Dibër, 17 shkurt – Gjatë takimit me kryetarin Ruzhdi Lata, ministri i Ekonomisë, Driton Kuçi dhe ministri i Investimeve të Huaja, Arlind Zeqiri theksuan se Dibra ka një potencial të fuqishëm ekonomik . Në Dibër janë realizuar shumë projekte që kanë mundësuar zhvillimin e Komunës së Dibrës. Ministri i Ekonomisë Kuçi në takimin me Latën, theksoi se potenciali i pasurive natyrore i Dibrës garanton një zhvillim të madh. Ai shtoi se pas investimeve të mëdha të Banjave të Dibrës si dhe investimeve në fabrikën e ujit “Maja”, por edhe të investitorëve të tjerë pritet që në Dibër të ketë investime të tjera të mëdha. Pasuritë e Dibrës janë dhe do të mbeten joshëse për investime të tjera, tha ministri Kuçi.
Mërgimtarët dibran në SHBA, por edhe në Evropë garantojnë po ashtu një potencial të fuqishëm në sferën e investimeve . “Kam pasur takime me biznesmenët dibranë në Amerikë dhe ata janë të gatshëm të investojnë në vendlindje. Është ky një potencial i madh për të zhvilluar Dibrën”, thekso ministri Arlind Zeqiri. Ai shtoi se biznesmenët dibranë në SHBA kanë interesim për të bërë investime. Në takimet me familjen e njohur dibrane, Rusi, por edhe me familjet të fuqishme ekonomike në diasporë, mora garanca se shumë shpejt ata do të vazhdojnë investimet, tha Zeqiri. Kryetari i Dibrës, Ruzhdi Lata, në këtë takim theksoi se janë realizuar projekte të shumta në Dibër dhe Dibra vazhdon të ndërtohet. (V.S.)