Urim HASIPI
Tetovë, 19 mars – Ministria e Punëve të Brendshme ka sqaruar se pse nuk ka dhënë pëlqim për zgjerimin e parkimit zonal edhe në pjesë të tjera të qytetit të Tetovës, shkruan gazeta KOHA. Në përgjigjen e Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, thuhet se në kërkesën për pëlqim të dorëzuar deri tek Ministria e Punëve të Brendshme nga Sektori për veprimtari komunale dhe mbrojtje të ambientit jetësorë për vërtetimin e regjimit të komunikacionit dhe përcaktimin e vendeve të parkimit në zonën A dhe B për parkimin zonal në pjesën qendrore të Tetovës, është dhënë përgjigje negative. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, në dokumentacionin e dorëzuar mungon vërtetim nga Plani gjeneral urbanistik. “Ngase, në bazë të nenin 14 të Ligjit për siguri në komunikacionin rrugor dhe në bazë të hetimit në vend-ngjarje pas dorëzimit të dokumentacionit teknik, është vërtetuar se lënda nuk është e kompletuar dhe se mungon vërtetim nga Plani gjeneral urbanistik për Tetovën. Kjo do të thotë se lënda do të duhet të rikompletohet me atë që i mungon dhe më pas sërish të rishqyrtohet”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjegjësisht të Policisë së Tetovës. Nga policia nënvizojnë se për të dhënë pëlqim duhet që të plotësohen të gjitha parakushtet. “Kjo përgjigje më 6 mars i është dorëzuar Sektorit për veprimtari komunale dhe mbrojtje të ambientit jetësorë në Komunën e Tetovës. Për implementimin e kësaj kërkese duhet patjetër që të plotësohen të gjitha parakushtet teknike dhe të sigurisë në sferën e komunikacionit”, thuhet në sqarimin e policisë. Nga Ndërmarrja Publike Parkingu i Qytetit, thonë se ata e kanë ridërguar dokumentacionin e plotësuar dhe presin përgjigje pozitive. “Pas pesë apo gjashtë muajve pritje, ne kemi marrë një përgjigje nga ana e Policisë së Tetovës, ku thuhet se mungon një dokument që ka të bëjë me një vendim të Këshillit të Komunës së Tetovës. Ne atë dokument e kemi dërguar, por si duket nuk e kanë marrë parasysh. Tani e kemi ridërguar dhe shpresojmë se do të hasim në mirëkuptim nga ana e policisë, e cila do të jep dritë jeshile për zgjerimin e zonave të parkimit në qytetin e Tetovës”, deklaroi për KOHA ditë më parë Fejsal Behadini, drejtor i Ndërmarrjes Publike Parkingu i Qytetit në Tetovë. Kjo Ndërmarrje kërkoi leje nga policia që në rrugën “Todor Xhipovski” të organizohet parkim në anën e djathtë në drejtim që automjetet të lëvizin nga udhëkryqi i rrugës së “Ilindenit” me rrugën “Strasho Pinxhur” dhe kjo do të jetë pjesë e zonës A .Në rrugën e “Ilindenit” të organizohet parkim në të dy anët e qarkullimit, gjegjësisht deri në kryqëzimin e rrugëve “Kiro Ristovski Dërnc” dhe rrugën “Dervish Cara”. Në rrugën “Bllagoja Toska” të organizohet parkim zonal në të dy drejtimet nga kryqëzimi i rrugëve “Memet Pash Deralla” deri në udhëkryqin e rrugës “Metodija Çento”. Parkimi zonal deri më tash ka dhënë efekte vetëm në pjesën qendrore të qytetit, ku ka më pak kaos në komunikacion, por në rrugët dytësore vazhdon që trafiku të jetë i stërngarkuar.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.