Kur jemi pak më shumë se një vit larg Botërorit 2018, në Rusi vazhdojnë përgatitjet për evenimentin më të rëndësishëm të botës së futbollit dhe një kujdes i veçantë do të tregohet për masat e sigurisë, në mënyrë që gjithçka të shkojë në mënyrën e duhur. Shqetësimi kryesor i organizatorëve janë tifozët ultras rus, të cilët, nëpërmjet një mesazhi video, që është publikuar nga BBC, kanë bërë të ditur se: “Botërori për disa do të jetë një festë e futbollit, por disa të tjerë do të jetë një festival i dhunës. Ka shumë mundësi që dikush të provojë të bëjë diçka, madje, është 100% e sigurt”.
Këtyre kërcënimeve, të bëra nga një ultras me maskë, i është përgjigjur presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, i cili nuk është shprehur aspak i shqetësuar: “Kam besim të plotë në autoritetet ruse dhe jam i sigurt se nuk do të ketë asnjë problem në 2018-ën”.
https://www.youtube.com/watch?v=88I98grkgEY
Rusi 2018-të do të jetë botërori numër 21 në historinë e futbolli. Do të fillojë më 14 qershor të viti të ardhshëm dhe do të përfundojë në 15 korrik. Ky do të jetë Botërori i parë në histori që do të zhvillohet në Europën Lindore dhe i pari që do të zhvillohet në Europë që nga 2006-a. Në fazën finale do të marrin pjesë 32 skuadra, me 31 prej tyre që do të dalin nga faza kualifikuese, ndërsa vendi organizator kualifikohet automatikisht. Një total prej 64 ndeshjesh do të zhvillohet në 12 stadiume, në 11 qytete të ndryshme. Finalja do të luhet më 15 korrik në Moskë, në stadiumin “Luzhniki”.