Presidenti Trump niset në turneun e tij të parë të jashtëm

15

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, sot niset në turneun e tij të parë të jashtëm, derisa Uashingtoni është i përfshirë nga një krizë të thellë, lidhur me hetimin për lidhjet e ndihmësve të presidentit me zyrtarët e Rusisë. Administrata Trump shpreson se vizatat në Arabinë Saudite, Izrael, Itali, Vatikan dhe Bruksel, do t’i ndihmojnë zotit Trump, për t’i përforcuar lidhjet e afrërta të Shteteve të Bashkuara me aleatët kryesorë, veçanërisht në Lindjen e Mesme.

Por, ky udhëtim është disi nën hije të shkarkimit të drejtorit të agjencisë FBI, James Comey, nga ana e presidentit Trump, pasi Comey ishte duke i mbikëqyrur hetimet e FBI-së për komunikimet ndërmjet zyrtarëve rusë dhe ndihmësve të Trumpit. Më vonë është raportuar se Trump në muajin shkurt ishte përpjekur për të bërë presion ndaj zotit Comey për ta hedhur poshtë hetimin lidhur me këshilltarin e parë të sigurisë kombëtare të presidentit Trump, i cili raportohej se kishte gënjyer për komunikimet e tij ruse.

Shtëpia ne Bardhë, po ashtu,në mënyrë të ashpër po reagon ndaj raporteve se gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, presidenti Trump kishte zbuluar informacione tejet sekrete të inteligjencës për grupin ekstremist, Shteti Islamik. Raportohet se inteligjenca kishte ardhur nga një spiun izraelit në Siri. Në një goditje të mëtejshme kundër Shtëpisë së Bardhë, Departamenti i Drejtësisë ka shpallur se ish-drejtori i agjencisë FBI, Robert Mueller, është nominuar për ta udhëhequr hetimin special për lidhjet ruse.

Presidenti Donald Trump, e ka kritikuar këtë zhvillim, duke thënë se është viktimë e “gjuetisë më të madhe politike të shtrigave” në historinë e Shteteve të Bashkuara. Më vonë ai theksoi se “e ka respektuar këtë lëvizje” por ka përsëritur se ishte “gjueti shtrigash”, për të cilën vlerësoi se “mendoj se e ndanë vendin”.

Mëtutje, ai ka folur për turneun e tij të parë të jashtëm. “Unë shkoj në Arabinë Saudite, shkoj në Izrael, në Romë dhe ne kemi G-7. Ne kemi shumë gjëra të mëdha që po ndodhin dhe unë e urrej kur shoh çdo gjë që na ndanë. Unë jam në rregull me atë se njerëzit bëjnë çka të duan, por ne duhet të kthehemi në udhëheqjen realisht të mirë të këtij vendi”, tha Trump.

Arabia Saudite dhe Izraeli janë në mesin e aleatëve më të afërt të Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme, dhe të dy këto shtete i mbështesin përpjekjet amerikane për përfundimin e luftës shkatërruese gjashtëvjeçare në Siri. Ekspertët, po ashtu, presin të shohin nëse presidenti amerikan, Donald Trump, do të sinjalizojë ndonjë ndryshim të rëndësishëm në politikën amerikane për konfliktin izraelito-palestinez, e veçanërisht sa i përket statusit të Jerusalemti, që kontestohet nga palët.

Pritet që gjatë turnueut të tij, presidenti Trump do të takohet edhe me presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, dhe me Papën Françesk në Vatikan. Në Bruksel, zoti Trump do të takohet me kolegët nga vendet anëtare të NATO-s. Liderët e shteteve anëtare shpresojnë të shohin mbështetje të fuqishme, pasi më herët Trump e kishte kritikuar aleancën.

Ai disa herë ka përsëritur se anëtarët nuk kontribuojnë me mjete të mjaftueshme, kështu që Shtetet e Bashkuara e bartin barrën më të madhe në NATO. Pas takimit të NATO-s më 25 të këtij muaji, presidenti Trump në Sicili të Italisë, do të takohet me liderët e tjerë të grupit G-7, që përbëhet nga shtatë vendet e zhvilluara industrialisht, Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Gjermania, Italia, Kanadaja dhe Japonia. (REL)

Të Ngjajshme