Një tjetër raport i autoriteteve italiane nxjerr edhe njëherë në pah se, organizatat kriminale shqiptare janë të lidhura me organizatat mafioze famëkeqe me bazë në Itali si “Ndrageta” dhe “Camorra”. Bëhet fjalë për “Relacionin mbi gjendjen e varësisë nga droga në Itali”, që përfshin të dhëna nga viti 2015 dhe gjysma e parë e vitit 2016, i hartuar nga një bashkëpunim i autoritete italiane (si instituti i statistikave në Itali bashkë me disa ministri, etj) dhe që i është prezantuar edhe senatit italian më 6 Dhjetor 2016. Siç raportojnë mediat italiane, raporti kujton edhe grupet kriminale të përfshira në trafik. Në trafikun e kokainës përfshihen: Ndrageta, Camorra dhe organizatat e Ballkanit dhe Amerikës së Jugut. Ndërsa, organizatat kriminale shqiptare përfshihen në trafikun e heroinës dhe derivateve të kanabisit. Në trafikun e heroinës, Ndrageta, Camorra si dhe Sacra Corona Unita kanë bashkëpunim të ngushtë me organizatat kriminale shqiptare dhe ballkanike, citohet raporti nga mediat lokale. Në një artikull të përmendur disa ditë më parë nga prestigjiozja italiane “La Repubblica”, shkruhej se Shqiptarët zotërojnë ekskluzivisht intenerarin Ballkan-Itali, të trafikut të drogës.