Driton ZENKU
Gostivar, 16 janar – Për dallim prej viteve paraprake, këtë vit manifestimi tradicional “Flaka e Janarit”, kaloi nën hijen e homazheve të dëshmorëve të kombit, shkruan gazeta KOHA. Për shkak se manifestimi qendror i “Flakës së Janarit”, për 35 vjetorin e rënies së vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka, do të mbahet në Republikën e Kosovës, Këshilli Organizativ vendosi që t’i bashkëngjitet manifestimit qendror që do të mbahet më 17 Janar – 2017 në Prishtinë. Kështu, të shtunën dhe të dielën, këshilli organizativ i përbërë nga anëtarët e Shoqërisë Kulturore Artistike “Lulet e Malësisë – Gostivar”, në bashkëpunim me Shoqatën e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe Shoqatën “Lëvizja”, bënë homazhe në vendprehjet e dëshmorëve duke filluar nga Struga dhe përfunduar në Kumanovë. Pas vendosjes së buqetave me lule të gjithë grupet që kishin zhvilluar homazhe në të gjitha hapësirat nga Struga e deri në Kumanovë, delegacioni ndali tek sheshi pranë varrezave të Kollares ku edhe gjenden të skalitura tre figurat e lavdishme të Lëvizjes Popullore Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. “Flaka e luftës për çlirim, bashkim dhe ruajtje të tërësisë territoriale të atdheut tonë ka filluar që nga koha e Pirros, duke vazhduar në periudhën dhe betejat e flakta të zhvilluara në kohën e Skënderbeut. Flakë e cila nuk u shua edhe në kohën e Idriz Seferit, Ismail Qemalit, Isa Boletinit, Bajram Currit, Hasan Prishtinës e Mic Sokolit. Flakë e cila u mbajt ndezur dhe u bart si stafetë brez pas brezi nga dora e simbolit të lirisë Adem Demaçi tek Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, më pastaj tek Metush Krasniqi e Sabri Novosella, flakë e cila nuk do të shuhej kurrë ngase të njëjtën do ta mbanin ndezur grykët e pushkëve të Familjes Jasharaj, Haradinaj e Krasniqi”, tha mes tjerash Fatmir Limani. Në konferencën për shtyp përfaqësuesi i Shoqërisë “Lëvizja” Tahir Hani njëkohësisht edhe i burgosur politik, në prononcimin e tij përkrahë historikut të veprimtarisë së Lëvizjes Popullore, veçoi rëndësinë e Këshillave Popullorë që vepronin në mbarë hapësirat shqiptare për përgatitjen e kushteve dhe rrethanave për një luftë të armatosur çlirimtare. Hani informoi të pranishmit për simpoziumin shkencorë, i cili do të organizohet në Prishtinë më 17 janar, 2017 nën organizimin e Shoqërisë “Lëvizja”, Institutit Albanologjik dhe Shoqatës së të Burgosurve Politik të Kosovës, simpozium në të cilin do të merrnin pjesë figura të rëndësishme që në periudhë të ndryshme kanë luajtur role kyçe në orientimin e masës studentore. Veprimtari Luan Veliu potencoi që përkujtimi i dëshmorëve mbetet amaneti jonë, sepse, përmes përkujtimit të tyre nuk do të harrohet edhe amaneti për të cilin ranë. “Manifestimi tradicional “Flaka e Janarit”, që sivjet mbahet për të 12 vit me radhë në qytetin e Gostivarit, sivjet ishte më ndryshe sepse na u bashkëngjit edhe Shoqata “Lëvizja”, për skaj SHVL-UÇK-së. Sivjet vendosëm të realizojmë karvanin e homazheve në vendbanimet tona, dhe si këshill organizativ t’i bashkëngjitemi manifestimit qendror që po mbahet me rastin e 35 vjetorit të rënies së vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës në Prishtinë”, potencoi Veliu. Nga ana e Këshillit Organizativ falënderuan Komunën e Gostivarit e cila edhe këtë vit u përkujdes për mbështetjen financiare të manifestimit.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.