Nga Qerim LITA
Në mars të vitit 1959, Kryesia e KQ të LKJ-së solli disa konkluzione, të cilat për qëllim patën ndërhyrjen e menjëhershme të organeve shtetërore e politike, si të Federatës po ashtu edhe të republikave e të krahinave autonome në RFPJ, për përmirësimin e gjendjes diskriminuese të popullsisë jo sllave, përkatësisht të shqiptarëve, hungarezëve, turqve etj., që asaj kohe njiheshin me termin “pakica nacionale”. Ndërkohë, Kryesia e KQ të LKM-së, angazhoi Komisionin e vetë për pakicat nacionale që të hartoj analiza e informata për gjendjen faktike të popullsisë shqiptare e turke në RPM, në të gjitha sferat e jetës, veçmas në sferën e arsimit e të kulturës. Për rrjedhojë, Komisioni për pakicat nacionale, emëroi një grup punues, me detyrë që të bëjë inspektimin e hollësishëm për gjendjen faktike të emisioneve në gjuhën shqipe e turke të Radio Shkupit. Grupi në fjalë, pas një inspektimi të detajuar, në korrik të atij viti hartoi analizën e kërkuar e cila u shqyrtua në mbledhjen e Komisionit për pakicat nacionale pranë KQ të LKM-së, punimet e së cilës u zhvilluan më 14 korrik 1959. Sipas Analizës, Radio Shkupi, del se program ditor në gjuhën shqipe e atë turke kishte vetëm nga 10 minuta (në përjashtim të ditës së diel), edhe atë lajme të shkurta në të dy gjuhët dhe nga një emision javor dedikuar fëmijëve e gruas me kohëzgjatje prej 10 përkatësisht 20 minuta, si dhe dy emisione javore me këngë popullore shqipe dhe një emision javor me këngë popullore turke.
Nisur nga fakti se opinioni i gjerë shqiptar në përgjithësi, veçmas punonjësit e tanishëm shqiptarë të Radio Shkupit – programi në gjuhën shqipe, shumë pak janë të informuar për politikën e atëhershme diskriminuese të stafit drejtues të Radio Shkupit (në vitin 2015, Radio Shkupi – programi në gjuhën shqipe, me rastin e 70 vjetorit thuajse gjatë tërë vitit u mor me këtë datë “jubilare”, duke mos dhënë asnjë kritikë ndaj politikës redaktuese gjatë periudhës komuniste), i cili brenda 24 orëve program ditor nuk lejonte më shumë se 10 minuta të dëgjohej fjala e bukur shqipe, e pamë të arsyeshme që përmes gazetës shqiptare KOHA, ta publikojmë në tërësi Analizën në fjalë si dhe Konkluzionet e Komisionit për pakicat nacionale pranë KQ të LKM-së, kushtuar emisioneve në gjuhën shqipe e turke të Radio Shkupit deri në vitin 1959. Dy dokumentet në fjalë gjenden në Arkivin Shtetëror të Maqedonisë, fondi 427 dhe të njëjtët botohen për herë të parë:
DOK 1:EMISIONE NË GJUHËN SHQIPE E TURKE NË PROGRAMIN E RADIO SHKUPIT
Vite me radhë në programin e Radio Shkupit gjenden më shumë emisione në gjuhën shqipe e turke. Ato janë emisione të përditshme e javore. Emisionet të përditshme janë lajmet në gjuhën shqipe në kohëzgjatje prej 10 minutash dhe lajmet në gjuhën turke gjithashtu prej 10 minutash. Përveç kësaj në program një herë në javë janë nga një emision për fëmijë dhe nga një për gruan në gjuhën shqipe, përkatësisht turke. Emisionet për fëmijë zgjasin nga 20 minuta, ndërsa për gruan nga 10 minuta. Në programin muzikor gjenden emisionet për këngët popullore shqiptare e turke. Këngët popullore shqiptare emitohen një herë në javë në orët e mbrëmjes në kohëzgjatje prej 15 minuta dhe një herë në javë në kohëzgjatje prej 15 minuta në orët e paradites. Këngët popullore turke emitohen një herë në javë në kohëzgjatje prej 15 minuta.
Gjatë përgatitjes së orarit të këtyre emisioneve kur janë futur në program është bërë llogari se edhe radio stacionet tjera jugosllave kanë program në gjuhën shqipe e turke, kështu që emisionet e Radio Shkupit në një farë mënyre janë pjesë përbërëse të atij programi të përgjithshëm. Radio Beogradi emiton nga dy emisione ë në kohëzgjatje prej 15 e prej 30 minuta dedikuar botës së jashtme. Këto emisione i transmetojnë Radio Prishtina e Radio Titogradi (Podgoricë –Q.L), krahas emetimit në valët e shkurta të Radio Beogradit. Radio Prishtina, pasi ka program amë në gjuhën shqipe e turke, transmeton vetëm njërin emision, ndërsa edhe Radio Titogradi vetëm njërin emision në kohëzgjatje prej 15 minuta. Nga kontrollimi i emisioneve në pesë muajt e parë të këtij viti erdhi deri te konstatimi se ato luajnë rolin e tyre të pakontestueshëm në informimin, përkatësisht në ndikimin kulturor e edukativ mbi dëgjuesit e tyre, megjithëse është vështirë të konstatohet se janë të mjaftueshme në tërësi.
LAJMET: Emisionet informative kanë rolin e tyre më të gjerë për shkak se krahas lajmeve dhe informacionet që jepen një herë në 24 orë, përmbajnë edhe komente për ngjarjet e aktualitete ditore, raporte e informata të zgjeruara për manifestime të ndryshme politike, ekonomike e kulturore, dukuri e probleme, pastaj për jetën e punën e pjesëtarëve të pakicave e ngjashëm, kështu që në ditët kur nuk ka materiale më të rëndësishme /fjalime, plenume, kongrese, kuvende/ në emisionet ndahen 3 deri 5 minuta për materialet e mësipërme. Përveç kësaj kryesisht jepet pasqyrë e rregullt për shtypin e pakicës nga Maqedonia e Kosmeti (tërë ky material duhej të transmetohej brenda 10 minutave, aq sa ishin paraparë transmetimi i lajmeve në gjuhën shqipe e turke në Radio Shkup –Q.L.)
Në emisionet lajme jepen materiale të cilat kanë karakter të përgjithshëm jugosllav, pastaj lajme nga Maqedonia dhe për Maqedoninë dhe lajme për ndodhitë në botën e jashtme, përkatësisht komente për këto ndodhi sidomos në lidhje me marrëdhëniet me vendet fqinje. Gjatë ngjarjeve me rëndësi të veçantë, siç janë kongreset ose fjalime me rëndësi, emisionet vazhdojnë për disa minuta, ndërsa nga ndonjë herë bëhen ndryshime të veçanta të programit dhe atëherë vazhdojnë për 20 minuta, siç ishte rasti me Kongresin e Tretë të Lidhjes së komunistëve të Maqedonisë të paradokohshëm, kur pati emision me nga 20 minuta në gjuhën turke e shqipe edhe gjatë ditëve të diela. Përndryshe, në situatën normale, emisionet lajme në gjuhën shqipe e turke nuk ka gjatë ditëve të diela. (Sipas kësaj del se lajmet në gjuhën shqipe e turke emitoheshin 6 herë në javë, prandaj nuk mund të thuhet se këto emisione ishin të përditshme, siç pretendohet në informatë – Q.L.). Redaktimi i këtyre emisioneve është i orientuar kah publiku vendor. Ekziston një plan i caktuar sipas të cilit në ditë të caktuara jepen materiale nga fusha të veçanta. Ky plan herë pas here cenohet për shkak ngjarjeve aktuale ditore, për shkak se emisionet janë të karakterit informativ.
Me që këto emisione dëgjohen në botën e jashtme, për shkak se Radio Shkupi relativisht ka dëgjueshmëri të mirë dhe i mbulon pjesë të Afrikës Veriore, Lindjes së Afërt dhe Azisë Perëndimore, ku dëgjohen kryesisht emisionet në gjuhën turke, sidomos nga ana e turqve – të shpërngulurit nga Maqedonia, për çka dëshmojnë edhe letrat që për çdo ditë i merr Radio Shkupi – gjatë redaktimit të emisioneve bëhet llogari edhe për momentin propagandues. Nga inspektimi i materialeve të publikuara në emisionet lajme mund të shihet se ka mangësi të caktuara që janë rezultat ose të shpejtësisë gjatë përgatitjes së emisioneve ose nga lëshimet e vetë redaktorëve që punojnë në përgatitjen, lëvizjes dhe përpunimit të materialit për publikim. Për përmbajtjen e emisioneve bëhen konsultime të përditshme me kryeredaktorin gjatë si cilës përcaktohet fizionomia e emisionit për ditën e dhënë.
Në këto emisione vërejtjet kryesisht janë në atë që gjatë ditëve të caktuara në mënyrë të pamjaftueshme kujdesen për kontinuitetin, pastaj në mënyrë jo të shkathtë shkëputen disa materiale më të gjata, e përveç kësaj vërehet dallimi edhe në precizitetin në terminologjinë për nocionet specifike për shoqërinë tonë, në krahasim me gjuhën në shtyp. Kjo më së shumti i përket gjuhës turke në emisionet dhe kjo imponon nevojën për përpjekje të caktuara në përshtatshmërinë e gjuhës. Në emisionet shqipe paraqiten dallime me atë që në shprehje vijnë fjalitë. Vërejtja e përgjithshme për të dy emisionet, kur bëhet fjalë për gjuhën, është edhe ajo se bien pre të konstruksionit të fjalisë së gjuhës nga e cila përkthehet, që shpesh mund të haset edhe përkthim të drejtpërdrejtë.
Vërejtje më serioze mund të vërehet se në emisionet ditore nuk ka materiale të mjaftueshme nga jeta e pakicave. Kjo është e lidhur me mundësitë kadrovike të tanishme, sepse në dy emisionet punon nga një redaktor, ndërsa punën e përditshme mbi emisionin nuk lejon të shkohet më shpesh apo më gjatë në terren. Do të ishte e nevojshme të punojnë nga dy redaktor, e përveç kësaj të shfrytëzohen më shumë korrespodentët ekzistues të Radio Shkupit. Mund të vërehet se në këto emisione thuajse fare nuk paraqiten udhëheqësit para mikrofonit. Jeta e pakicave nacionale do të mund të trajtohet më gjerë e të përfshihen edhe pakicat tjera nacionale në Jugosllavi, madje edhe në botën e jashtme.
EMISIONET PËR FËMIJË E PËR GRUAN: Emisionet në gjuhën shqipe e turke dedikuar fëmijëve e grave i përmbushin nevojat e kërkesat. Sipas analizave të kryera këta emisione kryesisht janë të mira dhe të dëgjuara madje edhe nga fëmijët nëpër shkollat e fshatrave të elektrifikuara. Emisionet për gruan mirë janë të pranuara nga gratë, e sidomos te amviset, dhe i përmbushin kërkesat. Në emisionet për fëmijë vërehen materiale të konsiderueshme nga Kosmeti /shkëmbim të materialeve midis radio-stacioneve/. Do të duhet të bëhen përpjekje pedagogjike që të aftësohen edhe më shumë kah reformat e reja të shkollimit tonë e të kenë lidhje më të ngushta me aradhat e pionierëve dhe me shkollat, të publikojnë këngë e krijimtari tjera të vetë fëmijëve dhe do të mund të publikohen edhe vepra të autorëve maqedonas të përkthyera apo të kënduara në gjuhën shqipe, përkatësisht turke. Përveç kësaj mund të vërehet se në emisionet për fëmijë nevojitet të përshtatet gjuha e fëmijëve dhe mundësinë për ta pranuar. Në emisione fëmijët do të mund edhe vetë të paraqiten në kuptimin nga fëmija për fëmijë.
EMISIONET MUZIKORE: Në programin e Radio Shkupit ekzistojnë edhe emisione të këngëve popullore shqipe e turke. Përveç kësaj kohë pas kohe organizohen edhe emisione të hapura me prezencën e publikut. Me vendosjen e emisionit tërë ditorë të Radio Shkupit është futur edhe një emision në orët e pasdites me këngë popullore shqipe. Emisionet këngë popullore më herët kishin më shumë minuta, mirëpo për shkak numrit të pamjaftueshëm të këngëtarëve në përgjithësi, e sidomos kualitativ, u shndërrua në 15 minuta. Përveç kësaj tematika e këngëve është e kufizuar dukshëm kryesisht në këngë lirike e të rëndomta. Në program mungojnë këngët luftarake. Përveç kësaj një pjesë e këngëve janë të modernizuara, megjithëse – për shembull në Tetovë e në disa treva tjera – ekzistojnë këngë popullore burimore, kryesisht shqiptare. Grumbullimi i këngëve të reja popullore për pakicat përbën problem shumë i rëndë. Incizimi i tyre është jashtëzakonisht i rëndë për shkak mungesës së këngëtarëve, por edhe të ansambleve muzikore. Shoqëritë kulturore-artistike të pakicave nacionale janë shumë pak aktive, ndërsa në ta vërehet depërtimi i muzikës popullore moderne e të modernizuar dhe të emituar nga Radio Tirana.
Në suazat e përpjekjeve që të grumbulloj muzikë popullore sa më kualitative, Radio Shkupi nga muaji prill zhvillon aksion në terren për gjetjen e këngëtarëve e të interpretuesve të muzikës popullore në rrethet: Tetovë, Dibër, Kërçovë e në trevat tjera në Maqedoni ku jetojnë pakicat nacionale, mirëpo rezultatet janë minimale. Hasen edhe asi vështirësi që mos të lejohen nga familjarët e tyre gratë –këngëtare talente të zbuluara të vijnë në Shkup për incizim /rasti në Dibër/.
PRANIMI TEKNIK I EMISIONEVE DHE PROBLEMET NË LIDHJE ME TË: Gjatë hartimit të analizës u konstatua se Radio Shkupi pranohet vështirë ose ka pranim krejtësisht të dobët në vende të caktuara në Maqedoninë Perëndimore, sidomos në rrethin e Dibrës, ku mirë pranohet Radio Tirana. Në këto treva i dobët është edhe pranimi i Radio Prishtinës. Për zgjidhjen e këtij problemi mund të niset në drejtimin kah ngritja të stacionit të ritransmetuesit në Maqedoninë Perëndimore, ose të ndryshohet koha e emetimit të disa emisioneve në kohën kur Radio Shkupi ka pranim më të mirë në atë pjesë të Maqedonisë. Ngritja e stacionit të ritransmetuesit përbën çështje që nxjerr në pah disa probleme. Në radhë të parë, ritransmetuesi do të mund të emetoj program të vetin lokal nga një deri në dy orë në gjuhën shqipe e turke. Përveç kësaj mund t’i transmetoj emisionet e Radio Shkupit e të Radio Prishtinës, ndërsa në kohën tjetër do ta transmetonte programin e rregullt të Radio Shkupit. (Kuptohet, në gjuhën maqedonase – Q.L.). Kjo lidhet me problemet materiale e kadrovike. Zgjidhja e saj mund të jetë në atë mënyrë që ritransmetuesi do të lidhej me Radio Shkupin me linjë të posaçme. Në fillim programi do të përgatitej në Radio Shkup. Nga terreni do të grumbullohej kuadri për stërvitje, për një, dy deri më tre vjet, ndërsa më pas redaksi lokale, pasi të pavarësohet, do të mund të kaloj në vendin ku ka qenë ritransmetuesi. Njëkohësisht, do të krijohej edhe rrjeti i korrespodencës. Në rast se redaksia do të rivendosej do të duhej të ndërtohen studio e të sigurohej teknika e veçantë e studios që është e nevojshme në përmasa më të vogla të merret edhe për Radio Shkupin përderisa Redaksia do të qëndronte në Shkup. Lokacioni i ritransmetuesi, mundësia e saj dhe ndryshimi eventual i kohës së emetimit të emisioneve të tanishme do të mund të përcaktohen pas matjes së nevojshme teknike në terren. Në lidhje me kohën e emetimit Radio Shkupi mund të organizoj anketë të posaçme në mesin e dëgjuesve dhe për përmbajtjen e emisioneve.
PROPOZIME TË VEÇANTA
- Do të ishte më rekomanduese të formohet këshill /nga punëtorë politik, publik e kulturor/ që do të përcillte emisionet në gjuhën shqipe e turke dhe herë pas here do të debatonte kryesisht për përmbajtjen dhe kualitetin e tyre.
- Që të mund të udhëhiqet në mënyrë më operative me emisionet në gjuhën shqipe e turke në Radio Shkup do të duhet të themelohet redaksi e posaçme organizative të emisioneve të pakicave në krye me redaktorin, i cili eventualisht do t’i njihte të dy gjuhët.
- Meqenëse në emisionet e deritanishme jepen edhe materiale nga jeta jonë shoqërore, ekonomike, politike e kulturore, e gjithashtu edhe nga jeta e pakicave, gjatë hartimit të kësaj analize u shtrua edhe qëndrimi që emisionet lajme të kalojnë në 15 minuta, përkatësisht ta ndryshojnë fizionominë. Ai program do të dedikohej kryesisht në pjesën informative, kështu që nga ana tjetër më shumë hapësirë do t’u jepej materialeve tjera. Nga ana tjetër, rritja e minutave do të përbëj edhe çështje nga karakteri programor të Radio Shkupit.
- Do të mund të hulumtohet situata për futjen edhe të emisioneve letrare në të cilat do të publikoheshin krijimtari në gjuhën shqipe e turke, si dhe përkthime të autorëve maqedonas e jugosllav.
- Dhoma muzikore e Radio Shkupit, duhet eventualisht të qaset kah incizimi i muzikës zbavitëse në gjuhën shqipe, përkatësisht turke”.
DOK. 2 KONKLUZIONET E KOMISIONIT PËR PAKICAT NACIONALE TË KQ TË LKM-SË
(Shkup, 14 korrik 1959) Përmbajtja e emisioneve të Radio Shkupit në gjuhën shqipe e turke, u theksua në debat, kryesisht janë përkthime nga emisionet në gjuhën maqedonase. Vërehet nevoja që të ndryshohet karakteri i tyre. Në to do të duhej të trajtohen më shumë problemet e pakicave. Ato duhet t’i shprehin përpjekjet dhe rezultatet nga ndërtimi ynë socialist në të cilën në mënyrë aktive marrin pjesë edhe pakicat. Në mënyrë të veçantë të shënohen rezultatet nga ndërtimi në ato rajone ku pakica është më kompakte si dhe pjesëmarrja e tyre dhe të arriturat e jetës shoqërore-politike e kulturore.
Për shkak pranimit të dobët të Radio Shkupit në disa pjesë nga Maqedonisë Perëndimore, u tha se janë miratuar mjete nga ana e Këshillit Ekzekutiv të RPM-së për ngritjen e një stacioni regjional, i cili krahas përcjelljes së rregullt të emisioneve të Radio Shkupit do të emetonte edhe programin e vet. Emisionet do të emitoheshin si në gjuhën maqedonase po ashtu edhe në atë shqipe e turke, sepse në ato treva popullsia etnikisht është e përzier ndërsa pakicat nacionale përbëjnë popullsinë më kompakte. Me qëllim që t’u ndihmohet redaksive të emisioneve për bashkëkombësit tanë si dhe të emisioneve në gjuhën shqipe e turke, Komisioni sugjeron që të zgjerohet përbërja e redaksive me bashkëpunëtor të jashtëm nga radhët e punëtorëve shoqëror-politik, të cilët duke qenë pjesëmarrës në të gjitha mbledhjet e redaksive do të kontribuonin për përmirësimin e kualitetit dhe do të kujdeseshin për fizionominë e caktuar të emisioneve. U soll konkluzioni që Komisioni ideologjik pranë KQ të LKM-së të mbaj mbledhje me redaktorët e Radio Shkupit në të cilën do të shqyrtohej problematika e tërësishme të emisioneve për bashkëkombësit tanë si dhe emisioneve në gjuhën shqipe e turke dhe do të precizohej karakteri i tyre”.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.