Së paku 547 anëtarë të rinj të shkollës kishtare ‘Regensburger Domspatzen’ në Gjermani ishin cak i abuzimeve fizike dhe seksuale brenda një periudhe prej 60 vitesh, raporton BBC, transmeton gazetametro.net Sipas një raporti të ri, 49 anëtarë të kishës akuzohen se kishin kryer këto abuzime prej vitit 1945 deri më 1990, por ata nuk do të përballen me gjykatën pasi nga krimet ka kaluar një kohë e gjatë.
Viktimat kishin deklaruar se ajo çfarë kishin përjetuar i ngjante ‘ferrit, kampeve të përqendrimit apo burgut’. Sipas avokatit që kishte hetuar këto ngjarje, Ulrich Ëeber, subjekte të abuzimit kishin qenë nxënësit e shkollës fillore dhe të mesme. Në mesin e të apostrofuarve si pjesëmarrës në këto ngjarje është edhe Georg Ratzinger, që është vëllai i ish-Papës Benediktit të XVI’të. Ai ishte drejtues i kësaj shkolle kishtare nga viti 1964 deri më 1994. Më 2010, ai kishte pranuar se disa herë i kishte goditur nxënësit në fytyrë, por kishte thënë se nuk ishte në dijeni për përmasën e tërë kësaj ngjarje.
Sipas raportit me më shumë se 400 faqe, nxënësit që donin të iknin nga shkolla silleshin para shokëve të tyre dhe turpëroheshin, duke u inkurajuar që asnjë tjetër të mos tentojë ta bëjë të njëjtën gjë. 67 nga 547 nxënës ishin abuzuar seksualisht. Kisha katolike është akuzuar shpesh se ka ‘mbyllur njërin sy’ karshi abuzimeve seksuale të rë rinjve nga ana e priftërinjve. Skandali për abuzimet e paraqitura më lart kishte shpërthyer më 2010.