Kur njerëzit tradhëtojnë në çdo aspekt, ata ulin veten e tyre. Kohët e fundit është bërë mjaft e zakonshme tradhëtia në marrëdhënie. John Hoëard, një psikoterapist, thotë se në 50% të marrëdhënieve, ekziston tradhëtia. Shpesh ajo mbetet një arsye e fortë e divorceve, ndaj dhe mendohet se shumë çifte po ndahen kohët e fundit.
Por cilat janë arsyet se pse personat tradhëtojnë? Shumë shkencëtarë socialë dhe shumë psikologë besojnë se është pikërisht monogamia ajo që shihet si një kufizim nga shumica e njerëzve. Ata thonë se kryesisht meshkujt, të cilët priren më tepër të tradhëtojnë, e shohin si jonormale monogaminë, pra lidhjen me një person të vetëm për gjithë jetën. Sipas të dhënave edhe nga evolucioni i njeriut, meshkujt për të siguruar vazhdimësinë e llojit, shkonin me më shumë se një femër përgjatë jetës së tyre. Por krahas një arsyeje të tillë, ekzistojnë edhe arsye të tjera, të cilat psikologët i rendisin si më poshtë:
- Mungesa e dashurisë
Edhe pse mund të shihet si një justifikim, një numër i madh tradhëtarësh shprehen se kanë tradhëtuar, ngaqë nuk e donin më personin që kishin në krahë. Gjithashtu, edhe faktorë të tjerë si mërzitja, mungesa e komunikimit, mungesa e tërheqjes për personin tjetër, mund të luajnë rol në këtë arsye.
- Premtim i kotë
Shumë njerëz premtojnë se në një marrëdhënie do të jenë besnikë sa për sy e faqe dhe përfundojnë duke tradhëtuar. Ka edhe të tjerë që betohen përpara institucioneve të kultit dhe i shkelin ato betime, të cilat ia bëjnë personit tjetër. Persona të tillë që betohen apo premtojnë gjëra të kota, janë më të prirur të tradhëtojnë në një marrëdhënie.
- Problemet me vetëbesimin
Shumë të rinj kanë probleme me vetëbesimin dhe mendojnë se do i kalojnë këto probleme duke pasur sa më shumë lidhje në të njëjtën kohë. Kjo gjë u duket shumë në modë dhe e praktikojnë për të rënë në sy, pasi qendra e vëmendjes në shoqëri u shton atyre vetëbesimin.
- Faktorë të lidhur me situata të caktuara
Ekzistojnë situata të caktuara që kanë të bëjnë me vendin e gabuar dhe kohën e gabuar, në të cilat bëhen gjërat e gabuara. Alkooli dhe droga akuzohen si faktorët kryesorë që turbullojnë përqëndrimin e njerëzve dhe i shtyjnë drejt tradhëtisë, pa qenë të vetëdijshëm.
Shpesh tradhëtohet pa e marrë parasysh se çfarë i shkakton personit që të do. Viktimat e tradhëtisë rrezikojnë më shumë të bien pre e ankthit dhe depresionit. Ata janë më të prirur të reduktojnë edhe marrjet e ushqimit, si dhe të bien pre e konsumimit të drogës apo alkoolit, si pasojë e tradhëtisë që kanë mbi supe prej personit që donin.