të zë vend në institucione të rëndësishme shtetërore. Cila është këshilla juaj?
SULEJMANI: Femra është shtylla e familjes, gjegjësisht e shoqërisë. Sa më të ngritura që i ka femrat aq më e avancuar është ajo shoqëri. Ajo lind, rrit dhe edukon gjenerata të reja. Sot femrën shqiptare e gjen si amvise të mirë, mësuese, mjeke, inxhiniere, politikologe, deputete, kryetare komune etj. Është dëshmuar se femrat janë organizatore më të mira, janë më tolerante, janë më të përgjegjshme kur i qasen një angazhimi dhe obligimi të marrë. Asnjëherë nuk duhet të presim që dikush të na kryej detyrat tona, të luftoj për të drejtat tona, nëse vet nuk angazhohemi për ta zënë vendin dhe pozitën e duhur në shoqëri. Për t’i realizuar këto synime e patjetërsueshme është mbështetja dhe përkrahja e familjes dhe të afërmeve. Do të kisha apeluar deri te çdo femër që tërë potencialin që ka ta shfrytëzoj për të mirën e vetes, familjes, rrethit dhe shoqërisë e atë do ta bëj vetëm me punë permanente. Duhet të kenë më shumë vetëbesim dhe mos të ngurojnë për të dal në sipërfaqe.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.