Pas këtyre viteve të trazuara në Evropë është rikthyer edhe një herë gjuha e ashpër e viteve 1930. Lidhja e besimit ndërmjet shteteve është duke u dobësuar dhe bindja e vjetër se Bashkimi Evropian zhvillohet akoma më shumë në raste krizash është duke u vënë në provë. Populistët kanë nisur marshimin. Britania është në rrugën e daljes. Fqinjët e Evropës janë duke e kërcënuar se do ta mbushin atë me refugjatë. Nuk është çudi që evropianët e zymtë kanë filluan t’i heqin pluhurin librave të Stefan Cvajgut. Si një autor pjellor dhe tepër i famshëm novelash, biografish dhe traktesh politike, Cvajgu mishëronte evropianin ideal të kultivuar dhe të rritur mes luftërave. Si çifut që i pa librat e tij të digjeshin nga nazistët, ai u arratis nga shtëpia e tij në Austri në vitin 1934 dhe më pas nga Evropa. Ndriçimi letrar i Cvajgut u eklipsua nga autorët bashkëkohorë si Tomas Man dhe Xhosef Roth, por dëshmia e tij për katastrofën e Evropës dhe përkushtimi ndaj kauzës së bashkimit e kanë rikthyer në vëmendjen popullore. Cvajgu ndjente neveri ndaj manovrave politike, por thirrjet e tij për unitet evropian u bënë më urgjente gjatë viteve 1930, kur kontinenti shkonte drejt luftës. Kur më në fund shpërtheu, Cvajgu nuk arriti të mblidhte shpresën që kishte nxitur tek të tjerët. Në veprën “Bota e djeshme”, një vajtim i krijuar gjatë fundit të jetës së tij për Vjenën kozmopolitane të fëmijërisë, Cvajgu deklaron se Evropa kishte dështuar pasi ishte ndarë më dysh për herë të dytë brenda jetës së tij. Në vitin 1942, Cvajgu dhe gruaja e tij e re kryen vetëvrasje në shtëpinë e tyre në Petropolis, e fshehur mes kodrave të Rio de Zhaneiros. Në vlerësimin e ashpër të kritikut Xhon Grei, Cvajgu kishte shfaqur shumë pak kurajë gjatë jetës, që vdekja e tij të konsiderohej tragjike. Megjithatë, nuk mund të fshihet ironia e ngjarjeve që u zhvilluan më pas. Më pak se një dekadë pas vetëvrasjes së tij, gjashtë vende evropiane ranë dakord të unifikonin prodhimin e tyre të çelikut dhe qymyrgurit, duke themeluar kështu një klub që do të evoluonte më pas në projektin evropian që Cvajgu kishte promovuar për shumë kohë. Një organizatë e ndërtuar mbi themele aq prozaike ka shumë gjasa që nuk do ta kishte kënaqur imagjinatën e shkrimtarit. Pavarësisht unifikimit të vlerave panevropiane, Brukseli nuk do të krahasohet dot kurrë me Vjenën e Cvajgut. Megjithatë, është përpjekur që me mjete burokratike të arrijë atë që Cvajgu kishte shpresuar se mund të arrihej përmes edukimit dhe kulturës: që lufta ndërmjet Francës dhe Gjermanisë të mos ishte vetëm e paimagjinueshme, por edhe e pamundur. Miti i themelit të idealit të Bashkimit Evropian vazhdon të jetojë edhe në liderët e sotëm. Në fjalimin e tij të fundit, Donald Tusk, presidenti i Këshillit Evropian aprovoi paralajmërimin e Cvajgut se, ata që kapen pas ndryshimeve historike, asnjëherë nuk e shohin fillimin e tyre. Tusk foli për “grackën e fatalizmit” që ndjek politikanët e moderuar të ditëve të sotme që përballen me kërcënimin e populizmit. Në kohën e Cvajgut, shtoi ai, “liberalët hoqën dorë pa u përpjekur, edhe pse kishin në dorë të gjitha kartat fituese”. Të vjetrit në Bruksel ankohen për mungesën e vizionit në klasën politike të ditëve të sotme, sikur liderët e vjetër si Kohl, Mitterrand dhe Delors ishin të mjaftueshëm për të rikthyer pasurinë e Evropës. Por nuk janë vetëm politikanët ata që po humbasin kujtesën e viteve 1940. Duke e bërë luftën ndërmjet vendeve anëtare të paimagjinueshme, Bashkimi Evropian ka prerë edhe mbështetjen e saj. Pa një mision të tillë gjallërues, disa vende tani vënë në dyshim sakrificën e sovranitetit që kërkon anëtarësia në BE. Krizat e viteve të fundit ofrojnë një përgjigje. Edhe pse disa nga gabimet e mëdha të BEsë janë bërë që në fillimet e saj – siç është integrimi me dredhi i disa vendeve që nuk është kundërshtuar nga vendet votuese ose të metat e sistemit të monedhës së përbashkët – gabimet e tjera kanë ardhur nga jashtë dhe kërkonin reagim të koordinuar. Pa Bashkimin Evropian, kërcënimi rus do të ishte edhe më i madh dhe qeveritë do ta kishin më të vështirë të trajtonin krizën e emigracionit. Problemet si ndryshimi i klimës dhe terrorizmi kërkojnë medoemos një përpjekje kolektive. Pavarësisht gabimeve të shumta, problemet e Evropës do të kishin qenë më të vështira në mungesë të Bashkimit Evropian. Por siç ka bërë të ditur edhe Cvajgu, unioni nuk mund të komandojë dot kurrë afeksionin e qytetarëve njëlloj si shteti. Me pak fjalë, Kryeqyteti Evropian i Kulturës nuk mund të arrijë të çojë evropianët drejt ndërgjegjësimit të ngritur kolektiv që kishte shpresuar Cvajgu. Dhjetë vite më parë, rreziku i madh i Evropës ishte që po bëhej tepër e parëndësishme. Që atëherë, ngjarjet kanë vërshuar njëra pas tjetrës dhe rreziku i dezintegrimit është thelluar. Institucioni i veçantë i Bashkimit Evropian nuk ka arritur ende të gjejë mënyrën si të transformojë nevojën e shteteve të veçanta për autoritet qendror. Emergjencat e ditëve të sotme janë tepër të rrezikshme, edhe pse tërësisht ndryshe nga ato të Evropës së viteve 1930.