Zejnulla VESELI
Shkup, 21 korrik – Banorët e rrugës Ho Shi Min në Komunën e Butelit të premten përmes protestës kanë shfaqur pakënaqësinë e tyre ndaj këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së që njëherit përbëjnë shumicën në këtë komunë, të cilët nuk pranojnë të diskutojnë për peticionin e qindra banorëve të cilët kërkojnë të ndryshohet Plani Detal Urbanistik, me të cilin kjo komunë ka paraparë të ndërtojë 7 ndërtesa 7-katëshe në një tokë që me planin e mëhershëm urbanistik ishte paraparë të jetë hapësirë e gjelbër.
Para dy viteve, këshilltarët e kësaj komunë, në mënyrë tinzare nga banorët e kësaj lagje kishin miratuar ndërtimin e këtyre ndërtesave, edhe atë pa hapur debat publik me banorët e lagjes. Me të kuptuar këtë fakt, banorët janë mbledhur dhe kanë nënshkruar peticion deri te kryetari i komunës, i cili që dy vite nuk është përfillur nga Këshilli i komunës së Butelit. Në realitet, kanë qenë këshilltarët e VMRO-së, të cilët përbëjnë shumicën në këtë komunë, të cilët as që kanë hapur debat në këtë temë.
Paralelisht me këtë problem, banorët e kësaj lagje kanë reaguar edhe kundër autoriteteve të qytetit të Shkupit, të cilët kanë paraparë që aty të kalojë edhe një bulevard, me të cilin këtyre banorëve do t’u merren edhe nga një pjesë e oborreve të tyre private. “Mirëpo dikush në vitin 2014 fshehtazi pa i informuar banorët e rrugës Ho Shi Min, por edhe qytetarët e tjerë komunës së Butelit, kanë bërë ndryshimin e planin urbanistik dhe në vend që të ndërtohet park dhe të mbetet gjelbërimi, aty parashihen të ndërtohet 7 ndërtesa banimi me 7 kate, ndërsa që të mund të ketë hapësirë të mjaftueshme për ndërtimin e këtyre ndërtesave parashihet vazhdimi i rrugës Boce Jovanova me katër korsi të kalon midis ndërtesave dhe shtëpive që gjenden në rrugën Ho Shi Min me qëllim që të mund të ndërtohet kjo rrugë do të duhet të kalon nëpër oborret e shtëpive tona”, thotë Kiril Sazdov, banor në këtë lagje. Kjo, sipas tij, është arsyeja e kësaj proteste, për të cilën thotë se nëse nuk reagon komuna ndaj këtyre kërkesave, herën tjetër banorët do ta bllokojnë edhe funksionimin e Komunës së Butelit.
“Nëse deri të hënën apo të enjten kur do të jetë seanca e radhës nuk e pranojnë peticionin tonë dhe të kthehet plani i mëparshëm urbanistik, ku parashihet të mbetet zonë gjelbërimi e jo ndërtim të 7 banesave, ne do marrin masa radikale dhe do të shkojmë para komunës ku do të qëndrojnë deri sa nuk e mbështesin iniciativën tonë”, thotë Sazdov.
Banori tjetër, Mustafa Ajredini thotë se problemi që të mos pranohet peticioni i banorëve në këtë rrugë është te vetë këshilltarët e kësaj komune. “Informacione të sigurta flasin se kryetari i Komunës së Butelit tre herë e ka futur në rend ditë peticionin tonë, mirëpo kur i ka ardhur radha të debatohet për te, këshilltarët e VMRO kanë kërkuar që të tejkalohet kjo pikë dhe të diskutohet ne seancën e radhës. Me vet faktin se pikërisht këshilltarët e VMRO-së nuk diskutojnë për peticionin ngrit dyshime te ne banorët e komunës së Butelit se dikush nga këshilltarët e VMRO-së ka gisht në ndryshimin e planit urbanistik dhe me çdo kusht po tenton të ndërtohen 7 ndërtesat kolektive”, thotë Ajredini.
Kryetari i Butelit, Peter Latinoski, thotë se është i njohur me problemin dhe se ai si kryetar komune nuk do të lejon ndërtimin e rrugës si dhe ndërtimin e 7 banesave. “Ne si vetëqeverisje lokale kemi ngritur iniciativë të ndryshohet plani urbanistik dhe në zonën ku tani është deponi e egër, të ndërtohet park, gjegjësisht të mbetet zonë e gjelbëruar”, thotë Latinoski, i cili shpreson se iniciativa për ndryshimin e planit urbanistik do të kalojë në seancën e radhës nga këshilltarët e kësaj komune. Në pyetjen se pse këshilltarët deri më sot nuk e kanë përkrahur iniciativën e banorëve, Latinoski u shpreh i habitur, duke lënë të kuptohet se brenda vetë VMRO-së në Butel ka përçarje rreth kësaj teme.
Peticioni i qytetarëve do të jetë për debat në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Komunal që do të caktohet javën që vjen. Nuk dihet nëse edhe atëherë këshilltarët e VMRO-së do të sillen njëjtë. Ky është shansi i fundit që kjo përbërje ka për të ndryshuar këtë plan urbanistik, pasi që së shpejti pritet të shpallen zgjedhjet e ardhshme komunale, me çka edhe ndërpritet puna e Këshillit komunal për të debatuar rreth këtyre çështjeve.