Nga Qerim LITA
Konventa e vitit 1937 midis qeverisë së Republikës së Turqisë dhe Qeverisë së Mbretërisë jugosllave, në të cilën bëhej fjalë për dëbimin e dhunshëm të shqiptarëve nga trojet e tyre për në Turqi si dhe nënshkrimi i marrëveshjes për miqësi po në këtë vit, nga kjo e fundit me Qeverinë e Italisë, mundësoi që autoritetet policore-ushtarake të Beogradit të hartojnë plane dhe elaborate, të cilat parashihnin përshpejtimin e shpërnguljes së shqiptarëve nga viset e tyre dhe njëkohësisht kolonizimin e të njëjtave me elemente serbe. Në Arkivin shtetëror të Republikës së Maqedonisë, ekzistojnë një numër i madh i dokumenteve të pabotuara deri më tash, që flasin drejtpërsëdrejti për plane të tilla të hartuara nga regjimi i atëhershëm serbë, posaçërisht atij ushtarak. Me këtë rast po e shpalosi planin e komandantit të Armatës III-Shkup, gjeneralit Millan S. Jeçmeniç, i hartuar më 5 maj 1938, i cili në tetor të këtij viti u plotësua me disa pika të reja.
KUNDËR KTHIMIT TË TOKAVE SHIQPËRISË
Në fillim të planit (varianti i parë), Jeçmeniç duke e përshkruar gjendjen e përgjithshme politike të territorit që e mbulonte kjo armatë, do të theksoj: “Me rastin e ngjarjeve në Çekosllovaki, popullsia shqiptare në territorin e qarqeve të Armatës së III-të, veçanërisht në territorin e qarkut të divizionit të Kosovës ka ngritë krye, ndërsa irredentistët shqiptarë e kanë përforcuar propagandën e tyre, duke zgjeruar edhe më tej zëra, se Metohia (Dukagjini-Q.L.) dhe viset e banuara me shqiptarë, do t’u kthehen Shqipërisë. Marrëveshja e Munihut edhe më tepër i ka bindur shqiptarët të mendojnë se edhe çështja e tyre patjetër duhet të kryhet sa më parë.” Ai në vazhdim bën krahasimin e gjendjes politike të krahinave shqiptare me krahinat ku shtriheshin popullsia gjermane dhe ajo hungareze (Vojvodinë): “Për shkak të shqiptarëve në këtë pjesë, situata është krejtësisht e natyrës tjetër nga situata e territorit të Armatës së I, për shkak hungarezëve dhe gjermanëve, sepse përderisa në Banat hungarezët dhe gjermanët përbëjnë rreth 40%, kjo në territorin e divizionit të Kosovës shqiptarët janë 70%; së dyti, përderisa hungarezët dhe gjermanët gjenden në Banat në qendrën e njëjtë (pra jo në frontin kufitar), në anën tjetër shqiptarët në territorin e kësaj armate shumica shtrihet në linjën kufitare të frontit, ndërsa pakica në qendër”, pohonte në planin e tij Jeçmeniç, për të shtuar: “Ky rrezik përforcohet edhe nga fakti se fronti i ynë kufitar në drejtim të Shqipërisë lidhet vetëm me një rrugë hekurudhore (Pejë-Prishtinë e më tej Mitrovica e Kosovës në veri kah Shkupi), që është e një kapaciteti të dobët, kurse përveç kësaj vendosja është e papërshtatshme në raport me frontin tonë kufitar, që në rast nevoje shumë do ta rëndonte ardhjen e trupave tonë në atë qark. Rreziku më i madh nga shqiptarët është në territorin e qarkut të divizionit të Kosovës, ku masat shqiptare në numër shumë të madh janë të grumbulluara përreth kufirit në Metohi (Dukagjin – Q.L.), duke shkuar posaçërisht thellë në drejtim të lindjes. Rreziku më i vogël është në territorin e Vardarit, ndërsa rreziku edhe më i vogël në territorin e qarkut të divizionit të Bregallnicës” .Sipas tij: “Ky rrezik nga shqiptarët tash për tash nuk është shumë i madh dhe ka mundësi që nëpërmjet masave të mençura të përballohet, të zvogëlohet, madje edhe të tejkalohet, por për një periudhë prej 20 viteve ajo do të jetë e pathyeshme, sepse nëse ngel si deri më tash, atëherë në përqindje do të jetë shumë e madhe se sa tash. Nëse përveç kësaj merret se numri i shqiptarëve me arsimim të lartë do të jetë më i madh, atëherë edhe rreziku do të jetë më i lartë. Për këtë shkak është e domosdoshme të ndërmerren masa”. Më pas, në të ofrohen të dhënat statistikore të popullsisë, ku në qarkun e divizionit të Kosovës veçohen: “Si territore tepër të padëshirueshme për shkak numrit të madh të shqiptarëve: rrethi i Kaçanikut me afër 97% shqiptarë (i takon qarkut të divizionit të Vardarit, por gjeografikisht më shumë është i lidhur me qarkun e divizionit të Kosovës); rrethi i Podrimës me afër 90% shqiptarë; rrethi i Podgorës me afër 85%; rrethi i Llapit me afër 80%; rrethi i Vushtrrisë me afër 70%; rrethi i Gjilanit me afër 67% shqiptarë etj..”. Në qarkun e divizionit të Vardarit si territore ku dendësia e popullsisë shqiptare ishte më madhe, sipas gjeneralit serbë ishin: “rrethi e Hanrievës (krahinat shqiptare të Shkupit – Derveni dhe Karshiaka) si dhe Pollogu i Poshtëm dhe Pollogu i Epërm, një pjesë edhe në rrethin e Kërçovës. Në rrethin e Dibrës, ku kompaktësia është më e vogël dhe në jug të Dibrës rreth Koxhaxhikut, ku janë elemente të pastra turke, të cilët janë në gjendje varfërie dhe tash për tash nuk kanë ndikim negativ për sigurinë.” Ndërsa sa i përket qarkut të Bregallnicës, sipas Jeçmeniçit: “Një përqindje e vogël e shqiptarëve jeton midis Pçinjës dhe Rrunjës (Kumanovë Q.L) dhe përgjatë kufirit perëndimorë të atij territori (rrethet Veles, Prilep, Manastir, Prespë, Ohër dhe Strugë). Turq Juruk ka në zonën e Plaçkavicës dhe në qytetet e Ovçe Poles. Ata këtu janë vendosur që në kohën e Mbretit Millutin, ndërsa turq që kanë emigruar pas betejës së Kosovës ka në rrethin e Strumicës dhe në Povardarje, por edhe të parët edhe të dytët janë në numër të vogël, prandaj nuk paraqesin ndonjë rrezik. Por, pa marr parasysh këtë turqit Juruk duhet t’i shpërngulim, sepse deri tash nuk kanë treguar ndonjë përparim. Jetojnë një jetë të një bariu më primitiv, prandaj shpërngulja e tyre nevojitet për shkak konsolidimit të gjendjes në pikëpamje të përparimit nacional.
TË SHKATËRROHET KOMPAKTËSIA SHQIPTARE
Për mënjanimin e “rrezikut që vjen si rezultat i dendësisë së banimit të elementeve jo-sllave”, në planin e tij gjenerali propozon të ndërmerren këto masa: a) Të shpërngulen para së gjithash elementi shqiptar nga zonat ndërkufitare dhe nga viset ku janë kompaktë, ndërsa elementin turk vetëm aq, sa të mund t’i shpërngulim shqiptarët. b) Të zbatohet kolonizimi i popullsisë sonë posaçërisht në zonat ndërkufitare. c) Të largohen të gjithë emigrantët politik nga ky qark i armatës. d) Të ngrihen në aspektin kulturor dhe bujqësorë më shumë vendbanime, posaçërisht në zonat ndërkufitare të qarkut. dh) Në viset e pastra shqiptare të mos kërkohet që fëmijët të shkojnë në shkollë, respektivisht, të mos i arsimojmë dhe çka është e një rëndësie të veçantë, të mos mbahen orë në edukatën fizike për të rinjtë dhe para kohe t’i përgatisim për luftëtarë. Këtë propozim e paraqes nga përvoja. Këtë vit duke qëndruar në f. Klinë e Epërm (në rrugën Mitrovica e Kosovës-Pejë) një javë pashë që mësues i ndërgjegjshëm dhe i shkathtë, mbante orë të edukatës së fizikës. Në orë ishin 90 të rinj të shkathtë nga mosha 16-18 vjet, shumica shqiptarë. Gjatë bisedës me mësuesin kuptova se i vinte keq që ai është i detyruar ata t’i përgatisë, por është i detyruar këtë ta bëj sipas urdhëresës. Jam i bindur se orë të këtilla në vendbanimet e pastra shqiptare nuk duhet të mbahen dhe se neve në të ardhmen vetëm se mund të na dëmtojnë. Ky shtab nuk disponon me të dhëna të mjaftueshme për rrjedhën e shpërnguljes dhe çështjeve që lidhen me të. Mirëpo një është e sigurt, se shqiptarët dhe turqit nuk shpërngulen me dëshirë, madje ka edhe raste, që të shpërngulurit vjedhurazi janë kthyer. Rreth shpërnguljes duhet të kemi parasysh që fillimisht të shpërngulen shqiptarët nga zonat ndërkufitare, më pas ata nga qarqet tjera dhe së fundi turqit. Edhe pse turqit nuk janë të pa sigurt, shpërngulja e tyre nevojitet për ta lehtësuar shpërnguljen e shqiptarëve bashkërisht me ta dhe për shkak se turqit janë shumë të prapambetur në pikëpamje kulturore, që e pengojnë përparimin e cilit do nivel qoftë ai.” Sa i përket popullimit të këtyre trevave etnike shqiptare me elemente sllave, në plan thuhet se: “Deri tash masat e popullimit nuk kanë dhënë rezultate të duhura. Prandaj kësaj çështjeje duhet t’i japim rëndësi të madhe dhe të zbatohet me mençuri dhe sistematikisht”.
Sipas gjeneralit Jeçmeniç, kolonizimi i tokave shqiptare:“Për shkak rrethanave të jashtëzakonshme në këto territore” duhet: “që edhe më tutje të ngelim në parimin e mëhershëm, që në këto vise të vendosen vetëm elementet serbe. Në radhë të parë duhet t’i vendosim topliçanasit, vranjasit, knjazhevcët, më tej hercegovasit, dalmatinët, liçanët, krainasit e Bosnjës, e më pas të tjerët. Duhet të bëhet përpjekje që sa më parë të përmbyset kompaktësia e fuqishme e masave shqiptare, duke sjellë në qendrat e tyre së paku 50% të popullsisë sonë. Pa këtë nuk do të mund të llogaritet se popullimi është kryer në mënyrë efikase, sepse shtimi vjetor i shqiptarëve është i lartë, prandaj në popullimin e dobët të elementit tonë kolonizimi do të vij në pikëpyetje. Këtë e vërteton edhe gjendja e tanishme e kolonizimit tonë. Shteti në radhë të parë duhet të bëjë gjithçka, që propozimi i kolonizimit të popullsisë sonë të zbatohet dhe lehtësohet sa më mirë. Vetëm se mendoj se kolonizimi në vendbanimet e pastra shqiptare, nuk do të mund implementohet nëpërmjet reformës agrares, respektivisht, marrjes (tokës Q.L.), por këtë tokë duhet blerë (me çmim të mirë) dhe më pas të kryhet popullimi. Milionat që do të jepeshin për blerjen e asaj toke, do të ishin shpenzime minimale në krahasim me përfitimet, që do të vinin nga shkapërderdhja e vendbanimeve shqiptare. Më pas rolin ndihmës do ta mbanin: kisha, mbrojtja popullore dhe iniciativat private (shoqëritë e ndryshme si Knjeginja Lubica, Knjeginja Zorka, kolona e motrave serbe etj)”.
NGRITJA E GARNIZONEVE SERBE
Ndër masat që duhet të ndërmerren për këtë qëllim sipas planit në fjalë do të ishin: a) Shpenzimet rreth inventarit dhe benificioneve të tokës duhet t’i merr mbi veti shteti; b) Vendosjen e zyrtarëve dhe nëpunësve më të mirë në këto vise; c) Ngritjen kulturore dhe arsimore të popullit (mendohet për kolonat e ardhura serbe), të cilin aksion do ta merrte kisha; ç) Grumbullimin e ndihmave te populli nga shoqëritë e ndryshme të cilat do të kishin për qëllim ndërtimin e kishave. Për zgjidhjen e çështjes rreth ngritjes së nivelit kulturor në më shumë vende – në qarqet ndërkufitare, duhet sa më parë të bëhet zbukurimi kulturor dhe zhvillimi i bujqësisë në Prizren, Dibër dhe Gjakovë.” Gjenerali serb, Jeçmeniç planin e tij (varianti i parë) e përfundon me fjalët: “Nga mendimet e parashtruar shihet se çështja e pakicave në territorin e këtij qarku të armatës për shkak rrethanave specifike, që këtu mbisundojnë janë tejet të rëndësishme dhe e kundërta, po që se bëhet ndonjë lëshim nga masat e propozuara edhe pasojat do të ishin tepër të rënda”. Siç u tha në fillim, i njëjti plan me disa ndryshime ju dorëzua Shtabit të Përgjithshëm në Beograd në tetor të këtij viti. Për të mos u përsëritur, në vazhdim, po e paraqes pjesën ku gjenerali kërkon që në krahinat shqiptare, posaçërisht në zonat përreth kufirit me Shqipërinë, të shtohet numri i garnizoneve ushtarake. E tërë kjo për të është më se e nevojshme sepse: “…në territorin e qarkut të divizionit të Kosovës ekzistojnë masa kompakte shqiptare, të cilat do të duhej t’i shpartallojmë nëpërmjet rrugës së kolonizimit të elementit tonë. Nga biseda me të besuarin Suprem Agrar nga Shkupi, kuptova, se ekziston konventa, sipas së cilës një numër i madh i familjeve, të cilat nuk i takojnë popullsisë sonë, do të shpërngulen edhe atë kryesisht nga zonat ndërkufitare në distancë prej 50 kilometrash. Kjo shpërngulje nga zonat ndërkufitare, si edhe kolonizimi i elementit tonë në vend të shqiptarëve të shpërngulur mund të kryhet vetëm nëpërmjet presionit dhe krijimin e garnizoneve të reja në qendra të pastra shqiptare. Vendosja e ushtrisë në momentin e shpërnguljes në ato qendra kompakte shqiptare do të ishte e papërshtatshme dhe do të binte shumë në sy, por ato garnizone të reja duhet t’i kemi shumë më herët, që deri diku do të ndikonte edhe për ca familje shqiptare, që edhe vetë të mendojnë që të shpërngulen, të lënduar në ndërgjegjen e tyre, që ka ardhur ushtria në lagjet e tyre kompakte.”
Territoret ku sipas planit duhej të krijoheshin garnizone të reja ushtarake ishin: a) Në Rahovec – me një batalion, i cili do të formohet i ri si edhe 3 batalione të njësisë 30 këmbësore nga Prizreni; b) Në Suha Rekë – me një çetë, e cila do të jetë nga përbërja e batalionit 3 të njësisë 30 këmbësore nga Rahoveci; c) Në Podujevë – me 1 çetë me përbërje të përforcuar të batalionit të porsaformuar të njësisë këmbësore 31 nga Prishtina; ç) Në Vushtrri – me një çetë, e cila gjithashtu duhet të jetë nga batalioni 3 i porsaformuar të njësisë 31 nga Prishtina; d) Në Gjilan – me një çetë me përbërje të përforcuar, e cila do të jetë nga batalioni 1 i porsaformuar të njësisë këmbësore 31 nga Ferizaji, përbërjen e së cilës duhet zmadhuar për çetën e përmendur /kështu që batalioni të përbëhet prej 4 çetave sulmuese dhe 1 çete mitralozi./” Më pas, duke arsyetuar tërë këtë, gjenerali pohon: “Formimi i këtyre 6 garnizoneve të reja – nga gjithsej 2 batalione dhe 2 çeta – realisht nuk do të jetë barrë e rëndë për formacionet paqësore, por efekti moral i këtyre garnizoneve në qendrat, ku thënë ashtu vendbanimet shqiptare janë kompakte, do të jetë e një rëndësie të madhe dhe e dobishme, sepse masat shqiptare do ta shohin atë vendosmëri të prerë të administratës shtetërore që do të përmbys çdo përpjekje eventuale të shqiptarëve në të ardhmen për shkëputjen e këtyre viseve dhe bashkëngjitjen me Shqipërinë, si edhe atë se këto garnizone do ta zvogëlonin irredentizmin e shqiptarëve, sepse do të jenë mbështetësit për shkapërderdhjen e kompaktësisë të vendbanimeve shqiptare, duke siguruar kolonizimin e këtyre viseve.
POLITIKA E MENÇUR SHQIPTARE
Krejt në fund, gjeneral Jeçmeniç shprehet: “Për marrjen e këtyre viseve në pikëpamje nacionale nevojitet, siç shihet nga ligjërimi i sipërm, kolonizimi sa më i shpejtë i elementit tonë të shëndoshë krahas shpërnguljes permanente të popullsisë shqiptare. Nëse ky kolonizim nuk zbatohet në një afat sa më të afërt dhe në baza racionale, ekziston rreziku që kjo në të ardhmen për shkak shtimit të lartë vjetor të popullsisë shqiptare, kjo të pamundësohet. Në anën tjetër popullimi dhe kolonizimi efikas i vendbanimeve të pastra kompakte shqiptare mund të realizohet vetëm në mbështetjen e garnizoneve të propozuara, të cilat duhet të formohen në territoret e qarkut të divizionit të Kosovës”. Falë politikës së mençur dhe mbi të gjitha atdhetare të krerëve udhëheqës shqiptar si: Ferat bej Draga, Asim Luzha, Kadri Saliu, Zejnel Strazimiri, Emin bej Kumbara, Shaban Efendiu, Atulla Hoxha, Sait Hoxha e shumë të tjerë, nuk erdhi deri te më e keqja, sepse pikërisht në kohën kur autoritetet e Beogradit bënin plane të fshehta për depërtimin e dhunshëm të shqiptarëve, ndodhi e kundërta, respektivisht, numri i familjeve që u shpërngulë gjatë viteve 1938-1941 ra në minimum. Këtu duhet potencuar edhe rolin konstruktiv të diplomacisë së atëhershme shqiptare e vendosur në Shkup dhe Manastir, e cila në momentet më të vështira për çështjen shqiptare, ju doli në ndihmë krerëve shqiptar.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.