Ovacione të forta, duartrokitje të ngrohta të bashkëlojtarëve dhe stafit teknik në vend-grumbullimin (rezidencën) e Spanjës për Botërorin e Rusisë. Gjithçka e ka një shkak, madje të fortë. Mbrojtësi qendror i “La Roja” Xherard Pike mori si dhuratë një fanellë të kombëtares, jo me numrin e tij të zakonshëm gjatë ndeshjeve, por me mbishkrimin “100” mbi të, si një përkujtimore për 100 ndeshjet e tij me kombëtaren iberike. Trajneri Hierro, kapiteni Ramos dhe presidenti Rubiales ia dhanë atij fanellën e veçantë, që patjetër do të mbetet si suvenir mjaft domethënës në arkivin e tij profesionale jetësore. Një shenjë bashkimi dhe uniteti te “La Roja”, pas asaj goditjeje të fortë psikologjike që mori një ditë para nisjes së Botërorit, kur u shkarkua trajneri Julian Lopetegui.