Kancelari austriak, Christian Kern ka kaluar një mbrëmje të tërë duke shpërndarë pica në Vjenë në përpjekje për të vendosur kontakte me votuesit dhe për t’u njohur me shqetësimet e tyre duke përforcuar sinjalet se Partia Socialdemokrate po përgatitet për zgjedhje të parakohshme.
Lideri mbante veshur një uniformë të kuqe gjatë shërbimit nëpër familje, të cilave nuk u ra aspak në sy prania e tij, ndërkohë që Kern i pyeste për politikën, sipas një videoje postuar ne faqen e tij në Facebook. Ajo ka patur 70 000 klikime, një orë pas publikimit. Austria është në kulmin e një fushatë parazgjedhore jozyrtare, ndonëse zgjedhjet për parlamentin e ri nuk priten të zhvillohen deri nga vjeshta e vitit të ardhshëm. ”Dëshiroja të bisedoja pasi mendova se ishte një mundësi e mire për t’u njohur me njerëzit”, thotë Kern në video.
”A keni ndonjë bakshish për mua”, pyeti ai një vajzë, teksa ajo dukej e habitur. Spoti publicitar mori qindra komente të cilat ishin pozitive në shumicën e rasteve. Por, disa përdorues të rrjeteve sociale shprehën dyshimin e tyre se Kern ishte më shumë i interesuar në marrëdhëniet më publikun sesa në punën e tij konkrete, madje njëri prej tyre e etiketoi videon si populizëm me pica. Nëse zgjedhjet zhvillohen në 2018-ën, siç parashikohet, fushata elektorale do përkojë me radhën e Austrisë për të marre presidencën e BE-së në gjysmën e dytë të po atij viti.