Nga Xheladin MURATI
Politika aktuale (ajo qe e ka formuar mazhorancën – LSDM dhe tjerët) e shikon të vjetrën (ajo qe e ka humb pushtetin – VMRO dhe tjerët) si politikë të ushqyer me nacionalizëm, format e veprimit dhe përmbajtjen e saj si diçka që ndodh buzë varrit. Konstruktiviteti dhe destruktiviteti i politikës ka arritur pikën e vlimit. Platforma shqiptare është shkaku kryesor. Dallimet thelbësore që ekzistojnë midis bartësve të së resë e të vjetrës janë të rëndësishme për të përcaktuar edhe vendin politikëbërsve shqiptarë dhe partive tona. Kjo mbase konceptualisht këto dallime e përcaktojnë edhe programin edhe platformën mbi të cilën do të veproj Qeveria e ardhshme siç e quajnë Qeveri reformatore.
Realiteti i ri përmban ne veti elemente e qasje të reja, ka përmbajtje dhe mundësinë reale të shndërrimit të kërkesave në praktik, në jetë. Por pyetja është: A ka forcë dhe fuqi të ndërtosh diçka të tillë, mbase historia e saj dëshmon se ajo, e reja s’është e zhveshur krejtësisht nga trashëgimia. E vjetra e ka uzurpuar pushtetin, bën bllokada kurse e reja kërkon vendosjen e drejtësisë, zhbllokimin e institucioneve – parlamentit dhe qeverisë. Këtu ndeshemi me dy koncepte atë të regjimit diktatorial vmroist dhe konceptin qe do të krijohet lsdmoist bashkë me shqiptarët. Pikërisht këtu është roli i fuqisë dhe forcës në vendosje politike. Fuqia dhe forca politike sipas inercionit i takon VMRO-së mbase ajo demonstron regjim diktature, kurse LSDM-ja proklamon liri demokracie, një frymë më moderne, me e kapshme për shoqërinë. Në fakt nuk do të mungojnë mundësitë për ta bërë më funksionale dhe të organizuar vullnetin politikë dhe sendërtimin e vizionit dhe misionit të demokracisë.
Format e reja, politikat e reja që ndërtohen si mohim i drejtpërdrejt i të vjetrës, bartin “njolla” të së vjetrës. Në pyetje është ndërgjegjja njerëzore, vetëdija politike, koncepti i bashkëjetesës, respektit të ndërsjellë, kuptimi i barazisë, ardhmërisë drejt vlerave evropiane. Politika e rrugës që herë e praktikonte LSDM-ja e gjithnjë VMRO-ja nuk është shpëtim për Maqedoninë. Ekziston afërsi midis të vjetrës dhe të resë, kur është fjala për statusin dhe pozitën e shqiptarëve në shtetin e përbashkët. Kjo afërsi nuk i zhduk dallimet e tyre thelbësore. E vjetra dhe e reja kanë specifikën e tyre në formë dhe përmbajtje, kanë gjuhën dhe logjikën e tyre të veçantë. Pikërisht kjo është e veçanta e të resë mbase gjerësisht është e njohur gjuha dhe logjika e Lidhjes Komuniste së dikurshme, trashëgimtare e së cilës është LSDM- ja. Prandaj edhe Zaevi, pavarësisht se i do shqiptarët, do të ketë probleme me ta.
Forcat e vjetra politike dhe mendimet retrograde nuk largohen vullnetarisht nga arena historike. Këto forca nuk e kanë të qartë se shteti nuk mbahet me debate sterile, retorikë boshe, replika dhe kundër replika. Halli i VMRO-së nuk është rendi as shteti, por pushteti i lidhur me krimin. Ajo nuk do mund ta amnistojë veten për krizën e rëndë ekonomike, politike, sociale, krimin dhe korrupsionin. Shteti do mendje, dije dhe investim për ardhmërinë e tij. Fatkeqësisht, kjo që ndodh me muaj me konstituimin e shtyllës ligjvënëse (Parlamentin) dhe formimin e Qeverise ka një skenar maqedonas i përgatitur nga VMRO-ja. Dhe kjo mund ta çoj Maqedoninë në dështim dhe jo në përparim e stabilizim. Kontradikta midis gjendjes reale dhe përpjekjeve të së vjetrës për të fshehur e për të kamufluar krimet, hajdutëritë e të ngjashme është arsyeja kryesore e konflikteve. Të vjetrës i kanë shterur mundësitë e zhvillimit të mëtejmë, i ka kaluar koha, ajo e ka humbur të drejtën për ekzistencë; e ardhmja asaj i sjellë vdekjen. Kështu e vjetra me cilësitë e saj bëhet komike. VMRO dhe çdo parti tjetër maqedonase duhet ta kuptoj faktin se faza e afrimit mes shqiptarëve dhe maqedonasve si dy popuj shumice është e domosdoshme për paqe. Ato duhet të ndërtojnë marrëveshje për zhvillim dhe udhëtimi përpara, me karakter evropian, jo të pengohen në Platformën e Tiranës. Platforma është konstruktive, politika është destruktive. VMRO duhet të pajtohet me realitetin e ri: ta njohë gjuhën shqipe të barabartë me maqedonishten dhe të pranoj kërkesat legjitime të shqiptarëve të projektuara në marrëveshjet, përndryshe do të mbetet shumë mbrapa dëshirave objektive dhe reale të shqiptarëve, dhe kjo gjithnjë do të krijoj tensione e tendosje, frikë dhe pasiguri që do të çon në kahe tjetër. Me zyrtarizmin e gjuhës shqipe nuk bëhet albanizimi i Maqedonisë, siç e mashtrojnë opinionin disa lider politikë, po federalizmi siç duket është i mundshëm në mënyrë të qetë dhe pa konflikte e incidente.
Maqedonia ka nevojë t’u thotë stop lojërave të ndyta politike dhe dyfytyrësisë së partive politike, ajo duhet ta forcoj e të ndërtojë pushtetin ashtu siç meritojnë qytetarët e saj. Maqedonia nuk duhet të bëhet fer për qytetarët por parajsë e tyre. Ejani në vetëdije ju që e trazoni politikën! Bëjeni dallimin mes politikës si qëllim dhe politikës si mjet. Erozioni i shtetit është në finalizim. Rretë e zeza janë mbi te. Maqedonia nuk rrezikohet nga shqiptarët, ka zgjidhje për to. Te shpresojmë për trasimin e rrugës drejtë zhvillimit te demokracisë në vend. Ta shpëtojmë popullin dhe të rehatohet ai, nën diell ka vend për gjithë. Për fund: “Një popull që zgjedh në krye të vendit njerëz të korruptuar, hajdutë, maskarenjë dhe tradhtarë, nuk është viktimë! Por është bashkëpunëtor i tyre” – George Orwel.