Fisnik PASHOLLI
Shkup, 31 mars – Rajoni i Shkupit është më i pasuri në Maqedoni, ndërsa ai i Pollogut është më i varfëri. Të dhënat statistikore tregojnë se dallimi në zhvillimin ekonomik midis rajoneve nuk është përmirësuar në periudhën e kaluar, shkruan gazeta KOHA. Sipas Entit të Statistikës në vitin 2005, prodhimi më i madh për kokë banori, me 231.053 denarë, ka qenë në rajonin e Shkupit, ndërsa prodhimi i brendshëm bruto (PBB) më i dobët, me 67.796 denarë për kokë banori, ka qenë në rajonin e Pollogut. Tetë vite më vonë apo në vitin 2013, sërish kryeson rajoni i Shkupit me 348.915 denarë të PBB-së për kokë banori, ndërsa Pollogu ka mbetur në vendin e fundit me 118.672 denarë të PBB-së për kokë banori. Kjo, me fjalë të tjera, do të thotë se edhe pas tetë vitesh, në rajonin e Shkupit krijohet tre herë më shumë vlerë e të gjithë produkteve dhe shërbimeve përfundimtare të prodhuara në ekonominë e një shteti në raport me rajonin e Pollogut. Njohësit politikave të zhvillimit të barabartë rajonal, kërkojnë që të rritet shuma për zhvillim të barabartë rajonal për tre herë, nga 90 milionë euro si një për qind e PBB-së, në 270 milionë euro apo 3 për qind të PBB-së, me qëllim të zbutjes së dispariteteve të mëdha në zhvillimin e tetë rajoneve në Maqedoni. Hulumtimet për efektet e politikave të zhvillimit të barabartë rajonal, tregojnë se edhe më tej rajoni i Shkupit ku jeton një e treta e popullatës krijon 42 për qind të PBB-së në shtet, ndërsa vetëm dy rajone kanë PBB për kokë banori më të të madh se mesatarja në shtet.
“Rekomandimet tona janë të krijohet Fond për zhvillim rajonal, që nënkupton të mos pritet rebalanci i buxhetit të shikohet se a do të shkurtojë qeveria pikërisht këto mjete, por që Fondi për zhvillim rajonal që do të ketë mjete jo prej një por prej 2-3 për qind të PBB-së, do të shpërndajë mjetet sipas metodologjisë së përcaktuar. Gjegjësisht 17-20 për qind për rajonin më të pazhvilluar, 15 për qind për të dytin, 14 për qind për të tretin e kështu me radhë”, thotë për KOHA, Sllagjan Penev, nga Aleanca për zhvillim rajonal. Sipas tij, analizat tregojnë se përqindja që ndahet për zhvillim të barabartë rajonal realisht asnjëherë nuk ka tejkaluar 0.3 për qind, edhe pse janë planifikuar një për qind e PBB-së. Zyrtarët thonë se shteti ndan edhe më shumë mjete, seç janë parashikuar me Ligjin për zhvillim të barabartë rajonal, por jo çdo herë mjetet shkojnë përmes Këshillit për zhvillim të barabartë rajonal. Problem tjetër është edhe koordinimi më i mirë ndërmjet ministrive të ndryshme që realizojnë programet për zhvillim rajonal, të cilat, sipas vlerësimeve të tyre, ndajnë mjetet dhe nuk respektojnë Indeksin e zhvillimit të rajoneve vlerësojnë analistët. Në ndërkohë, në periudhën e ardhshme, një vëmendje më e madhe duhet t’i kushtohet edhe përforcimit të decentralizimit fiskal si dhe rritjes së mjeteve që fitojnë komunat nga tatimet e ndryshme. Ky proces kërkon edhe rritjen e kapaciteteve të komunave në menaxhimin më të suksesshëm të kompetencave të tyre, si dhe rritjen e kapaciteteve për të përgatitur projekte të ndryshme për fondet vendore dhe të jashtme për zhvillim. Analizat e ndryshme tregojnë se decentralizimi fiskal në Maqedoni nuk i ka dhënë rezultatet e pritura, ndërsa komunat akoma janë të kufizuara në raport me mundësitë dhe të drejtat fiskale.
Transferimet dhe donacionet zënë pjesë të madhe në buxhetin e përgjithshëm të komunave ashtu që hise më të madhe kanë dotacionet nga buxheti qendror, gjë që i bën të varura nga pushteti qendror, tregon hulumtimi i Qendrës për Zhvillim të Demokracisë Lokale, “Financat lokale në Republikën e Maqedonisë në vitin 2013 dhe 2014”.
“Njohësit e financave lokale dhe decentralizimit fiskal në Republikën e Maqedonisë, si dhe një pjesë e hulumtimeve të bërë në këtë sferë më së sheshti konstatojnë se të ardhurat e komunave, të cilat jepen nga buxhetit qendror nuk janë të përcaktuara në pajtim me nevojat e kompetencave të decentralizuara, por jepen në mënyrë arbitrare. Ekziston dallimi i madh ndërmjet mundësive financiare të komunave, për këtë arsye nevojitet formulë e qartë për shpërndarjen e mjeteve, e cila do të reflektojë dallimet mes komunave. Varësia financiare nga pushteti qendror është shumë e madhe, që e kufizon autonominë e komunave”, thuhet, ndër të tjera në analizë.
Hulumtimi më tej tregon se komunat edhe më tej menaxhojnë me një pjesë të vogël të buxhetit të përgjithshëm që e kanë në disponim, duke marrë parasysh se pjesa më e madhe e të hollave vijnë nga shteti si dotacione dhe transfere për të cilat nuk vendosin komunat se si do të shpërndahen, por këtë e bën pushteti qendror.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara