PËRBËRËSIT:
1 kg patate
300 g kërpudha të thata
2 qepë
500 ml qumësht
3-4 vezë
pak kripë dhe piper i zi
trumzë
50 g djathë i grirë parmixhano ose pekorino
pak vaj ulliri
PËRGATITJA: Vendosni në ujë të ftohtë kërpudhat të rrinë për nja 1 orë. Pastaj kulloni ujin, shpëlajini pritini në copa të vogla dhe vendosini të kaurdisen me qepën e grirë, shtoni kripë, piper të zi, trumzë dhe lërini të gatuhen. Pastaj shtoni nja dy gota ujë, mbylleni me kapak dhe lërini derisa kërpudhat të zbuten mirë, nëse është e nevojshme shtoni akoma ujë. Ndërkohë qëroni patatet dhe pritini në feta, vendosini të ziejnë në ujë me kripë për 10 minuta, hiqini dhe lërini mënjanë të ftohen. Rrihni vezët me pak kripë dhe piper të zi, shtoni gjysmën e djathit të grirë, qumështin, përziejini dhe shtoni në të patatet e ziera dhe pak trumzë. Përziejini me kujdes që mos të prishni formën e patateve. Lyeni një tavë të mesme me pak vaj dhe galetë që mos të ngjisin, bëni një shtresë me patatet me qumësht dhe vezë. Në mes bëni një shtresë me kërpudhat dhe sipër një tjetër shtresë me patate, shtoni dhe pjesën e lëngshme të qumështit dhe vezës që ju ngelet në fund. Spërkateni me pjesën e mbetur të djathit dhe piqeni në 200° për 25-30 minuta. Shërbejeni të ngrohtë me një sallatë stine.