Tiranë, 11 korrik – Kryeministri shqiptar Edi Rama në intervistë për agjencinë greke të lajmeve “ANA-MPA”,shprehet optimist se Shqipëria dhe Greqia do të arrijnë “marrëveshje për një dokument të ri strategjik bashkëpunimi”.
“Problemet janë të vështira mes dy vendeve, por zgjidhja e tyre është absolutisht e nevojshme. Gjëja më e rëndësishme është që jo vetëm t’i zgjidhim këto probleme, por t’i çojmë ato në një tjetër nivel, bashkëpunimi dhe partneriteti. Marrëdhëniet mes dy vendeve duhet të kapërcejnë të kaluarën dhe të arrijnë në nivelin e marrëdhënieve që kanë qytetarët e dy vendeve mes njëri-tjetrit”, tha Rama.
Mediat shqiptare raportojnë se kryeministrat e dy vendeve, Rama dhe Cipras, pas takimit që e kishin në Londër, kanë deklaruar se “shumë shpejt mund të pritet zgjidhje pozitive mes Shqipërisë dhe Greqisë”. Në intervistën e njëjtë Rama foli edhe për marrëveshjen e Prespës mes Maqedonisë dhe Greqisë duke vlerësuar këto arritje për emrin e ri të Maqedonisë.
“Është një periudhë që duhet të vlerësojmë arritje dhe kryesisht marrëveshjen mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, në sajë të udhëheqjes së guximshme të Cipras dhe Zaev, të cilët morën pjesën e rrezikut për të konfirmuar diçka që nuk ishte e lehtë, por ata gjithashtu treguan se ka zgjidhje nëse ka vullnet”, tha Rama.