Bujar KURTAJ
Shkup, 2 tetor – Nuk donë të thotë se për tu marr me futboll, respektivisht të udhëheqësh një post duhesh të jesh edhe futbollist. Mjafton të jesh i “dashuruar” në këtë sport, derisa suksesi është i garantuar. Kështu është rasti edhe me Muhamed Sejdinin nga Zajazi i Kërçovës. Një njeri modest, i disiplinuar, i shoqëruar, i qetë e mbi të gjitha një punëtor i madh, i cili është rritur me frymën e futbollit derisa aktualisht ushtron detyrën e nënkryetarit të Federatës Futbollistike të Maqedonisë. Gjithçka filloi nga grupmoshat e rreja kur ishte në krye të saj, që më pas të vjen posti i nënkryetarit, duke zëvendësuar Qenan Idrizin. Është njëri familjar dhe pos kësaj ai ka edhe biznes familjar. Të gjitha këto, nënkryetari Sejdini i tregon në intervistën për gazetën KOHA.
KOHA: Fillimisht a mund të na tregoni se kush është Muhamed Sejdini?
SEJDINI: Njeri i thjeshtë si krejt tjerët, familjar dhe i përkushtuar me më të afërmit e mi, ndërsa i vendosur për të dhënë gjithmonë më të mirën në aspektin profesional. Prej kur jam emëruar nënkryetar i FFM-së thuajse gjithë vëmendjen e kam tek futbolli dhe me mundësitë e mia mundohem të bëj sa më mirë këtë detyrë.
KOHA: Duke marr parasysh se jeni rritur në një frymë sportive, a jeni marr me ndonjë sport?
SEJDINI: Në vendit tonë të paktë janë ata që nuk janë marrë me futboll të paktën në moshë më të re. E tani dikush gjen më shumë sukses, dikush më pak, por me rëndësi gjithmonë të japësh më të mirën nga mundësitë tua për të ecur përpara. Si futbollist nuk arrita, por kam mbetur i afërt me futbollin dhe tani kur jam në këtë pozitë mundohem të kontribuoj për avancimin e futbollit, sepse bëhet fjalë për sport magjik që ngërthen në vete pasion, profesion, argëtim, kulturë, afrim dhe shumë gjëra tjera që si gjen në asnjë drejtim tjetër.
KOHA: Momenti kyç në karrierën tënde sportive është emërimi në postin e nënkryetarit të Federatës Futbollistike të Maqedonisë. A mund të na tregoni se si erdhi deri te kjo?
SEJDINI: Sigurisht që kjo është e saktë dhe patjetër të pranoj se jam i kënaqur si rrodhën gjërat. Në federatë më seriozisht u kyça si kryetar i Komisionit për grupmosha ku disa vite me radhë përveç drejtimit tim kisha mundësinë që të njihem për së afërmi me gjithë politikën e futbollit në vendin tonë. Jam munduar të jem krah i madh për paraardhësin tim në postin e nënkryetarit të FFM-së z. Qenan Idrizin dhe sa ia kam arritur qëllimit mund ta thotë vetë ai. Njoftimi me gjithë rrethanat ka qenë kyç që në momentin kur jam propozuar për nënkryetar të FFM-së të jem i gatshëm dhe të hyj me një pasqyrë të qartë për atë që më pret dhe që duhet të bëj. Kjo ndoshta ka qenë edhe arsyeja kryesore që mu besua kjo pozitë. Normal përveç privilegjit në vete përmban përgjegjësi të madhe.
KOHA: Si e cilësoni punën e juaj deritanishme si nënkryetar i FFM-së?
SEJDINI: Në përgjithësi mendoj se vlerësimet duhet t’i japin tjerët, ndërsa edhe karakteri im nuk më lejon të flas për veten. Normal se jetojmë në një kohë kur secili ka një mendim të vetin, gjithmonë do ketë një palë që do të të kritikojë sikur edhe më i miri të jesh dhe në situata të këtilla detyrohem të thërras kur të flasim të bazohemi në fakte. E nëse pyetjes suaj i përgjigjemi me fakte, atëherë unë bashkë me bashkëpunëtorët shqiptar në Këshillin Drejtues dhe gjithë pozitat tjera në FFM patjetër duhet të jemi të kënaqur me punën e bërë edhe pse gjithmonë duhet dhe mundet edhe më shumë. Normal në çdo rrugëtim ka edhe gjëra që nuk dalin si duhet, pasi idealja është e paarritshme, kurse gjithashtu në gjërat që kanë mundur të shkojnë si duhet ndokund përgjegjësia është e imja e ndokund edhe e atyre që janë përcaktuar në këtë drejtim. Unë kurrë nuk dua të personalizoj sukseset, pasi vetë nuk do të mund të kisha arritur asgjë në një drejtim ku kolektivi ka forcë të padiskutueshme.
KOHA: A mund të bëni një krahasim mes ish-nënkryetarit Qenan Idrizit. Sa ka qenë i përfshirë numri i të punësuarve në këtë institucion aso kohe dhe sa është tani?
SEJDINI: Ju thash më lartë se nuk më pëlqejnë krahasimet dhe këtë duhet ta bëjnë tjerët. Është e lehtë për ju, vetëm se përpiloni një listë me fakte dhe do i afroheni përgjigjes. Për mua z. Qenan Idrizi mbetet një njeri i respektuar, që ka dhënë dhe akoma jep shumë për futbollin. Personalisht ndjej një satisfaksion të madh që në periudhën e tij si nënkryetar i kam qëndruar pas me gjithë mundësitë e mia. Realisht do të kisha dashur të kisha një njeri që do e bënte këtë me mua ashtu si isha unë më herët.
KOHA: A jeni i kënaqur me këtë numër dhe a besoni se ky numër duhet të rritet ende?
SEJDINI: I kënaqur patjetër se jam pasi kemi ecur përpara, por e përsëris vazhdimisht se mundemi dhe duhet më shumë. Por sot kemi gjëra që si kemi pasur më parë. Kemi zv/sekretarin e përgjithshëm, shqiptarë në administratë dhe komisione, seleksionues dhe ndihmës seleksionues prej përfaqësueses A e krejt shpresat me radhë, kemi zëdhënës shqiptar në FFM, ueb faqen me lajme dhe informata në gjuhën shqipe, futbollistët shqiptar kanë trajtim korrekt në gjithë ekipet përfaqësuese, ndërsa edhe klubet shqiptare kanë trajtim të kënaqshëm. Ka hapësira edhe për më shumë dhe ky është qëllimi ynë për të ardhmen.
KOHA: Raportet me kryetarin Illço Gjorgjioski si i keni dhe sa ai kontribuon në zbatimin e ideve tuaja kur janë në pyetje shqiptarët?
SEJDINI: Mundohemi të kemi raporte korrekte pasi aty jemi për avancimin e futbollit në përgjithësi, ndërsa në veçanti obligimi im dhe i gjithë shqiptarëve në federatë është të mbrojmë atë që na takon. Normal secili ka mendimin e tij në fusha të caktuara, por në një periudhë kur bashkërisht luftojmë për tejkalimin e shumë dallimeve dhe për krijimin e një imazhi jashtë vendit patjetër se idetë na barazohen dhe arrimë të gjejmë gjuhë të përbashkët.
KOHA: Po raportet me futbollistët shqiptar si i keni?
SEJDINI: Ne krenohemi me djemtë tanë që me përfaqësimin e tyre dinjitoz na nderojnë të gjithëve. Si ata që kanë luajtur vitet e kaluara, këta aktualisht që janë pjesë e ekipeve përfaqësuese, por posaçërisht më të rinjtë që duket se hapin një faqe të re dhe më të ndritur për futbollin tonë. Jemi krenar që i kemi dhe mundohemi të jemi në shërbim të tyre.
KOHA: Kur do ta shohim përfaqësuesen e Maqedonisë në Kampionat Evropian apo Botëror?
SEJDINI: Mendoj se verën që lamë pas kishim mundësi të shohim U21 në Evropianin e zhvilluar në Poloni dhe me golat e Bardhit vetëm se u shënua një histori që nuk do të mund të fshihet kurrë, sepse ai shkroi emrin e tij si autori i golit të parë të një përfaqësueseje të Maqedonisë në një Kampionat të rëndësishëm. Kuptoj se pyetja juaj ka të bëjë me përfaqësuesen A por qëllimisht ua potencova shpresat sepse prej tyre varret e ardhmja. Mendoj se jemi në rrugë të mbarë, nuk është një cak i lehtë mirëpo me punë sistematike, profesionale dhe të përkushtuar besoj të vijë edhe ai moment.
KOHA: Gjatë mandatit tuaj keni pasur shumë takime, ndërsa së fundmi u takuat me kryetarin e UEFA- Çeferin. Çka biseduat në atë takim?
SEJDINI: Mirë, pozita që kemi na vendos në një situatë që këto takime të bëhen normale. Vlerësoj se jemi me fat që një personalitet nga Sllovenia si z. Aleksandar Çeferin është zgjedhur president i UEFA-së dhe kjo na vendos në një pozitë ideale me vetë kreun. Z. Çeferin është njeri i mrekullueshëm, i denjë për këtë pozitë dhe një mik i afërt me të gjithë. Personalisht kam raporte shumë të mira dhe gjithmonë japim mendime për të ecur para futbollin në të ardhmen. Në këtë frymë kaloi edhe takimi i fundit ditë më parë në Gjenevë të Zvicrës.
KOHA: Në çfarë mase ka arritur bashkëpunim mes Fadil Vokrit të FFK-së dhe Armando Duka të FSHF-së?
SEJDINI: Gjithmonë jemi bashkë në çdo samit apo takim ndërkombëtar. Kemi bashkëpunim të ngushtë dhe frytet e këtij bashkëpunimi u panë para dy vitesh kur Kosova votohej për tu pranuar në UEFA dhe FIFA. Çdo shtet ishte vetë, ndërsa ne u bëmë tre shtete. E kam falënderuar edhe publikisht z. Gjorgjioski që si president me të drejtën e votës këtë privilegj ma lejoi mua dhe është diçka që do të mbetet gjithmonë si krenari në shpirtin tim, se kur Federata e Kosovës votohej për tu pranuar në instancat ndërkombëtare votën e Maqedonisë e morri nga duart e mia. Tani për angazhimin tim në raport me z. Duka dhe z. Vokri mund tu drejtoheni direkt tyre edhe pse kam parë të flasin për këtë çështje publikisht në media. U jam falënderues të dyve për vlerësimin.
KOHA: Cili është momenti më i mirë deri më tani si nënkryetar i FFM-së dhe cili është momenti më i keq?
SEJDINI: Momentin më të mirë uroj mos ta kem përjetuar pasi besoj se mund të ecim para dhe të bëjmë gjëra shumë të mira për futbollin. Por në një kohë me shumë intriga uroj vetes por edhe gjithë tjerëve të kemi sa më pak momente të këqija. Tingëllojë me këto fjalë si përgjigje e përgjithshme dhe diplomatike por besoj do të më kuptoni se pozita që kam nuk më lejon të ndaj situata të caktuara që për një palë të caktuar do të tingëllonin si personale apo mbajtje të anës së një pale tjetër kushdo qoftë ajo. Sepse gjithmonë ka mënyra keqkuptimi në kushte kur secili gjërat i percepton nga këndvështrimi i tij, që shpesh ndodh të mos jetë i duhuri dhe i vërteti.
KOHA: Paralelisht postit të nënkryetarit, keni edhe biznes privat. A mund të na tregoni më shumë rreth kësaj?
SEJDINI: Pozita është diçka e përkohshme për secilin në jetë dhe unë edhe para se të vija në këto pozita, por edhe një ditë kur s’do jem kam jetën private dhe biznes me të cilin ushqej familjen. Nuk është e vështirë të kuptoni se nuk varem nga federata dhe nuk kam hyrë në futboll për ndonjë interes personal. Kam disa lokale me të cilat jam i kënaqur se si po rrjedh puna dhe përkundër angazhimeve të shumta në federatë, gjatë verës kur kam hapësirën më të vogël ndodh të më gjeni te lokalet ku ndjehem baras me tjerët.
KOHA: Kush është në jetën private Muhamed Sejdini?
SEJDINI: E thash në fillim dhe e përsëris se më pëlqen të jem modest dhe i thjeshtë. Kush më njeh apo ka pasur mundësi të më njohë nga afër besoj ka arritur të identifikojë karakterin tim. Kam pasur gjithmonë ëndërr të kontribuoj për futbollin dhe me mundësitë e mia jap më të mirën. Kam familje për të cilën angazhimet në federatë ma kanë kufizuar kohën por në çdo hapësirë gjej mundësinë të jem pranë tyre. Kur shikoj fëmijët, tre vajzat (24 vjeçe e diplomuar në drejtim të juridikut, 22 vjeçe absolventë në drejtimin e pedagogjisë së përgjithshme dhe 17 vjeçe vijon shkollën e mesme) dhe djalin (10 vjeç) se si janë rritur kuptoj se vitet paskan ikur dhe familja është gjëja më e shenjtë që kemi.
KOHA: Meqenëse ju nuk arritët të bëheni futbollist, a keni dëshirë që djali juaj të merret me këtë sport, apo ndonjë sport tjetër?
SEJDINI: Ma thoni një shqiptar që nuk dëshiron të ketë fëmijën futbollist (qeshet)?! Sigurisht që pasioni ndaj futbollit të imponon vetvetiu këtë dëshirë por jam mjaftueshëm i vetëdijshëm për të vlerësuar situatat me një sy real. Do të mundohem si vajzave (e madhja përfundoi studimet, ndërsa e dyta është ka fundi) edhe djalit që është fëmija më i vogël t’i mundësoj kushte ideale për shkollim. Do ketë rrugë të hapura për të ushtruar futboll dhe nëse tregon shkathtësi dhe interes do të ketë mbështetjen time për të vazhduar të provojë deri ku do të mund të shkojë. Ka një vit që ka nisur të ushtrojë te KF ‘Uskana’ dhe është vetëm fillimi. Por pa imponime. Nëse tregon interes për ndonjë sport tjetër apo qoftë edhe një zeje të caktuar, unë do të respektoj zgjedhjen e tij, gjithmonë nëse do jetë më e mira për të. Te ketë shëndetin, pastaj tjerat bëhen pasi Zoti secilit i ka dhënë dhunti për një profesion të caktuar. Ne duhet vetëm ta identifikojmë dhe të mundohemi ta zhvillojmë në mënyrë të drejtë e të shëndoshë. Duke parë se dy vajzat e madhja dhe e dyta veç më janë të rritura dhe të diplomuara nuk mendoj të punësohen në ndonjë institucion shtetëror, pasi bashkërisht parapëlqejmë të kyçen në ndonjë biznes privat.